Përfshirja franceze në Mali është gjoja për të mirën e popullit, në mbrojtje të një vendi ‘mik’ nga ekstremistët, por saktësia e këtij pretendimi nuk është se tejkalon pyetjet që mund të ngrihen.
Ndërsa bota vështron, klasa politike Franceze ka arritur një marrëveshje në parim, mbi ndërhyrjen ushtarake në Malin verior kundër koalicionit të “Islamikëve”, “Xhihadistëve” dhe ekstremistëve. Ata kritikë të qeverisë franceze që shkuan vetë atje, pranojnë se vendimi për të marrë masa është “i drejtë”. Presidenti francez Fransua Hollond i cili u shfaq i humbur në krye të një qeverie pa timon, ka fituar një prestigj të ri dhe ka rinovuar imazhin e tij si një burrë shteti dhe si një prijës ushtarak i përkushtuar në “shkatërrimin e armikut”, duke “e nxjerrë atë jashtë loje”. Kështu Mali verior duket i destinuar për t’u bërë pasqyra në të cilën Franca admiron imazhin e presidentit të saj të fortë dhe të vendosur.
Pikësëpari si mendim parësor: Ideologjia dhe metodat e Selefistëve dhe grupeve të armatosura xhihadiste meritojnë vetëm dënim. Interpretimi dhe shfrytëzimi nga ana e tyre e fesë, duke imponuar dënimet më degraduese trupore janë krejtësisht të papranueshme. Edhe njëherë, ndërgjegjja bashkëkohore myslimane ndërkombëtare, duhet t’ia bëjë të qartë vetes se: Një interpretim dhe një zbatim i tillë i Islamit është një tradhti, një tmerr dhe një turp. Të parët që duhet të ngrenë zërin e tyre kundra kësaj, duhet të jenë myslimanët në vetvete dhe shumica e vendeve myslimane. Politikisht, intelektualisht dhe me tërë fuqinë që mund të zotërojë ndërgjegjja dhe zemrat e tyre, ata duhet të mbajnë një pozicion që nuk pranon kompromise.
Këtij pozicioni parimor duhet t’i shtohet një dozë e fuqishme e analizës gjeopolitike, të gjitha këto në mënyrë që të shmangin konfuzionin mes një qëndrimi moral të domosdoshëm dhe të thjeshtë nga njëra anë, si dhe një pozicioni të dyzuar politik nga ana tjetër.
Por të kundërshtosh ekstremistët xhihadistë, nuk do të thotë të pranosh politikën franceze në rajon. Fraza e Xhorxh W. Bushit: “Ju jeni me ne ose me terroristët” është thellësisht e rreme, po aq sa është edhe e rrezikshme, si në aspektin e domethënies edhe të pasojave. Pas angazhimit të Francës “fisnike” për popujt e rrezikuara të Afrikës, mbeten të paadresuara disa pyetje shumë të drejtpërdrejta.
Perëndimi në përgjithësi dhe Franca në veçanti, i kishte harruar për dekada me radhë vuajtjet e popujve nën diktaturë si ishte Tunizia, Egjipti dhe Libia, para se të ndryshonin mendjet e tyre duke i kënduar lavde “revolucionit” dhe Pranverës Arabe për lirinë e rifituar. Në Libi, ndërhyrja humanitare zbuloi fytyrën e saj të shëmtuar nën një maskim të papërpunuar, ose si pohim ndaj interesave të hapura për naftë dhe avantazhe ekonomike.
Disa muaj më vonë, Franca ndërhyri në Mali gjoja për të mirën e popullit të saj, qëllimi i saj i vetëm është për të mbrojtur një vend “mik” nga rreziku i ekstremistëve të cilët tashmë janë në aleancë me rebelët Tuarek. Saktësia e këtij versioni mbetet për t’u parë. Mungesa totale e ekonomisë dhe gjeopolitikës nga paraqitja politike dhe mediatike e ndërhyrjes franceze, ngre dyshime serioze. Nga ana tjetër, akoma më pak është thënë në lidhje me historinë e gjatë të lidhjeve të Francës me vijimësinë e qeverive të Malit. Ngjarjet po zhvillohen sikur Franca papritmas po shpreh solidaritetin e saj me sakrificë, bujari dhe altruizëm. Megjithatë, e vërteta e gjallë është se pas trazirave të fundit politike në Mali, Franca nuk ka reshtur së ndërhyri, bëri presion apo duke hequr liderët politike dhe ushtarak Malian që shihen si jobashkëpunues, si dhe duke krijuar aleanca në nivelet më të larta mes figurave fisnore, ushtarake apo civile të vendit të dobësuar dhe izoluar pas rënies së Muamar Gadafit. Presidenti Amadu Tumani Turre u përmbys nga një grusht ushtarak më 22 mars të vitit të kaluar. Ture e pagoi për politikat e tij ndaj pjesës veriore të vendit, si dhe për preferencat e tij në shpërndarjen e lejeve të ardhshme në kërkimet e naftës.
