Categories
Lajme FRI

Martesat e Profetit a.s

Jeta martesore e Profetit a.s shpesh është keqinterpretuar nga kritikët e Islamit. Por fatkeqësisht, qëndrimi i vërtetë i Kur’anit në disa raste është keqkuptuar edhe nga dijetarët muslimanë. Në paragrafët vijues do të përpiqemi të shpjegojmë përqasjen Kur’anore mbi këtë çështje.
Për të kuptuar arsyet që qëndrojnë pas martesave të Profetit a.s, është thelbësore të vlerësojmë dy dimensione specifike që i përkasin vetëm personalitetit të tij.
Dimensioni i parë është profetësia. Me të merr fund institucioni i profetësisë. Profetët kanë për detyrë të rigjallërojnë udhëzimin hyjnor dhe ta pastrojnë atë nga të gjitha keqkuptimet dhe dyshimet. Ata e pastrojnë mesazhin hyjnor nga elementët e huaj dhe përmes tij punojnë për të reformuar shoqërinë. Përderisa Muhamedi a.s ishte profeti i fundit, dy kërkesa themelore duhet të përmbusheshin prej tij. Së pari duhej që ai të plotësonte, përfundonte dhe vuloste përmbajtjen e fjalës së fundit të Allahut në mënyrë që ajo të mbetej burimi i vetëm i udhëzimit për të gjithë brezat pasues të njerëzimit. Së dyti, ishte njësoj e nevojshme që ai të edukonte dhe udhëzonte gratë e tij në mënyrë që ato të shndërroheshin në modele sjelljeje për të gjitha gratë. Pra ishte e rëndësishme që të theksohej dhe qartësohej jeta private e Profetit a.s në mënyrë që muslimanët të mund ta ndiqnin edhe në këtë sferë. Duhet të kemi parasysh se me karakterin e tij fisnik Profeti a.s luajti rol kyç në ndryshimin rrënjësor të popullsisë analfabete të Arabisë. Përgjatë misionit të tij të guximshëm, ai u përball me shumë situata të vështira dhe urgjence. Si Profet ai u përqendrua kryesisht në zgjidhjen e problemeve sociale që u shfaqën gjatë këtij udhëtimi të rrezikshëm. Dimensioni i dytë i Muhamedit a.s, përtej të qenit profet, ishte roli i tij si prijës. Detyra e tij nuk ishte thjesht predikimi dhe mësimi i fesë, por edhe vendimmarrja për çështje të rëndësishme që lidheshin me popullsinë ku ai jetonte. Për këtë arsye Profeti a.s ndërmori të gjitha masat që e ndihmonin të arrinte objektivat e misionit të tij hyjnor.
Dy martesat e para të Profetit a.s u formalizuan në kushte normale dhe sipas traditave ekzistuese. Fillimisht ai u martua me një vejushë, Hatixhen r.a, kur ishte në moshën 25 vjeçarë ndërkohë që Hatixhja ishte pothuajse 40 vjeç. Përgjatë 25 viteve në vijim çifti konsumoi një martesë të lumtur dhe Profeti a.s shfaqet në rolin e një bashkëshorti ideal, cilësi të cilën ai e ruajti gjatë gjithë jetës së tij martesore. Pas vdekjes së Hatixhes r.a, Profeti a.s mbeti i vetëm me mbi shpatulla detyrën të kujdesej për fëmijët e vegjël. Si rrjedhim ai u martua me një tjetër vejushë, Saudën r.a, që në atë kohë ishte 53 vjeçe. Arsyeja e kësaj martese, sikurse në rastin e martesës së parë, ishte thellësisht natyrale. Të gjitha martesat e mëpasshme të Profetit a.s u kryen për të përmbushur përgjegjësitë e tij si profet dhe prijës.
