Categories
Dita Botërore e Mbulesës Lajme FRI

Mbulesa, ajo që ringjalli zemrën time

Minever Toçi, studente

14 maj 2013, ishte dita kur zemra ime u ringjall, dita kur mu hapën sytë e fillova të shoh jetën siç duhet. Mësova se për të qenë mbretëreshë, patjetër duhet ta keshë një kurorë mbi kokë, e cila ty të jep nder e të bën shembull për të tjerët.

Një kohë mjaft të gjatë rrotulloheshte nëpër kokën time ajeti:

O Pejgamber, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë e veta mbi trupin e tyre.”

Ato ditë nuk bëja asgjë tjetër veçse mendoja. Isha duke përfunduar së lexuari librin “Gruaja në Kur’an”. Shumë mendime rrotulloheshin e ndesheshin mes vete ashtu njëjtë si valët e detit, kurse shpirti im nuk ishte i qetë. Sa doja të qetësohesha, por ato valë nuk ndaleshin çdo çast e më shumë bënin zhurmë…

Të gjithë më thoshin: Je një vajzë e mirë. Në shkollë isha me sukses të shkëlqyer, mirëpo sërish unë nuk ndihesha mirë, nuk isha e kompletuar, brenda vetes ndieja një mungesë, një zbrazëtirë të madhe, por asesi nuk mundesha të marr guximin ta plotësoj atë boshllëk. Ajo që më mungonte ishte KURORA, MBULESA IME.

Kishte vite që mendoja ta marr guximin ta plotësoj këtë kusht, por zemra nuk më thoshte të vendos. Ndonjëherë thosha duhet ende të lexoj, ende të ndjek ligjërata; e ndonjëherë ai i mallkuari më fuste në kokë atë që, nëse marr këtë hap do t’ia mbyll vetes shumë dyer.

Mendime të këtilla silleshin vërdallë në kokën time një kohë të gjatë… Kur më flisnin prindërit, familja e të tjerët për këtë çështjen e mbulesës, çdoherë ua ndërroja temën, edhe pse e kisha shumë të vështirë. Ndërkaq, një natë unë isha ajo e cila e hapa këtë temë. Ua tregoja mendimet që tani më disa ditë nuk më largohen nga mendja e s’më lënë të qetë. Isha gati për të marrë vendim, vetëm edhe pak më duheshte. Në ato momente isha si një dru i tharë mirë, të cilin për ta djegur mjafton vetëm një letër t’ia fusësh.

Nëna ishte ajo e cila e para mori fjalën e më tha: “Bijë eja në vete, hiqi këto mendime nga koka jote. A e di që kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij është larguar shumë larg të vërtetës?”

Pastaj gjyshja vazhdoi: “Eh moj bija ime, Allahu na ka urdhëruar për çdo vepër të mirë e na ka ndaluar e larguar nga çdo vepër që është e dëmshme për ne. Ti dhe unë jemi robëresha të krijuesit e me këtë KURORË bëhemi Mbretëresha të krijesave”.

Pas kësaj bisede të shkurtër pas shumë atyre ditëve që po mendoja erdhi momenti i së vërtetës. Jeta ime filloi të lulëzojë. Që nga ai moment mendimet që kisha më parë dita ditës filluan të bien poshtë. Më parë mendoja që mbulesa më pengon gjatë rrugës së suksesit, por pasi vendosa dhe e vura atë me zemër mbi trupin tim, unë hapa derën e së vërtetës. Ai ishte viti i hapave të para të sukseseve të mia. Po atë vit arrita të botoj librin tim të parë “Vargjet që flasin”. Atëherë për mua lindi drita e humbi errësira, e cila me vite më kishte verbuar, kurse ëndrrat e mia një nga një filluan të bëhen realitet. Vetëm fjalët e Allahut ishin ato që më qetësonin shpirtin nga zhurma që shkaktonin valët e detit më parë: “Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.” Pas vështirësisë, me të vërtetë, vjen lehtësimi.

Elhamdulilah, Ja Allah sa i Madh e sa i Mëshirshëm që je, më dhe shumë shpejt dëshminë e parë, që një vajzë e mbuluar është e lirë, nuk e pengon asgjë e nuk mund ta ndalojë askush në rrugën e suksesit, sepse është e vërtetë se ajo e ka kokën e mbuluar, por trurin e ka të zhvilluar.

Mbulesa ime, jeta ime, dashuria ime dhe stili im.

Exit mobile version