Cilitdo populli që t’i ketë ndodhur fenomeni i konvertimit fetar, shënon një nga ngjarjet më destabilizuese dhe me pasoja të qenësishme për të ardhmen e tij; dimensioni fetar i një popull njëkohësisht është edhe një prej elementëve formëzues të identitetit të tij, ndaj të debatosh shkencërisht këtë problem, kërkon kompetencë të lartë…
Problemi i konvertimit fetar paraprakisht kërkon një qasje metodologjike të plotë, e cila duhet t’i japë përgjigje shumë aspekteve dhe jo vetëm atij historik. Qasja metodologjike që studiuesi përzgjedh për hulumtimin e një problemi madhor, së pari, veçon një studiues amator nga një profesionist, por, në masë dërrmuese, paragjykon edhe kualitetin e punës së një studiuesi profesionist. Kurse një punim serioz shkencor mbi konvertimin fetar të shqiptarëve, duhet së pari, t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve që një lexues i kualifikuar ka në kokën e tij, pavarësisht bindjeve ideologjike; dhe së dyti, të shërbejë si bazament i fortë për studime më të thelluara që e ardhmja do të kërkojë.
Giuseppe Valentini, në vitet e Luftës II Botërore, trajtimin e historisë fetare të shqiptarëve e gjeti krejt të pamjaftueshëm. Sipas këtij albanologu të njohur, kishte shumë për të bërë në këtë fushë, duke filluar qysh nga grumbullimi i burimeve dokumentare, që i përkasin Mesjetës dhe periudhës osmane, kryesisht në arkivat italiane dhe ato osmane, por edhe dokumentet që gjendeshin në kishat dhe xhamitë e Shqipërisë.
Principet metodologjike në studimin e konvertimit fetar gjatë sundimit osman janë aq të rëndësishme, sa po t’i hedhësh një sy studimeve mbi këtë fenomen, të kryera nga historianë të vendeve të ndryshme të Ballkanit, por që ndanin të njëjtin sistem politik gjatë gjysmës II të shek. XX, do të vërejmë se metodologjia marksiste që sundonte në studimet e tyre, e eleminoi tërësisht problemin e dallimeve nacionale. E thënë më shkoqur, mes Selami Pulahës (Shqipëri), Nedim Filipoviç-it (Bosnjë) dhe Antonina Zhelyazkov-ës (Bullgari) nuk ka dallime thelbësore metodologjike, pasi, ndonëse i përkisnin nacionaliteteve të ndryshme, ata operuan me principet e metodologjisë marksiste.
Ndërsa sot e kemi luksin të flasim për këtë fenomen, që ka të bëjë direkt me çështje të identitetit të shqiptarëve. Duhet kujtuar se para vitit 1990, në Shqipëri feja ishte e ndaluar dhe për rrjedhojë edhe studimi i historisë fetare të shqiptarëve ishte e ndaluar, ndaj sot është e vështirë të flasësh për kontribute gjithëpërfshirëse dhe shteruese në këtë fushë.
Krahasuar me konvertimin nga paganizmi në Krishterim, konvertimi masiv i shqiptarëve në Islam ka një avantazh të madh: ndërsa për konvertimin e shqiptarëve në Krishterim, të dhënat janë shumë sporadike, aq sa mund të thuhet se janë fare të pakta dhe jo sistematike. Konvertimi i tyre në Islam është një proces historik, tërësisht i dokumentuar. Pra, në rastin e islamizimit të shqiptarëve sot, kemi shansin të përdorim gjerësisht burimet osmane, tek të cilat gjejmë të dhëna si statistikore, ashtu edhe të natyrave të tjera. Por për të ndriçuar këtë proces, ne sot kemi në dispozicion edhe raporte të hartuara nga misionarë të krishterë dhe udhëtarë të ndryshëm perëndimorë, të cilat mund të thuhet se së bashku me dokumentacionin osman e plotësojnë mjaft mirë panoramën e këtij procesi.