Në vitin 622, Profeti a.s migroi në Medinë ku me vullnetin e plotë të popullsisë vendase mori përsipër rolin e prijësit. Martesa e tij me Aishen, vajzën e shokut të tij të shtrenjtë, Ebu Bekrit r.a, ndodhi dy vjet më vonë. Martesa ishte formalizuar ligjërisht disa vite përpara migrimit. Nga kushtet nën të cilat ajo ndodhi mund të themi se kemi të bëjmë me një caktim hyjnor. Për më tepër që shërbimet e kryera nga Aishja r.a për kauzën e Islamit janë të pakrahasueshme. Ajo mund të konsiderohet me të drejtë si autoriteti më i madh Islam pas Profetit a.s. Të gjitha shokët e ngushtë të Profetit a.s konsultoheshin me të për çështje të rëndësishme fetare. Martesa e Profetit a.s me Aishen r.a, dhe më pas me Hafsën r.a, vajzën e Umerit r.a, ndihmuan edhe në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve me dy shokët e tij të ngushtë.
Në vitet e para pas migrimit, shumë gra muslimane kishin mbetur vejusha për shkak se bashkëshortët e tyre kishin rënë dëshmorë në betejat e Bedrit dhe Uhudit. Një pjesë e madhe e tyre duhet të kujdeseshin për fëmijët pa pasur asnjë përkrahje. Ajetet e para të sures Nisa i kushtohen pikërisht këtij problemi dhe sugjerojnë një rrugëzgjidhje për këto gra. Tradita e poligamisë, që në këtë kohë ishte mbizotëruese në Arabi, erdhi në ndihmë për zgjidhjen e këtij problemi. Kur’ani i nxiti muslimanët të martoheshin me këto gra, nëse ishin në gjendje t’i trajtonin të gjitha me drejtësi, duke mos lejuar me shumë se katër martesa. Përderisa Profeti duhet të jepte i pari shembullin për këtë, ai u martua me dy vejusha, Zeineb bint Kuzaima dhe Hafsa bint Umer. Në këtë fazë të jetës së tij ai kishte katër gra, Aishen r.a, Saudën r.a, Hafsën r.a dhe Zeineb bint Kuzaimën r.a. Disa muaj më vonë, Zeineb bint Kuzaima r.a vdiq dhe Profeti a.s u martua me Umu Selemen, bashkëshorti i të cilës ishte martirizuar gjatë betejës së Uhudit. Bashkëshorti i saj, Ebu Selmah, kishte kryer shërbime të shquara për kauzën Islame. Profeti a.s, në zbatim të detyrave të tij profetike,  në vitin e pestë të migrimit u martua me Zeineb bint Jahash r.a. Arseja e kësaj martese mund të kuptohet nën dritën e disa të dhënave të rëndësishme. Islami trashëgoi nga kohët e mëparshme institucionin çnjerëzor të skllavërisë. Në çdo shtëpi kishte skllevër meshkuj dhe femra. Çlirimi i tyre i menjëhershëm, sigurisht që do të kishte rezultuar në trazira të mëdha ekonomike dhe sociale. Për këtë arsye Islami zgjodhi një metodologji graduale të zhdukjes së skllavërisë. Profeti a.s zbatoi një sërë masash në këtë drejtim. Gjithsesi, lirimi i skllevërve nuk ishte problemi i vetëm që priste zgjidhje. Një problem tjetër, akoma më i rëndësishëm, ishte integrimi i plotë i skllevërve në strukturat normale të shoqërisë pasi të kishin fituar lirinë. Duke pasur parasysh ndjenjën e madhe të superioritetit që arabët kishin ndaj skllevërve të tyre kjo ishte një sipërmarrje jashtëzakonisht e vështirë. Për t’i bërë skllevërit të pranueshëm në shoqëri, si pjesëtarë normalë të saj, Profeti a.s ndërmori një hap tejet radikal.  