Lidhjet e Francës – shpesh të tendosura – me Lëvizjen separatiste Çlirimtare Kombëtare Azavad (MNLA) janë një sekret i hapur, qëllimi ka qenë për të ndarë vendin në dy zona, për të lehtësuar eksplorimin e ardhshëm premtues të burimeve minerale. Prania e Al Kaedës në Magrebin islam (AQMI) dhe aleanca e saj me fiset Tuareke të veriut, ka qenë për jo më pak se tre vjet një tjetër faktor që ka justifikuar praninë ushtarake të Francës në rajon. Ai u bë më në fund zyrtar me hapjen e armiqësive kohët e fundit.
Qeveria franceze dhe drejtuesit e kompanive ndërkombëtare, kanë tentuar të minimizojnë zbulimet e fundit në Sahel, një rajon që përfshin Mauritaninë, Malin, Nigerin dhe Algjerinë (atje ka pasur bisedime edhe për “mirazhin Malian”). Megjithatë, të dhënat janë shumë mirë të njohura dhe të përforcuara saqë shumica e njerëzve janë të gatshëm t’i pranojnë. Drejtori për operacionet në Afrikën e Veriut Zhan Fransua Arrigi de Kazanova, ishte më largpamës kur e përshkoi atë si “Eldorado e re” me potencialet e saj të mëdha të naftës dhe gazit. Rajoni ka jo më pak se pesë depozita premtuese. Potenciali i burimeve të basenit Tuadeni, në kufirin Mauritanez tashmë është konfirmuar. Atij duhet t’i shtohen basenet Tamezna dhe Lulemedin përgjatë kufirit me Nigerinë, si dhe baseni Nara afër me relievet e Moptit dhe Gaos. Autoriteti i Francës për kërkimet e Naftës (AUREP) ka konfirmuar potencialin e burimeve nëntokësore të Malit (kryesisht naftë dhe gaz). Mali, Mauritania, Algjeria dhe Nigeria tani e gjejnë veten të përfshirë drejtpërsëdrejti (pas rënies së Gadafit) dhe tashmë rruga është e hapur për kompanitë e naftës së Francës (në total në kryesim), Italianë (ENI) dhe Algjerinë me (SIPEX), të cilat kanë investuar më shumë se 100 milionë $ (367.8 milionë Dh) për mbikëqyrjen dhe kërkimet, përkundër pasigurisë mbizotëruese dhe klimës së thatë.
Gjaku, liria dhe dinjiteti i popullit miqësor Malian janë sigurisht mbi të gjitha, vlera më e madhe për t’u mbrojtur kur në të njëjtën kohë, depozitat e stërmëdha të naftës dhe gazit fshihen nën rërën e saj. Pasuritë minerale të veriut të Malit nuk janë një mirazh, mirazh i vetëm është realiteti i dekolonizimit.
Si mundet që ndonjëra nga këto pyetje të konsiderohet e paligjshme?
Askush nuk mund të mohojë ekzistencën e grupeve të dhunshme, ekstremiste dhe të radikalizuara që shfaqin një kuptim të gabuar dhe të papranueshëm të Islamit. Për ta përsëritur themi se ata duhet të dënohen. Por duhet pranuar se këto grupe kanë strategji politike konfliktuale dhe një tendencë frikësuese për të ngritur dyqan pikërisht në ato vende, ku burimet minerale janë një faktor kyç ekonomik. E njëjta gjë ishte e vërtetë në Afganistan (në zemër të një rajoni jashtëzakonisht të pasur me naftë, gaz, litium, etj) dhe papritmas – është e vështirë për të kuptuar saktësisht se si, apo pse – ekstremistë “Të çmendur” kanë zgjedhur tani sektorin Malian të Sahelit, një nga rajonet më të thata dhe të pajetë të botës, për të aplikuar urdhrat e tyre gjyqësore çnjerëzore. Nuk mund të ketë asnjë dyshim në lidhje me ekzistencën e grupeve ekstremiste, por gjenden pyetje legjitime rreth asaj se si ata arritën destinacionin e tyre aktual. Fushat e tyre të veprimit dhe metodat e tyre mund të nxiten dhe të drejtohen: Ajo çka ishte e qartë nën Xhorxh W. Bushin nuk është më pak e qartë në Mali, ku “terroristët” mund të përdoren për përparësi.
