Categories
Opinione

Llogaritë e gabueshme të Gruevskit

Shqiptarët në Maqedoni duhet të tregohen të vendosur dhe të durueshëm në kauzën e tyre të re, të rikonfigurimit të brendshëm politik dhe të fuqizimit përballë bashkësisë maqedonase e qeverisë agresive të Gruevskit. Atyre përfundimisht u duhet një përfaqësim më dinjitoz politik e kombëtar, që ta reflektojë ndryshimin brenda tyre, ndryshimin në shtet dhe në rrethimin e tij.
Rreziku i madh i shtetit dynacional, sikundër është Maqedonia, është kur riciklimi i krizave shndërrohet në rutinë, sepse ato e gërryejnë në mënyrë të vazhdueshme indin e raporteve ndërnacionale, që e mban atë shtet në këmbë. Riciklimi i krizave të tilla ndodhë në dy raste tipike: e para, kur shteti nuk dëshiron t’i zgjidhë problemet dhe, e dyta, kur shteti nuk ka fuqi t’i zgjidhë problemet. Në rastin e Maqedonisë duket sikur janë bërë bashkë të dyja këto raste.
Fanatizmi i shtetit të konstruktuar jorealisht 
Në Republikën e Maqedonisë po ndodhë riciklimi i krizës, kësaj here me një pretekst tjetër, dënimin e pesë shqiptarëve në një proces gjyqësor të dyshimtë, por me aktorë të njëjtë, qeverinë arrogante përballë qytetarëve shqiptarë të papërfaqësuar realisht në institucionet e shtetit. Preteksti mund të ishte edhe tjetër, më i madh ose më i vogël, por kjo nuk do ta ndryshonte drejtimin që kanë marrë ngjarjet që nga themelimi i shtetit të Maqedonisë. Themelimi i këtij shteti u bë mbi një koncept të shtetit njënacional, ndërsa në realitet Maqedonia është shtet multientik dhe minimalisht dynacional. I ndërtuar mbi themele të pavërteta, shteti është munduar gjatë tërë kësaj kohe ta imponojë atë që është e shkruar në letër dhe ta bëjë realitet idenë se Maqedonia është shtet njënacional, ndërsa shqiptarët në të janë qytetarë të rendit të dytë. Në të vërtetë, këtë koncept ajo deri sot e ka imponuar me dhunë, për aq sa ka mundur, ndonëse Marrëveshja e Ohrit i pati vënë disa kufizime këtij projekti. Por, qeveria e Gruevskit ka shkelur edhe mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe, në mandatin e saj të tretë, ka kaluar në ofensivë brutale, që t’i bëjë nul të gjitha kufizimet e asaj marrëveshjeje dhe ta imponojë versionin e fillimit të ndërtimit të shtetit të Maqedonisë si një shtet njënacional, vetëm i sllavomaqedonasve. Në këtë kontekst ka ndodhur edhe dënimi i pesë qytetarëve shqiptarë me burgim të përjetshëm, si një mesazh për fuqinë goditëse e paralizuese të shtetit njënacional ndaj armiqve të vet të nacionalitetit tjetër. Por, reagimi i vrullshëm i qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë ka mundësi t’i prishë llogaritë e Gruevskit dhe të pionëve të tij. E para, me këto protesta u dëshmua se BDI-ja dhe Ali Ahmeti e kanë rrezikuar shumë kredibilitetin e tyre dhe, nëse nuk bëjnë ndonjë lëvizje të shpejtë e domethënëse, mund të konsumohen e të kompromentohen përfundimisht. Pjesëmarrja në një qeveri që është kaq arrogante ndaj shqiptarëve, një parti shqiptare mund ta bëjë paçavër. Ishte PDSH-ja në qeverinë e Georgievskit, në kohën kur ndodhi konflikti mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe kur fshatrat shqiptare bombardoheshin nga helikopterët, por po e paguan tagrin tash trembëdhjetë vjet me mbetje në opozitë. Nëse BDI-ja nuk mëson shpejt prej kësaj  përvoje të hidhur të PDSH-së, mund ta përjetojë edhe vetë po atë përvojë. E dyta, me këto protesta u dëshmua se ka ndodhur një emancipim politik substancial i qytetarëve shqiptarë në Maqedoni, që nga një masë që më shumë preokupohej për sferën private të jetës, përnjëherë gdhinë si një lëvizje qytetare e vendosur të participojë në sferën publike dhe të jetës shoqërore. Kjo është koha e ndikimit të rrjeteve sociale dhe e një opinion publik që krijohet jashtë kontrollit qeveritar dhe partive të kontrolluara shqiptare. Protestuesit mund të nisen nga xhamia ose nga kafenetë, por ata janë të njoftuar e të mobilizuar përmes fejsbukut.