Ai e bindi kushërirën e tij, Zeineb bint Jahash që të martohej me Zejd bin Harisah, një djalosh skllav të cilit Profeti a.s i kishte dhuruar lirinë dhe e kishte rritur si djalin e tij. Martesa u krye, por fatkeqësisht, për disa arsye vazhdimësia e saj e bë e pamundur dhe Zejd bin Harisës iu desh të divorcohej nga gruaja e tij. Pas zgjidhjes së papritur të martesës, e vetmja gjë që mund të ngushëllonte Zeinebin r.a ishte martesa me Profetin a.s. Për më tepër ishte i nevojshëm edhe reformimi i një zakoni shoqëror të padrejtë në lidhje me fëmijët e adoptuar. Sipas këtij zakoni, arabët i konsideronin djemtë e adoptuar si të barabartë me fëmijët që kishin nën kujdestari. Sigurisht që ky zakon ishte në kundërshtim me natyrën njerëzore dhe duhej të shfuqizohej. Megjithatë, ai ishte aq thellë i rrënjosur në traditën arabe saqë vetëm Profeti a.s zotëronte personalitetin e duhur për ta çrrënjosur. Si rrjedhim, me kërkesë të të Gjithëpushtetshmit, Profeti u martua me të. Duke vepruar kështu, ai jo vetëm që i ofroi asaj përkujdesje, por shfuqizoi edhe një zakon të padrejtë. Në këtë mënyrë, për Profetin a.s,  rregulli normal i martesës me vetëm katër gra u zgjerua nga i Gjithëfuqishmi në mënyrë që ai të kryente me efektivitet përgjegjësitë e tij si profet dhe prijës.
“O ti Pejgamber, Ne t’i kemi lejuar gratë, të cilave u ke dhënë shpërblimin e kurorës, dhe ato që me ndihmën e All-llahut hynë në posedimin tënd (robëreshat e luftës) dhe bijat e axhës tënd, bijat e hallave tua, bijat e dajës tënd, bijat e tezeve tua (të janë lejuar, pos grave me nikah dhe të afërtat), të cilat kanë migruar (kanë bërë hixhret) si ti, dhe një grua besimtare nëse ajo ia falë veten Pejgamberit dhe nëse Pejgamberi dëshiron të martohet me të (një martesë e tillë pa shpërblim të nikahut) duke qenë kjo (rast) vetëm për ty e jo edhe për besimtarët. Ne e dimë se ç’u kemi bërë atyre obligim rreth grave të tyre dhe rreth atyre që i kanë në pronësinë e vet, ashtu që ti të mos kesh vështirësi, e All-llahu është që falë shumë, është mëshirues.
Ti je i lirë të lëshosh atë që don prej tyre dhe të mbash pranë vete atë që don, e edhe të kërkosh afrimin e asaj nga e cila ke qenë larguar, dhe nuk ke mëkat. Kjo është më së afërmi që ato të qetësohen shpirtërisht e të mos brengosen dhe të jenë të kënaqura me atë që ti ua ofron të gjitha atyre. All-llahu e di çka mbani në zemrat tuaja, All-llahu është më i dijshmi, më i buti.
Prej tash e mbrapa ty nuk të lejohen më gra (të tjera) e as në vend të tyre të marrësh ndonjë tjetër, po edhe sikur të të mahnisë bukuria e tyre, përveç atyre që i ke në posedim (robëreshat), All-llahu është përcjellës ndaj çdo sendi.” (33: 50-52)
Një analizë e shkurtër e ajeteve të lartpërmendura shpërfaq dy elementë të rëndësishëm. Pikësëpari mbi Profetin a.s ishin vendosur dy ndalime; ai nuk mund të martohej me gra që i përkisnin një sfere të ndaluar nga Kur’ani dhe nuk mund të ndahej nga ndonjëra prej grave të tij për t’u martuar me një grua tjetër. Sipas përcaktimit Kur’anor ai mund të martohej vetëm nëse gruaja i përkiste njërës prej tre kategorive të mëposhtme.
i)                    Ishte zënë rob gjatë luftimeve.
ii)                   Kishte migruar nga Meka me Profetin a.s dhe kishte lidhje gjaku me të.
iii)                 Dëshironte t’i dhuronte shpirtin Profetit a.s me kusht që ai të dëshironte të martohej me të.
