Mançester Junajtedi dhe Real Madridi sonte do të zhvillojnë ndeshjen kthyese në Ligën e Kampionëve, dhe njëri nga gjigantët do të kualifikohet për në çerekfinale, kurse tjetri do të eleminohet. Të dyja skuadrat po kalojnë në në një formë tejet të mirë. Përballja e parë e zhvilluar në “Santiago Bernabeu” ka përfunduar me rezultat të barabartë 1:1, andaj gjithçka do të vendoset sonte në “Old Trafford”. Më të veçantë këtë supersfidë e bërn rikthimi i yllit madrilen, Kristiano Ronaldo, pas katër vitesh në Mançester, i cili një pjesë të mirë të karrierës e ka kryer te “Djajtë e Kuq”. Ronaldo shpreson që do të pritet mirë, nga dikur ekipi tij i zemrës, ku edhe u pjek si futbollist.
Por përkundër kësaj, CR7 synon suksesin me Realin. “Do të jetë një ndjenjë e bukur. Nëse shënoj kundër Junajtedit, do të jetë diçka spektakolare. Por, nuk di të them se si do ta festoja, do të jetë diçka spontane. Sidoqoftë, kam dëshirë të vihem para një situate të tillë”, ka thënë Ronaldo. 28-vjeçari portugez pret që tifozët e “Djajve të Kuq” ta presin  ngrohtësisht, pasi ka kaluar gjashtë vjet te mrekullueshme në këtë klub. “Jam i sigurt se tifozët do të më presin mirë. Pas atyre viteve që kam kaluar këtu dhe miqësive që kam krijuar, jam i bindur se ky do të jetë një nga vendet ku do të më duartrokasin më së shumti. Periudha që kam kaluar te Junajtedi ka qenë fantastike”, ka shtuar Ronaldo.
Runi beson në kualifikim

Përkundër respektit për Real Madridin, vendasit nga Mançesteri besojnë se do të kualifikohen në çerekfinale. “Do të jetë një natë speciale. Janë ndoshta dy klubet më të mëdha të botës, ndërsa këtë ndeshje ne duam ta kalojmë me sukses. Ata kanë lojtarë shumë të mirë në  përbërje, ndërsa ne duhet të jemi në një ditë shumë të mirë që t’ia dalim mbanë”, ka deklaruar Runi / kosovasot /