Fuqizimi real i shqiptarëve
E treta, sado që reagimet e Tiranës e të Prishtinës zyrtare janë të matura, ato treguan se ka ndodhur edhe një fuqizim i faktorit shqiptar në Ballkan. Së paku në raport me Maqedoninë, e cila është e bllokuar në procesin e anëtarësimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian, për shkak të kontestit me Greqinë për emrin e shtetit, po edhe për shkak të deficitit demokratik, si një shtet me opozitë jashtë parlamentit. Reagimi aq histerik i Gruevskit ndaj deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është provë e shqetësimit të tij lidhur me ndryshimet që duket se nuk i ka përllogaritur. Në fakt, përllogaritje e saktë nuk mund të bëhet as nga Gruevski e as nga ndokush tjetër, në rast se veprimet që bëhen janë jonormale. Gruevski ka llogaritur në mënyrë jonormale se i mjafton të ngrejë një etiketë, ku të thuhet se pesë personat që akuzohen për vrasjen e të rinjve maqedonas na qenkëshin “ekstremistë islamikë” dhe bota ta besojë e shqiptarët të rrinë sus nga frika. Ashtu si pati bërë me disa refugjatë pakistanezë, të cilët shteti i ekzekutoi pa gjyq, nën pretekstin se gjoja ishin terroristë. Por, në rastin e shqiptarëve, këto inskenime nuk pinë ujë, sepse ata nuk janë refugjatë fatzinj, po janë banorë autoktonë edhe të tokës që quhet Maqedoni (bile më saktë FYROM.) Mossolidarizimi i komunitetit ndërkombëtar me gjykimin drastik në rastin “Monstra” dhe rishfaqja e trimërisë së shqiptarëve, kësaj here në sheshe qytetesh e jo në kodra të larta, ia ka ngatërruar llogaritë. Tash për tash Gruevski duket i hutuar, ndonëse arrogancën e mban ende si një kostum të vjetër e të dalë boje e mode. Por, atij i duhet arroganca ndaj shqiptarëve, sepse ajo për të është si oksigjeni dhe vetëm ajo e mban në pushtet. Po të mos ishte kështu, pas publikimit të videos ku ai është i zënë me pelë për dore në korrupsion të shifrave marramendëse, vetë qytetarët maqedonas do ta shpinin në pension politik e mbase edhe prapa hekurave. Por, loja  e tij me riciklimin e krizave me shqiptarët, i paralizon iniciativat kundër tij në bllokun maqedonas. Deri kur? Derisa vonesa e integrimit në Bashkimin Evropian dhe vonesa e anëtarësimit në NATO ta rëndojnë jetën e qytetarëve të Maqedonisë, duke e bërë të padurueshme ose të pashpresë. Atëherë mund të ndodhë procesi i ndërgjegjësimit të qytetarëve maqedonas, ndjenjat nacionale të të cilëve keqpërdoren në konflikt me shqiptarët për ta mbajtur Gruevskin në pushtet. Nga historia e afërt e ish Jugosllavisë është e ditur se këto taktika të riciklimit të krizave i përdorte Millosheviqi, derisa me to e shkatërroi ish-shtetin multinacional.
