Pas 27 vitesh erdhi dhe momenti i lamtumirës. Sir. Alex Ferguson përshëndeti për herë të fundit tifozët në “Old Trafford” dhe e bëri në mënyrën e tij, duke fituar. “Djajtë e kuq” mundën 2-1 Swansea falë golave të Hernandezit dhe Rio Ferdinandit, ndërsa për uellsianët shënoi Miçu. “Është e vështirë ta shpjegosh me fjalë se çfarë do të thotë ky klub. Faleminderit stafit, drejtuesve dhe lojtarëve! Ju më keni dhuruar momentin më të mrekullueshëm të jetës sime”, – ishin fjalët e trajnerit gjatë ceremonisë së lamtumirës. Nuk kishte si të mbyllej ndryshe me një “faleminderit të gjithëve”. “Po më rrotullohet mendja, nuk di çfarë të them. Falënderoj Manchester United, klubin që më qëndroi pranë edhe në momentet më të vështira. Nuk mund të mos mendoj as për këtë kampionat të shkëlqyer që djemtë e mi bënë, titullin e fundit”, – vijoi 71-vjeçari, pasi shkeli barin e “Teatrit të Ëndrrave” për herë të 723-të.
Në ndeshjen e tij të 1499 erdhi fitorja e 902-të: “Jam me fat që kam fatin të stërvit lojtarë nga më të mëdhenjtë të Manchester United, këta që shikoni këtu, që kanë fituar titujt. Janë ata pas këtyre sukseseve. Kjo nuk është dita që unë iu jap lamtumirën. Do të jem me ju për të shijuar ndeshjet e ardhshme”. Në fund, legjenda jep dhe mesazhin e një profesori: “U uroj këtyre lojtarëve suksese në të ardhmen. Ju e dini se sa të fortë jeni, dini se çfarë fanelle mbani veshur dhe mos u thyeni kurrë”.
Festa nuk ishte e plotë vetëm për shkak të lënies së Rooneyt në tribunë (ka prishur njëherë e mirë marrëdhënien me skocezin pas kërkesës së dytë për t’u larguar), por Manchester United e nderoi legjendën në fushë edhe pa numrin “10″. Vendosi Rio Ferdinand 3 minuta nga fundi (goli i parë pas 5 vitesh), ashtu si 20 vite më parë, kur sërish një qendërmbrojtës, Geri Palister, shënonte golin e parë të sezonit në ndeshjen e parafundit të kampionatit të parë që fitonte Sir. Alex Ferguson. Për më tepër, Rio u bë shënuesi i 20-të për “djajtë” në titullin e 20-të. Dhe në stol ai festoi si i çmendur, ashtu siç bëri edhe në golin e parë të Hernandezit dhe u dëshpërua për atë të Miçus. Në një ndeshje të tillë nuk mund të kishte kartonë të verdhë, kishte vetëm respekt dhe emocione për lamtumirën e një legjende që, ashtu siç ishte parashikuar, theu traditën dhe ngriti trofeun e Premier Ligës në vend të kapitenit Nemanja Vidiç.
Pas ndeshjes, Ferguson ka zbardhur dhe arsyen përse e la jashtë skuadrës Rooneyn: “Ka bërë një kërkesë transferimi, por ne e kemi refuzuar. Ai duhet ta mendojë edhe një herë, por tani nuk më përket mua të marr më një vendim. Nuk ka qenë i lumtur këtë sezon, sepse është zëvendësuar disa herë. Por ai e kupton përse është zëvendësuar. Përpara ndeshjes me Swonsin nuk e pashë që kishte dëshirë të luante”. Më tej skocezi zbuloi se vendimin për tërheqjen e tij e mori gjatë Krishtlindjeve: “Atëherë e vendosa. Gjërat ndryshuan, pasi kunata ime ndërroi jetë. Kati (bashkëshortja) humbi motrën dhe miken e saj më të ngushtë dhe tashmë mua më duhet të kujdesem gjithashtu për familjen time. Sigurisht që doja të largohesha edhe si fitues. Tifozët duhet ta mbështesin trajnerin e ri”.
Ferdinand gjeti rrugën e rrjetës për herë të parë që prej vitit 2008. Por për stoperin nuk do të ketë më gol më të bukur në karrierë për emocionet që ai barti. “Trajneri meritonte një fitore në ndeshjen e fundit në shtëpi. Fjalimi i Fergusonit ishte diçka personales mes tij dhe skuadrës. Kur mësuam lajmin e tërheqjes u shkatërruam. Por ai na kërkoi të shikojmë përpara”, – tha 34-vjeçari, i cili konfirmoi se do t’i kërkojë bordit dhe Mojesit të rinovojë.
Në epoka të ndryshme, Ferguson ka pasur gjithnjë një lojtar të preferuar. Prej këtij sezoni beniamini i tij ka qenë Van Persie. “E falënderoj! Është një njeri i pabesueshëm. Është një trajner i madh dhe meriton gjithë respektin që po i rezervohet”, – tha Van Persie, i cili pritet vetëm të zyrtarizohet si “Këpuca e Artë” për të dytin vit radhazi javën e fundit. Sot, në orën 17:00, nis festa e titullit. Autobusi gjysmë i hapur do të nisë marshimin për të përfunduar gjithçka në orën 21:00 në sheshin “Albert”.
Edhe për Pol Skollsin ka qenë ndeshje lamtumire ajo e Swansea. Mesfushori 38-vjeçar është zëvendësuar për të rrëmbyer duartrokitjet e “Old Trafford”-it në minutën e 66-të dhe ka dalë nga fusha në lot, përpara se të merrte medaljen e tij të 11-të të kampionit. “Të luaja futboll ishte gjithçka unë ëndërroja. Kam pasur një karrierë të admirueshme në Manchester United dhe ka qenë një nder i madh të isha nën urdhrat e trajnerit më të mirë të të gjitha kohërave. Ishte një privilegj. Kjo skuadër ka organikën për të vazhduar të dominojë edhe nën drejtimin e Devid Mojesit”, – deklaroi legjenda e “djajve”. Ndërsa Ferguson shtoi: “Ishte një privilegj i madh të punoja me të gjatë gjithë këtyre viteve. Ai ka dhënë gjithçka për këtë klub”. Skolls debutoi në Premier Ligë shtatorin e vitit 1994 kundër Ipsuiç Town. Dje ai luajti ndeshjen e 498-të në Premier Ligë. Nga kombëtarja u tërhoq në vitin 2004 pas 66 prezencash.
fer3
fer2
fer1
Soccer - Barclays Premier League - Manchester United v Swansea City - Old Trafford
fer5

Manchester United 2 – 1 Swansea by Immendorff