Së dyti, përderisa martesat kryheshin për të realizuar një qëllim të veçantë, të gjitha kufizimet që përgjithësisht vlejnë për meshkujt e tjerë dhe që lidhen me përballimin e disa martesave njëkohësisht u shfuqizuan. Si rrjedhim, ai ishte i çliruar nga detyrimi për t’i përkushtuar kohë dhe përkujdesje të barabartë të gjitha grave të tij.
Pas njoftimit Kur’anor për përjashtimin që i takonte Profetit a.s, ai u martua me Umi Habibën r.a, Safijen r.a dhe Xhauarijen r.a. Të treja ato ishin vajza të prijësve kurejshë dhe qëllimi i martesave ishte zbutja e toneve të rivalitetit me kurejshët. Duhet të ngulisim në mendje se shoqëria arabe kishte natyrë feudale dhe mbështetej në zakonte që sot tingëllojnë të çuditshme. Një traditë e tillë ishte respekti ekstrem që arabët tregonin për dhëndurët e tyre. Disa fise ishin në paqe me fiset e tjera thjesht dhe vetëm për shkak të kësaj tradite. Të luftoje me dhëndurët ishte turp i madh për to. Për këtë arsye martesa me gra nga fise të ndryshme ishte mënyra më e mirë për t’i dhënë fund armiqësive.
Umi Habiba r.a ishte vajza e Ebu Sufjanit, xhaxhait të Profetit a.s dhe një nga armiqtë e tij më të betuar. Ajo kishte emigruar në Abisini për t’i shpëtuar barbarisë së kurejshëve. Atje bashkëshorti i saj pranoi fenë e krishterë dhe ajo mbeti e pambrojtur. Profeti a.s u martua me të dhe si rrjedhim Ebu Sufjani e pati thuajse të pamundur të vazhdonte armiqësinë e tij me Profetin a.s. Përfundimisht, pas çlirimit të Mekës ai pranoi Islamin.
Fisi i Xhauarijes i quajtur Beni Mustalik grabiste kalimtarët në rrugëkalimet më të rëndësishme të kohës. Profeti a.s i shpalli luftë dhe arriti ta mposhtë. Një numër i madh i pjesëtarëve të fisit u kapën rob. Mes tyre ishte edhe Xhauarija, vajza e prijësit të fisit. Profeti a.s u martua me të duke zhbërë farën e armiqësisë me to.
Në betejën e Hajberit, pasi me forcat armike ishte arritur traktati i paqes, muslimanët gjetën gjatë rrugës Safije bin Hujenë, një vejushë që i përkiste një familjeje aristokrate por që kishte mbetur papërkrahje. Babai i saj, Huje bin Akhtab, një nga prijësit më të famshëm çifutë ishte vrarë në betejën e Kuraizës. Profeti a.s e la atë të lirë dhe i ofroi mundësinë që të kthehej në shtëpinë e saj ose të martohej me të nëse dëshironte. Safija shprehu kënaqësinë e saj që të martohej me Profetin a.s. Martesa rezultoi shumë e efektshme në zbutjen e armiqësive me hebrenjtë.
Pas çlirimit të Mekës, në vitin e 18-të të migrimit, Profeti a.s u martuam me Meimunën r.a, e cila vendosi t’i dhuronte atij shpirtin e saj. Dëshira e saj e vetme ishte që ta kalonte jetën në prani të Profetit a.s.
Bazuar në faktet e mësipërme mund të gjykojmë me lehtësi se martesat e Profetit a.s kishin si qëllim realizmin e misionit të tij si profet dhe prijës. Pikërisht për këtë arsye atij iu përcollën udhëzime të posaçme nën dritën e të cilave mund të kuptohen arsyet e vërteta të këtyre martesave.
Burimi: islamcity.com
http://www.profetimuhamed.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version