Duke qenë proces mirëfilli konvertimi fetar, procesi i islamizimit na jep mundësinë të shohim edhe se cili është qëndrimi që shqiptarët mbajnë ndaj fesë; pra, sa i rëndësishëm është komponenti fetar në jetën dhe aktivitetin e tyre; në çfarë kushtesh shqiptarët e gjykojnë lënien e një feje dhe kalimin në një tjetër si rrugë kompromisi, apo mbijetese; a ishte konvertimi një fenomen, i cili ndodh për arsye doktrinore, apo ishte një rrugë pragmatike për t’i siguruar vetes një jetë më të mirë dhe një shkallë integrimi më të lartë në strukturat e perandorive botërore ku ata kanë bërë pjesë dhe sa ky fenomen ka tentuar të cenojë etnicitetin e tyre. Pra, duke zbuluar arsyet e konvertimit të shqiptarëve në Islam, krahasuar edhe me fqinjët që përjetuan të njëjtat kushte historike, ne mund të heqim paralele edhe për qëndrimin tradicional dhe kushtet historike, në të cilat shqiptarët pranojnë një fe të re. Duke qenë se subjekti i islamizuar janë shqiptarët, po aq sa historia nën shqyrtim, nën analizë duhet vendosur edhe natyra, mënyra e jetesës, zakonet, doket e traditat e tyre, pra ata elementë që shqiptarët i bëjnë të ndryshueshëm në aspektin fetar, por të ndryshëm edhe nga fqinjët e tyre, që i rezistuan presionit të islamizimit.
Fenomeni i konvertimit fetar, cilido qoftë ai, dashur pa dashur, duhet të analizojë edhe vendin që besimi zë në sistemin mendor shqiptar, e cila nga praktika e përditshme vërehet se konservon mbetje të dukshme pagane. Pra, krejt natyrshëm lind pyetja: a kanë pasur si Krishterimi, ashtu edhe Islami ndikim krejt sipërfaqësor, pa influencuar dukshëm mbi format pagane të besimit të shqiptarëve? Studimi i historisë fetare të shqiptarëve, si ajo e krishterë ashtu dhe ajo islame, patjetër që duhet t’i japë përgjigje edhe një pyetjeje të tillë.
Një qasje e tillë kërkon një njohje shumë të mirë, si të historisë islame, ashtu edhe të asaj të krishterë, pasi islamizimi i shqiptarëve duhet perceptuar jo vetëm si proces konvertimi masiv në Islam, por edhe si një proces erozioni i feve dhe besimeve paraislame në Shqipëri. Në këtë kuadër, historia e Krishterimit në përgjithësi dhe ajo në viset shqiptare në veçanti, gjatë shek. XV-XX, është e një rëndësie të dorës së parë, edhe për studimin e islamizimit. Studimet për Krishterimin, në mënyrë të pashmangshme janë edhe arena vlerësimesh për natyrën e fesë islame, por edhe për karakterin e shtetit osman dhe rolin e peshën që Islami ka pasur në politikat e kësaj perandorie. Duhet theksuar, se metodologjikisht Krishterimi përbën anën tjetër të medaljes, kur bëjmë fjalë për konvertimin e shqiptarëve në Islam.
Por njohja e historisë së Krishterimit katolik dhe ortodoks në viset shqiptare, është e domosdoshme edhe për një arsye tjetër: kur Islami erdhi në viset shqiptare, ai nuk e gjeti terrenin bosh, aty kishte një situatë fetare me veçoritë e veta. Pa asnjë mëdyshje mund të thuhet, se Islami me osmanët për herë të parë erdhi në viset shqiptare në mënyrë të organizuar, çka do të thoshte se ndryshe nga kontaktet e mëparshme, ai tashmë erdhi me synimin për t’u vendosur gjatë në këtë pjesë të Ballkanit, ashtu si edhe sundimi politik i shtetit osman. Fenomeni i përhapjes së Islamit mes shqiptarëve duhet patjetër të analizohet si një problem me dy dimensione kohore: së pari, periudha paraislamike, çka shpjegon terrenin e favorshëm ku Islami u përhap dhe së dyti, periudha osmane me faktorët e ndryshueshëm nga shekulli në shekull.
Në rastet e konvertimeve fetare dhe për më tepër kur bëhet fjalë për atë të popujve që janë nën juridiksionin e formacioneve politike perandorake, duhet marrë në konsideratë edhe dimensioni fetar i politikave afatgjata perandorake, por edhe roli i perandorëve apo sulltanëve. Një vëmendje e veçantë u duhet kushtuar edhe përplasjeve të fuqive europiane në Ballkan, të cilat edhe ndryshonin konjukturën ekzistuese ndërkombëtare. Këto përplasje, jo rrallë edhe nga palët motivoheshin si përplasje qytetërimesh me bosht fetar.
