Categories
Lajme FRI

Malik Bin Nebi (1905-1973)

Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, është një prej dijetarëve dhe filozofëve më të njohur të shekullit të XX-të dhe llogaritet nga shumë prej dijetarëve si një prej pasardhësve më të denjë të Ibn Haldunit. Është një prej dijetarëve të Algjerisë dhe prej pionierëve dhe ideatorëve të ringjalljes së ideologjisë dhe mendimit islam.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, po ashtu llogaritet si njeriu që më së shumti iu përkushtua problemeve bashkëkohore të botës islame dhe një prej dijetarëve që më së shumti ofroj zgjidhje rreth këtyre problemeve. Mundi dhe angazhimi i tij në ngritjen e mendimit bashkëkohorë islam dhe të zgjidhjes së problemeve bashkëkohore, si në mënyrën e qasjes ndaj tyre apo në shembujt që i ka sjell si alternativa të mundshme për tejkalimin e këtyre problemeve, janë vlerësuar lartë dhe janë bërë cak i shumë studimeve të më vonshme.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, llogaritet prej të parëve që u munduan të përkufizonin problemin, të përcaktonin kushtet bazike për zgjidhjen e tij, po ashtu ishte prej të parëve që u mor me studimin e shenjave apo simptomave të problemit e po ashtu ishte prej të parëve që kishte përpiluar një metodë të veçantë për qasjen dhe zgjidhjen e problemit. Këtë metodë, Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, kryesisht e kishte bazuar në psikologji, sociologji dhe në ligjet apo natyrshmërinë historike.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, u lind në vitin 1905 në lindje të Algjerisë. U rritë në një familje islame dhe me një edukim të lartë familjarë, i ati i tij punonte në një prej gjykatave islame të Algjerisë ndërsa Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, shkollimin e tij e kishte filluar në një shkollë për mësimin e Kuranit e pastaj në vitin 1925 e mbaron shkollimin e mesëm nga një shkollë franceze.
Pas shkollimit të mesëm udhëton për në Francë por nuk arrin që të filloj studimet andaj edhe detyrohet që të kthehet në vendlindje ku edhe fillon të punojë si punonjës gjykate. Puna në gjykata i kishte dhënë mundësi që të takohej me njerëzit të rëndomtë por që ishin shkak për hapjen e diapazonit të tij mendor dhe në vitin 1930 jep dorëheqje nga vendi i tij i punës dhe ri nisë udhëtimin e tij shkencorë në Francë.
Përpjekja e tij e parë ishte që të regjistrohej në Institutin për studime lindore por që aso kohe nuk ishte e lejuar për algjerian që të studionin në vende të tilla dhe kjo e kishte prekur thellë indinjatën e tij dhe kishte lënë gjurmë të paharruara dhe si pasoj e kësaj u detyrua që të përfundonte studimet e tij në inxhinieri.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, pas përfundimit të studimeve vendosi që të qëndronte në Francë, ku edhe u martua me një franceze.  Ai filloj që të merrej me studimin e problemeve bashkëkohore me të cilat po ballafaqohej bota islame dhe si përpjekje për të dhënë zgjidhje dhe alternativa të mundshme për tejkalimin e këtyre problemeve Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, në vitin 1946 e boton edhe librin e tij të parë ‘’ Fenomene Kuranore ‘’. Ndërsa libri i tij ‘’ Problematika e të menduarit në botën islame ‘’, llogaritet si libri më i mirë i shkruar në gjuhen arabe në shek. XX-të.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, në vitin 1954 pas revolucionit të armatosur algjerian, udhëton për në Egjipt ndërsa me të përfunduar të revolucionit dhe pavarësimit të Algjerisë kthehet në vendlindje.
Në vitin 1964 emërtohet si drejtor i përgjithshëm për arsimin e lartë ndërsa në vitin 1967 jep dorëheqje, për të iu përkushtuar shkrimeve në gazeta dhe revista të ndryshme të vendit.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, ishte nxitës i nxënësve të tij dhe sidomos i atyre që ishin të angazhuar me punë në Ministrinë e Arsimit dhe të asaj Fetare që të jepnin tërë mundin e tyre për hapjen e xhamive, e sidomos të atyre nëpër universitete, dhe të merreshin me thyerjen e ideologjive antifetare që mbretëronin aso kohe në Algjeri.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, është autor i një morie të veprave që mund të përmblidhen nën një titull ‘’ Problematikat e qytetërimit ‘’, e që në tërësi bëhet fjalë për mbi 25 vepra. Ndërsa ajo që më së shumti kishte ndikuar në vetë personalitetin e tij ishte pikërisht shkatërrimi që i ishte bërë Algjerisë nga ana e kolonive të ndryshme. Ai ishte dëshmitarë i asaj faqeje të zezë nga historia e Algjerisë andaj ideologjia e tij llogaritet si një prej ideologjive më të thelluara në problematikat bashkëkohore të botës islame.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, mendonte se problemet bashkëkohore tek të gjithë popujt janë probleme të vetë qytetërimit dhe civilizimit bashkëkohorë dhe se këto probleme nuk mund të zgjidhen përderisa qytetarët të mos ngritën në aspektin shkencorë sa të jenë në gjendje që të kuptojnë se si realisht janë ngritur qytetërimet dhe civilizimet bashkëkohore. Ai po ashtu mendonte se elementet kryesore të cilitdo qytetërim janë: Njeriu, toka dhe koha. Ai po ashtu mendonte se qytetërimet, civilizimet dhe kulturat nuk mund të barten nga një popull tek tjetri sepse çdo popull i ka specifikat dhe karakteristikat dalluese nga të tjerët andaj nisur nga ky fakt, sipas Malik Bin Nebi, qytetërimet dhe kulturat duhet të krijohen nga vetë populli dhe jo të barten nga jashtë.
Malik Bin Nebi, Allahu xh.sh e mëshiroftë, vdiq me 31 Tetor të vitit 1973 duke lënë pas veti gjurmë të paharruara në botën islame.
Përgatiti: Artan Musliu
 

Exit mobile version