Në vizitën time më të fundit në Mali, një burrë ushtarak në pension më mirëbesoi dyshimet e tij: “Ne jemi nën urdhra që t’i shfarosim ekstremistët, për t’i shkatërruar ata edhe nëse ata janë çarmatosur. Pa marrë asnjë të burgosur! Ne bëjmë gjithçka që mundemi për t’i përzënë ata të çmendur, në mënyrë që t’i radikalizojmë ata”. Një strategji ushtarake kjo jo e keqe. Kohët e fundit, e përditshmja satirike parisiene ‘Le Canard Enchaine’ ka zbuluar se Katari aleati i Francës ka nënshkruar një marrëveshje në total për eksplorimin në Sahel, ndërsa në të njëjtën kohë ajo siguronte mbështetje logjistike dhe financiare për grupet radikale të tilla si rebelët e MNLA (Nacionalistë laikë) dhe lëvizjet e tilla si Ansar Dine, AQMI dhe MUJAO (Xhihadi në Afrikën Perëndimore)”. Nëse këto pohime provohen si të vërteta, do të kemi një kontradiktë – ose ndoshta një inkurajim – të ekstremistëve duke i udhëhequr ato në veprim, në mënyrë për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake franceze si një praktike të nevojshme dhe të domosdoshme në fund të fundit? Një shpërndarje e përshtatshme e roleve që është sa efektive po aq sa dhe cinike.
Sot, bota duket si peng i dramës më të fundit të shpalosur në Algjeri, duke premtuar ndezjen e ndjenjave kombëtare në mbështetje të veprimit të mëtejshëm ushtarak. Amerikanë, britanikë, norvegjezë dhe pengje të tjerë evropianë, po mbahen të izoluar në tokën algjeriane. Papritmas janë në rrezik më shumë se vetëm interesat e Francës. Shumica e Malianëve janë të kënaqur, por larg të qënurit të mashtruar: Franca fuqia mike, është mbi të gjitha, mik i interesave të saj. Nuk ka asgjë të re në lidhje me politikën e saj të ndërhyrjes selektive (në Libi dhe Mali, por jo në Siri apo Palestinë). Neve na është thënë se paragjykimi i natyrshëm i Francës në politikën afrikane ka përfunduar, se epoka e kolonializmit ekonomik dhe politik nuk është më, dhe se një ditë e re e lirisë, dinjitetit kombëtar dhe e demokracisë ka filluar. Dhe ne supozohej që ta gëlltisnim këtë hipokrizi!
Ekstremistët duhet të denoncohen për veprimet dhe shfrytëzimet e tyre të fesë dhe kulturës. Megjithatë, ka ardhur koha për t’u përballur me përgjegjësitë tona. Për shtetet afrikane dhe arabe që kanë harruar urdhërimet themelore të autonomisë dhe përgjegjësisë politike, për elitat afrikane dhe arabe, si dhe për të gjithë ne, që kanë provuar të jenë në gjendje për të vënë përpara një vizion të qartë të pavarësisë politike, ekonomike dhe kulturore; për popujt që lejojnë veten të zhvendosen tutje nga emocionet e masave dhe Kimera e “fuqive mike” për të gjithë ne, politikanët, intelektualët dhe qytetarët e thjeshtë të shqetësuar mbi të gjitha për dinjitetin dhe drejtësinë në vendet e jugut global, ne tani duhet të marrin përgjegjësinë përfundimtare për atë që po ndodh para nesh. “Shkatërrimi” i xhihadistëve në Malin verior është larg nga premtimi i lirisë për popullin e Malit. Në vend të kësaj, në aspektin afatgjatë, ajo do të provojë të jetë një formë e re dhe më e sofistikuar e tjetërsimit. Dhe akoma, forcat e rezistencës në vendet e jugut global asnjëherë nuk kanë pasur mundësinë për të hapur horizonte dhe shtigje të reja drejt lirisë.
Ajo çka ne të gjithë shohim sot, është euforia, festa apo heshtja përballë “veprimit çlirues” të Francës si dhe mbështetja unanime e “komunitetit ndërkombëtar” për këtë. Duket sikur Lindja e Mesme dhe Afrika ranë edhe njëherë tjetër dakord për t’u paraqitur si Perëndimi, të plagosur, të vrarë nga dyshimi dhe të rrënuar me kriza ekonomike, politike dhe identitare, duke djegur qetësinë e tyre të fundit. Shërbimi më i madh i Afrikës për vetveten dhe Perëndimin, nuk është çuarja përpara e nostalgjisë së perëndimit për pushtet dhe iluzioneve të saj të eksituara, por rezistenca me dinjitet dhe koherencë në emër të vlerave që Franca dhe Perëndimi pretendojnë se i çmojnë shumë dhe ku ende dita ditës i tradhtojnë ato me anë të politikave të tyre të hipokrizisë dhe mashtrimit si në Amerikën e Jugut, Afrikë dhe Azi. Mali i veriut është një thirrje zgjimi që e bën gjakun të rrjedhe ftohtë: Vini re, një popull që pëson një formë të re të skllavërisë dhe asfiksisë ekonomike për çlirim politik; vini re se si politikanët Afrikanë dhe Arabë zgërdhihen dhe duartrokasin. Hipokrizia dhe burracakëria e aktualëve është imazhi pasqyrë i hipokrizisë dhe mashtrimeve të së kaluarve. Asgjë e re nën diellin kolonial!
Perktheu: Ervin Hakorja