Ka hyrë në fuqi nga mesnata vendimi i Qeverisë së Kosovës për bllokimin e të gjitha mallrave “Made in Macedonia”. Vendimi i tillë i Prishtinës zyrtare erdhi si reagim i masës së Shkupit për aplikimin e taksës për hyrje, që detyron shtetasit e Kosovës të paguajnë në mbërritje nga 2 euro për person, 5 euro për makinë dhe 10 euro për kamionë.
Gjatë ditës së sotme, në përpjekje për të ftohur “gjakrat”, një delegacion i Qeverisë së Shkupit pritet të udhëtojë për në Prishtinë, për të takuar autoritetet e atjeshme.
Nëse nuk tërhiqet vendimi i Kosovës për të bllokuar të gjitha mallrat e Maqedonisë, ekonomia e kësaj të fundit vlerësohet të pësojë humbje disamilionëshe.
Një përllogaritje e thjeshtë me shifrat e fundit të shkëmbimit tregtar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, thotë se Maqedonia mund të dëmtohet me 900 mijë dollarë në ditë.
Nga janari në qershor, kompanitë vendase kanë eksportuar madje 160 milionë dollarë mall në Kosovë, duke e radhitur atë të dytën pas Gjermanisë, si vend partneri numër një përsa i përket shkëmbimit tregtar.
Ngërçi tregtar në mes dy vendeve pasoi vendimin e Shkupit për të ndaluar importin e miellit nga shtetet e CEFTA-s.
Dhe është tani pikërisht masa për taksë që ka aplikuar Shkupi zyrtar, e cila ka precipituar situatën, meqë ajo pengon lëvizjën e lirë dhe dëmton drejtpërsëdrejti qytetarët e Kosovës.
tetova1-zhurnal/