Vendosmëria dhe durimi
Por, edhe qytetarëve maqedonas duhet t’u ndihmohet që të kthjellohen dhe të binden se nga dokrrat nacionaliste antishqiptare të Gruevskit, ku hyjnë edhe proceset e montuara gjyqësore si në rastin “Monstra” edhe dhuna ndaj protestuesve paqësorë, vetëm më keq do të bëhet edhe për ta dhe për shtetin e përbashkët. Kush duhet të ndihmojë në këtë rast? Më së shumti e kanë për obligim të ndihmojnë në këtë proces kthjellimi nga halucinacionet nacionaliste maqedonomëdha, pikërisht mbrojtësit më të mëdhenj të shtetit maqedonas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja. Kanë qenë edhe garant të Marrëveshjes së Ohrit dhe janë garant të ekzistimit të këtij shteti. Por, mirësia dhe zemërgjerësia e tyre është keqpërdorur nga qeveria nacionaliste e Gruevskit. Duke e ditur qëndrimin e tyre se e mbrojnë në çdo mënyrë integritetin dhe sovranitetin e Maqedonisë, Gruevski ka kaluar në “qërim hesapesh” me shqiptarët, me synimin që ta realizojë shtetin njënacional. Por, kjo është një punë që nuk mund të bëhet, madje as me ndihmën e gjithë dynjasë, sepse realiteti e përjashton. Shqiptarët janë aty me gjithë dinamizmin e tyre. Ky dinamizëm i ri do të shpjerë në drejtim edhe të krijimit të kapaciteteve të mirëfillta të përfaqësimit politik e kombëtar të shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë (nëse doni në shtetin maqedonas, meqë shqiptarët deri në shekullin XVIII janë quajtur edhe maqedonas). Por, shqiptarëve në Maqedoni u duhet edhe ndihma e pakursyer dhe johileqare e Shqipërisë dhe e Kosovës. Fatkeqësisht, në disa periudha të mëhershme, veçmas në fillimet e viteve të nëntëdhjeta, ka pasur disa “ndihma” hileqare, që  i kanë përçarë shqiptarët në Maqedoni dhe i kanë abuzuar potencialet e tyre. Por, tash vërtet janë kohëra të tjera. Tashmë nuk mund të ndodhin aso veprimtarish antikombëtare e nga opinion publik dhe nga elektorati shqiptar të mos penalizohen ata që i bëjnë ato.
Nga ana tjetër, shqiptarët në Maqedoni duhet të tregohen të vendosur dhe të durueshëm në kauzën e tyre të re, të rikonfigurimit të brendshëm politik dhe të fuqizimit përballë bashkësisë maqedonase e qeverisë agresive të Gruevskit. Atyre përfundimisht u duhet një përfaqësim më dinjitoz politik e kombëtar, që ta reflektojë ndryshimin brenda tyre, ndryshimin në shtet dhe në rrethimin e tij. Dhe, mbi të gjitha, në këto përpjekje e projekte, duhet të shmangin çfarëdo infiltrimi të eksponentëve të ekstremizmit fetar. Nëse do të ndodhte që të infiltrohen eksponentë të tillë dhe ta devijonin lëvizjen në drejtimin e gabuar, ajo do të ishte në favor të Gruevskit dhe tërësisht kundër shqiptarëve në përgjithësi. Pa atë kartë, Gruevski dhe të gjithë armiqtë e lirive dhe të të drejtave kombëtare të shqiptarëve, janë të mbaruar. Kudo. Prandaj, duhet të mbahet në vëmendje se në Maqedoni, me provokimet serike kundër shqiptarëve, po testohen jo vetëm nervat, por edhe orientimi ynë strategjik, nga ata që mbajnë dyshim kujdestar ndaj qëllimeve tona./shenja/

Exit mobile version