Me rastin e ardhjes së muajit të shenjtë Ramazan, Forumi Rinor Islam – Dega Shkup realizoi manifestimin tradicional “Mirë se erdhe muaji Ramazan”, manifestim ky i cili realizohet tanimë shumë vite para xhamisë Murat Pashë në Çarshinë e vjetër të Shkupit dhe shënon fillimin e këtij muaji dhe aktiviteteve që janë paraparë nga FRI.

Ky manifestim filloi me leximin e disa ajeteve kuranore nga hafizi Irfan Sulejmani. Para të pranishmëve mbajti një fjalim përshëndetës kryetari i Forumit Rinor Islam, zotëri Fisnik Shabani i cili mes tjerash tha:“Jemi në prag të këtij muaji të bekuar, muaj i cili shënon një akt mirënjohjeje ndaj Dhuruesit të mirësive, një akt përmes së cilit muslimani është i frymëzuar të dialogojë me Krijuesin e tij.”

Gjithashtu përmendi edhe aktivitetet që do të realizohen nga FRI përgjatë muajit Ramazan si: video, iftare, Mbrëmje kuranore, Netët e kulturës islame etj. në disa qytete të Maqedonisë. Në pjesën artistike të kësaj mbrëmje u interpretua monologu “Shfaqu hënë e re e Ramazanit” nga aktori i mirënjohur Arsim Fazlija.

Edhe më shumë u zbukurua me këndimin e ilahive nga vëllezërit Xhemail dhe Sabaatin Nuhiji. Në fund të këtij manifestimi u bë edhe lansimi i fishekzjarreve.