Categories
Lajme FRI

“Lojërat në celular, fëmijëve po u deformohet shtylla kurrizore”

Fëmijëve po u deformohet shtylla kurrizore si rrjedhojë e rëndesës së çantave dhe lojërave në celular”. Alarmi jepet nga Drejtoria e Kujdesit Shëndetësor, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ka hartuar edhe një udhëzues për mjekët e shkollave, me qëllim parandalimin e deformimeve të shtyllës kurrizore te fëmijët. Ndërkaq, sipas specialistëve të këtij dikasteri, numri i fëmijëve midis moshës 8–18 vjeç, të ankohen për dhimbje të mesit, po rritet, ndërkohë që zhvillimi i këtyre problemeve vjen si rrjedhojë e qëndrimit jo të drejtë. Gjithashtu, ndonëse nuk ka një studim të mirëfilltë, rezulton se dhimbja e mesit është shumë më e shpeshtë tek të rriturit se sa te fëmijët, megjithatë më pak se 30% e fëmijëve e adoleshentëve ankohen për dhimbje mesi, por shumë pak prej tyre shkojnë te mjeku për këtë dhimbje. Po ashtu, sipas të dhënave rezulton se dhimbja e kurrizit shtohet me rritjen e moshës, ndërsa është më e shpeshtë tek vajzat se sa tek djemtë.
Qëndrimi
Specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë citojnë kirurgët, sipas të cilëve pajisjet elektronike në vetvete nuk janë problem dhe zgjidhja nuk është që të mos përdoren ato. Sipas tyre duhet treguar më shumë kujdes ndaj qëndrimit, veçanërisht zakoneve të mira të qëndrimit ulur. Ndërkohë që theksojnë se kujdesi ndaj posturës, thuajse është zhdukur në të gjithë botën e për më tepër prindërit, mësuesit e edukatës fizike dhe mjekët e familjes, e pranojnë si normale qëndrimin jo të rregullt të fëmijëve e adoleshentëve. “Prova më e thjeshtë për të kontrolluar shtyllën kurrizore tek ata, është që t’i kërkosh fëmijës të përkulen dhe të prekin majat e gishtave të këmbës. Ata me dëmtime të shtyllës kurrizore nuk do të munden të përkulin kurrizin, aq sa duhet për të prekur gishtat. Një rol thelbësor luajnë dhe mjekët e shkollave si dhe mësuesit e aktivitetit fizik në shkolla, të cilët duhet t’i drejtojnë më shumë rreth aktiviteteve fizike, si: Futboll, karate apo hedhje. Këto do shënonin një diferencë të madhe në jetën e tyre të përditshme. Në ditët e sotme fëmijët janë më shumë të stresuar se 20 vjet më parë dhe aktiviteti fizik realisht do i ndihmonte”, shprehen specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Rregullat
Me qëllim evitimin e deformimit të shtyllës kurrizore, specialistët sugjerojnë disa rregulla të rëndësishme për t’u ndjekur nga prindërit e fëmijëve. “Tërhiquni herë pas here vëmendje fëmijëve të mbajnë pozicionin drejt të trupit si gjatë ngrënies së vakteve, ashtu edhe gjatë ushtrimit të detyrave të shkollës. Mos i lejoni që të ushqehen në divan, por duke mbajtur pozicionin drejt vetëm në tavolinë, pa mbështetur parakrahët. Regjistrojini minimalisht dy herë në javë në aktivitete fizike jashtëshkollore, si: Sporte të ndryshme sipas grupmoshës, not, futboll, basketboll, karate, balet, tenis dhe mos lejoni që fëmija juaj të shtrihet në divan apo krevat gjatë kohës që shikon TV apo loz me lojëra elektronike”, shprehen specialistët. Gjithashtu, ata u rekomandojnë prindërve që të evitojnë shoqërimin me makinë të fëmijëve në shkollë, ndërkohë që sa i takon rëndesës së çantës së shkollës është mirë që të përdoret një çantë me rrota dhe me dorezë të gjatë. Në të kundërt, përdorini të dy krahët e çantës në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë trupin. Vendosja vetëm e njërit krah të çantës, çon në devijim e trupit nga njëra anë e ngarkesës”, përfundojnë specialitet.
Rregulla të rëndësishme për t’u ndjekur nga prindërit

Tërhiquni herë pas here vëmendje fëmijëve të mbajnë pozicionin drejt të trupit si gjatë ngrënies së vakteve, ashtu edhe gjatë ushtrimit të detyrave të shkollës.
Mos i lejoni që të ushqehen në divan, por duke mbajtur pozicionin drejt vetëm në tavolinë, pa mbështetur parakrahët.
Regjistrojini minimalisht dy herë në javë në aktivitete fizike jashtëshkollore, si: Sporte të ndryshme sipas grupmoshës (not, futboll, basketboll, karate, balet, tenis).
Mos lejoni që fëmija juaj të shtrihet në divan apo krevat gjatë kohës që shikon TV, apo luan me lojëra elektronike.
Ai apo ajo të përdorë çantë me rrota me dorezë të gjatë (minivalixhe), për të evituar mbajtjen e ngarkesës në shpinë. Në të kundërt, përdorini të dy krahët e çantës në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë trupin.
Sigurohu që fëmija të mos shohë TV, të luajë kompjuter apo të rrijë ulur, pa bërë një pushim, jo më shumë se 20 minuta.
Mundohuni që fëmijët të mos i shoqëroni me makinë për në shkollë, pasi e ecura është një pjesë e rëndësishme e regjimit ditor  aktivitetit fizik.
(GazetaShqiptare/

Exit mobile version