Marrëveshje historike, kështu shumica e ndërkombëtarëve e kanë quajtur marrëveshjen e arritur Beograd-Prishtinë. Dikush duhej të “shkonte kurban” për kompromisin i cili të dyja vendeve u hap rrugët për integrimet-euroatlantike. Ndërsa këto të fundit, për një vend si Maqedonia janë shndërruar në një “mision të pamundur” dhe për këtë “Greqia është fajtore”, komentojnë analistët duke marrë si shembull më të mirë të mundshëm të veprimit politik, pjekurinë e Kosovës dhe Serbisë.
“Marrëveshja në fjalë duhet të behët një model i veprimit të politikanëve, posaçërisht për vendet që kanë pasur aq shumë tension mes veti. Politikanët në Maqedoni, flas për ata maqedonas duhet të ndërmarrin një hap të rëndësishëm, atë që e kërkoi edhe Ali Ahmeti por që për fat të keq hasi në moskuptim nga partneri maqedonas. Dhe kjo ishte një shembull se sa qeveria maqedonase mendon në mënyrë konzervative dhe pa vizion evropian” thotë për Portalb, ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin.
Nga lidere e euro-inegrimeve, birë e fundi e kavallit..
Kur vendi mori statusin kandidat për Bashkimin Evropian në 2005-tën e largët, të gjithë ishin të bindur se ajo madje me Kroacinë e cila numëron ditët, do të bëhej anëtare në BE ndërsa Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Serbia, Bosnja nuk ishin askund në skicën evropiane. Por çfarë ndodhi? Tetë vite më pas, pjekuria politike dërgon përpara fqinjët, por jo Maqedoninë, e cila duket se është humbur mes propozimeve të shumta të ndërmjetësit të KB-së për emrin, Matthew Nimetz dhe antikuizimit që “irriton” grekët.
“Vetë fakti që Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje duhet të jetë një shtytje për politikanët e Maqedonisë dhe të Greqisë që të mundohen të arrijnë një kompromis dhe me këtë të tregojnë vetëdije të lartë politike. Sepse asgjë nuk arrihet me inat dhe me muskuj” thotë për Portalb, analisti Albert Musliu.
Por, ja që Gruevski nuk do integrim..
Tani kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski gjendet në një situatë të ngushtë, ai e ka patjetër të lëshojë pe, sepse në Maqedoni, por dhe në Ballkan më nuk jetohet me populizëm dhe nacionalizëm, vlerëson më tej Ruzhin.
Sipas tij, problemi qëndron në mungesën e vullnetit për gjetje të zgjidhjes nga partia maqedonase.
“Gruevski ka krijuar një atmosferë shumë negative për zgjidhjen e çështjes së emrit duke i quajtur tradhtar ata që duan marrëveshje. Por, tani është koha më, që të hapen dyert e NATO-s dhe BE duke zgjidhur kontestin me Greqinë. Mendoj se edhe kontesti jonë mund të zgjidhet në më shumë faza dhe të gjendet një zgjidhje e përbashkët për të dyja palët ”shpjegon Ruzhin.
Tani, gjithë sytë kah Maqedonia dhe Greqia!
Fillimisht u morën vesh Sllovenia dhe Kroacia, tani bashkësia ndërkombëtare kori sukses me Prishtinën dhe Beogradin. Trysnia padyshim për eliminimin e kontestit dy-dekadash, padyshim do të bartet te Athina dhe Shkupi.
“Do të rritet trysnia ndaj Maqedonisë sepse fqinjët tanë do të ecin me hapa më të shpejtë drejtë integrimit në BE. Kam frikë se kjo qeveri e cila e nxiste kokëfortësinë ndaj Greqisë, tani ka ngelur e robëruar situata e krijuar. Për kompromis nevojitet dialog dhe pajtueshmëri të partive politike sepse përndryshe do të kemi kaos në shoqëri. Por një dialog të tillë jo që nuk ka por dallimet mes qeverisë dhe opozitës u bënë ende më të mëdha pas ngjarjeve të 24 dhjetorit. Nëse do të ketë referendum, ai do ti përgatis qytetarët për të pranuar kompromisin” thotë për Portalb, profesoresha e shkencave politike, Mirjana Malevska.
Ajo me pesimizëm theksoi se “Por, mendoj që jemi larg zgjidhjes” .
“Tani argumentet e mos-zgjidhjes së problemit të emrit janë shumë më të vogla për të dyja palët” përfundon analisti Albert Musliu. /PortAlb
Categories