Dega e FRI-së në Shkup organizoi një ligjëratë të veçantë me temë “Shkallët drejt kënaqësisë së Zotit”, e mbajtur në qendrën e FRI-së. Ligjërata u mbajt nga Hoxhë Halil Avdulli, një emër i njohur për thellësinë dhe qartësinë e mesazhit të tij.
Takimi u hap me lexim të bukur të Kuranit nga hafiz Shuajb Sadiki, duke krijuar një atmosferë shpirtërore dhe reflektuese që parapriu fjalimin e hoxhës.

Gjatë ligjëratës, Hoxha Avdulli shpalosi tri shkallët kryesore që e çojnë njeriun drejt kënaqësisë së Allahut: Imani, Islami dhe Ihsani – duke theksuar se këto janë themelet mbi të cilat ndërtohet një jetë e devotshme. Ai ndau reflektime edhe mbi aspektin filozofik të temës, duke përfshirë dimensionin metafizik dhe fizik të ekzistencës njerëzore, për ta kuptuar më thellë përmasën e ihsanit – adhurimi i Zotit sikur Ai të shihet.

Në fund të takimit, pjesëmarrësit patën mundësinë të parashtrojnë pyetjet e tyre, duke hapur diskutime të frytshme dhe duke përmbyllur aktivitetin me bashkëbisedim të hapur.

Shkup, 14 korrik 2025