Maqedonia gjendet e kuotuar në vendin e 112-të (68.0), pranë Ganës dhe Afrikës së Jugut, në listën e vendeve që paralajmërohen për një dështim të mundshëm. Disa prej shkaqeve janë pabarazia etnike, paaftësia e shtetit për të mbajtur nën kontroll situatat e tensionuara, korrupsioni, varfëria, emigrimet, e të tjera.
Maqedonia rrezikon fiaskon. Të paktën kështu e klasifikon vendin një raport i Fondit për Paqen, ku e rendit në listën e vendeve që paralajmërohen për një dështim të mundshëm. Maqedonia gjendet e kuotuar në vendin e 112-të (68.0), pranë Ganës dhe Afrikës së Jugut, ndërsa në top-listë renditen vende si Somalia, Kongo, Sudani, apo Çadi. Hulumtimi është kryer nga organizata amerikane “Fondi për Paqe”, e cila punon për të parandaluar konfliktet e dhunshme dhe për të promovuar sigurinë e qëndrueshme. Në këtë listë gjenden gjithsej 178 shtete, ndërsa serioziteti i situatave ku gjenden është klasifikuar sipas kategorive Alarm (e kuqe), Paralajmërim (portokall) dhe Stabile (jeshile). Sektorët më problematikë të Maqedonisë ku merr edhe pikët negative janë disa. Mes tyre numërohet paaftësia e shtetit për të mbajtur nën kontroll situatat konfliktuale dhe të tensionuara mes grupeve. Një tjetër kategori ku Maqedonia ka marrë pikë negative është “elitat e faktorizuara”, përkatësisht momenti kur elitat drejtuese bëhen bllokuese për të arritur fitimet e tyre politike. Zhvillimi i pabarabartë ekonomik është një tjetër shkak, përkatësisht kategoria ku bëhet fjalë për dallimet etnike, religjioze…, përmes të cilave shteti i trajton në mënyrë të pabarabartë shtetasit e vet. Po ashtu, niveli i lartë i korrupsionit dhe varfëria, si dhe tendenca e lartë për të emigruar renditen si shkaktarë të pozicionimit të vendit si pretendent serioz për të shkuar drejt dështimit.
Maqedonia, së bashku me disa vende të rajonit gjendet tek portokallia, ndërkohë që Serbia renditet disa vende para saj, në vendin e 92-të, si dhe Bosnja dhe Hercegovina, në vendin e 83-të, me paralajmërim të lartë për rrezik dështimi. Shtatë vende më poshtë Maqedonisë gjendet edhe Shqipëria, dhe si vende më pak stabile janë Bullgaria dhe Greqia. Në kategorinë “stabile”, renditen disa nga vendet e rajonit, si Mali i Zi (134) dhe Kroacia (135), kurse Sllovenia renditet në vendin e 163. Vendet më të suksesshme janë Finlanda (178), Suedia (177), Norvegjia (176), Zvicra (175) dhe Danimarka (174). Indeksi i vendeve që rrezikojnë dështimin, që publikohet për të nëntin vit me radhë, bazohet në disa faktorë, të tillë si socialë, politikë, ekonomikë dhe ushtarak, por po ashtu janë marrë në konsideratë edhe niveli i varfërisë, respektimi i të drejtave të njeriut, zhvillimi ekonomik, satisfaksioni i qytetarëve, legjitimiteti i shtetit dhe rrethana të tjera që lidhen me të. Në rezultatin final janë përfshirë gjithsej 12 faktorë. Lider në vlerësimin e konflikteve dhe në fushën e paralajmërimit të hershëm, “Fondi për Paqe” përqendrohet në problemet e shteteve të dobëta dhe të dështuara. Objektivi i tyre është që të krijojë mjete dhe qasjet praktike për zbutjen e konflikteve që janë të dobishme për vendimmarrësit./koha/
Categories