Në rastin e fenomenit të islamizimit, në trajtimet e deritanishme, shqiptarët, më së shumti janë parë vetëm si viktima, ndërkohë që duket logjikisht e vështirë, se ndryshimi i strukturës fetare të shoqërisë shqiptare gjatë periudhës osmane të shpjegohet vetëm me protagonizmin e palës sunduese. Siç edhe vetëkuptohet, fenomeni i konvertimit në Islam duhet konsideruar si një proces i shtrirë në kohë dhe me shumë faktorë, komponentë e protagonistë.
Në studimet e derisotme mbi Islamin jo vetëm në viset shqiptare, por edhe në përgjithësi për fenomenin e përhapjes së Islamit në botë, i është dhënë shumë pak vend asaj se çfarë thotë doktrina islame mbi konvertimin dhe cili është qëndrimi që teoria islame ofron për komunitetet jomyslimane, qofshin këto monoteiste apo politeiste. Këtu duhet të vëmë në dukje se Islami ka pjesë të teorisë së vet të përpunuar në shekuj “Doktrinën islame mbi luftën dhe paqen”, e cila i jep shpjegim shumë veprimeve të kryera nga osmanët. Nuk duhet anashkaluar fakti që Islami është feja e vetme monoteiste, e cila pranon ekzistencën e komuniteteve jomyslimane brenda territoreve ku shteti islamik ka vendosur sundimin e vet. Me këtë fakt shpjegohet edhe realiteti i sotëm, pse ne kemi jo pak komunitete ortodokse dhe katolike në Ballkan, megjithëse ato jetuan për 500 vjet me radhë nën sundimin e një shteti islam.
Mosnjohja e doktrinës islame i lë shteg keqinterpretimeve, të cilat shtrihen në shumë fusha dhe kanë efekt domino edhe në shpjegimin e Islamit në viset shqiptare. Së pari, ajo do t’i ofronte një përgjigje formulimit të ndryshueshëm, sipas të cilit shqiptarët u konvertuan ose me dhunë ose vullnetarisht, formulime që nga qarqe me bindje të ndryshme fetare dhe ideologjike fatkeqësisht nuk kanë çuar në sqarimin shkencor dhe përfundimtar të problemit, por edhe në sqarimin e opinionit të gjerë publik, sesi ndodhi me të vërtetë procesi i islamizimit të shqiptarëve. Të dyja formulimet e mësipërme janë gjykime ekstreme dhe shkencërisht naive, ndaj ato veçse e paragjykojnë atë se çfarë ndodhi realisht.
Pavarësisht se bëhet fjalë për konvertimin në Islam, një njohje shumë të mirë kërkon edhe Doktrina e Krishterë për të njëjtin problem, ashtu edhe institucioni i kryqëzatës. Vetëm kështu mund të përcaktohen qartë dimensionet e rezistencës dhe të konvertimit fetar të shqiptarëve gjatë periudhës osmane.
Kalimi masiv i shqiptarëve në Islam ndodhi gjatë shekujve të sundimit osman, pra vetëm pasi osmanët kaluan Dardanelet. Në këtë kontekst duhet analizuar se cili është vendi i kësaj perandorie të fundit islame, në kurbën e zhvillimit të fesë dhe qytetërimit islam. Është e vërtetë që Islami nuk është fe turke, por një fe universale, por këtu duhet të kemi parasysh një fakt të pamohueshëm, që feja islame në viset shqiptare mbërriti me të gjitha karakteristikat dhe veçoritë që mbartte Islami turk. Ky Islam, i cili erdhi nga Anadolli, më pas ngjizi në vetvete edhe shumë nga traditat dhe trajtat zakonore lokale të shqiptarëve, duke formëzuar atë që sot mund ta quajmë modeli shqiptar i Islamit, i cili nuk është gjë tjetër veçse një variacion lokal i një feje universale.
Qasja e këtij problemi me standardet metodologjike bashkëkohore është edhe rruga e vetme që do të çojë realisht drejt zbulimit të shkaqeve të konvertimit shqiptarëve, ku thelbësore qëndron përgjigjja që do t’i jepet pyetjes: a janë shqiptarët fanatikë të një doktrine fetare, apo përdorues të faktorit fetar si një instrument për të garantuar ekzistencën e tyre?
Categories