Disa e perceptojnë si simbol të dhunës e poshtërimit, të tjerët si çoroditje dhe shëmtim të femrës. Por ka edhe nga ata që e konsiderojnë si akt profitabil, që bartëseve të saj u sjell të mira materiale! Kjo e fundit ngjan si fenomen shqiptar, të paktën deri më sot nuk kam dëgjuar që edhe në vende të tjera të kritikohet mbulesa në këtë formë.
Fakete Rrahimi
Në vazhdën e kritikave që i bëhen Islamit, është bërë tashmë rutinë të konsideruarit e shamisë si një nga ato pikat e “dobëta” të kësaj Platforme Hyjnore.
Në çdo debat apo diskutim që bëhet rreth Islamit dhe muslimanëve, është pothuajse e pashmangshme që në atë mes të mos jetë e rrahur me tone kritike edhe çështja e mbuleses.
Disa e perceptojnë si simbol të dhunës e poshtërimit, të tjerët si çoroditje dhe shëmtim të femrës. Por ka edhe nga ata që e konsiderojnë si akt profitabil, që bartëseve të saj u sjell të mira materiale! Kjo e fundit ngjan si fenomen shqiptar, të paktën deri më sot nuk kam dëgjuar që edhe në vende të tjera të kritikohet mbulesa në këtë formë. Mbase ata tashmë janë të vetëdijshëm që duket hapur se cila rrugë, apo cili stil veshjeje është fitimprurës. Nuk do shumë mund për ta kuptuar një gjë të tillë. Mjafton ta shofim se kush stimulohet për dukje vazhdimisht si nga mediat, revistat apo kompanitë e ndryshme, dhe këtu kuptohet çdo gjë. Ajo që duhet sqaruar është se; nëse dikush pranon të ushqehet me nderin dhe dinjitetin e vet, ajo më së paku mund të jetë një besimtare muslimane.
Pyetja më e shpeshtë që na bëhet neve si bartëse të mbulesës është: Mirë, mbulesa e trupit arsyetohet disi, por ç’keni me kokën? Mos vallë edhe koka është turp? Bërësit e kësaj pyetjeje gjithsesi kanë një përgjigjje: Nëse mbulimi i trupit të jep komoditet dhe siguri, mbulimi i kokës te ofron autoritet dhe dinjitet. Nëse nuk ju bind ky pohim i imi, atëherë t’ia hedhim një vështrim kostumit të ceremonisë së diplomimit. Kushdo që e ka përjetuar këtë moment mjaft të veçantë në jetën e tij, është dëshmitar që në atë event që organizohet si kurorëzim i një suksesi profesional dhe ngritjes intelektuale të një grupi të caktuar, duhet të vishet një kostum i veçantë, pjesë përbërëse e së cilit është edhe një kapelë. Çfarë sinjalizon ky kostum që përbëhet nga një mantelë dhe një kapelë? Siç e dimë profetët nuk lanë trashëgimi dinarë apo derhem, trashëgimia e tyre është dija. Andaj njerëzit me apo pa vetëdije duan që të paktën në ditën e diplomimit t’u ngjajnë baballarëve të dijes, përmes manteles si lloj xhybeje dhe kapelës si lloj tërlemeje (apo sido që është quajtur në kohën e profetëve mbulesa e kokës).
Ndoshta nuk janë të njëjta tërësisht si formë apo model, ngase gjatë kohës kanë evoluar modelet, por në substancë janë tërësisht e njëjta gjë. Nga këtu kuptojmë që veshja e gjatë dhe mbulimi i kokës është kostum i të autoritetshmëve dhe dinjitetshmëve, e në asnjë mënyrë e kundërta e saj. Kushdo që mendon se lakuriqësia sjell progres kurse mbulesa prapambeturi, mjafton t’a bëjë një krahasim mes kësaj ceremonie dhe tablove që na shfaqen në TV nga fiset primitive, dhe përgjigjigjja është e qartë. Siç është i qartë edhe citati kur’anor që obligon mbulesën për të njëjtën arsye: “O ti Pejgamber, thuaju grave tua, bijave tua dhe grave të besimtarëve le t’i vënë shamitë e veta mbi trupin e tyre, pse kjo është më afër që ato të njihen (se nuk janë rrugaçe) e të mos ofendohen. Allahu fal gabimet e kaluara, Ai është Mëshirues.”(Ahzab:59)
Siç e shohim Islami e nderoi femren me mbulesë, por janë të tjerët që përpiqen t’ia shkatërrojnë paqen shpirtërore dhe zhvillimin intelektual të saj. Njërën përmes shpifjeve e akuzave, kurse tjetrën dhe më të rënden përmes largimit nga shkolla. E që në të ardhmen t’i identifikojnë alfabetët përmes mbulesës, dhe nga këtu t’u shtohet një mundësi kritike më tepër ndaj Islamit dhe të drejtave dhe lirisë së femrave në të.
Pretekstet që përdorin për pëjashtimin e tyre nga shkolla janë nga më banalet. Nganjëherë shfaqen si më të rreptë duke thënë se shkolla është laike dhe nuk pranon nxënës të indoktrinuar me ngjyrime fetare, ngase sipas tyre kjo do ta kërcënonte këtë sistem. E herë të tjera shfaqin anën “emotive” të tyre se kinse po prengosen për pamjen e fëmijëve muslimanë. Se ajo shami në kokë nuk po i lejoka ata të jenë tamam fëmijë.
E para, shamia nuk cenon laicitetin e shkollës, se po të ishte kështu, atëherë ajo nuk do të lejohej të ishte prezente as ne Universitete, të cilat poashtu janë laike.
Kurse pretendimi i dytë ngërthen në vete dy paradokse: atë të moshës, dhe atë të përgjegjësisë. Maksima e tyre “Lërini të jenë fëmijë” është sa tendencioze aq edhe relative, sepse të gjithë e dimë që ditëlindja e tetëmbëdhjetë nuk pasyron realitetin përcaktues të moshës së pjekurisë. Eshtë thjesht ligj konvencional që shumë leht mund të ishte 13.,.,.17, por edhe po të jetë vërtet kështu, një pyetje e madhe që nrihet këtu është: Kush e ka të drejtën dhe përgjegjësinë ligjore për të zgjedhur për fëmijët? Këtë të drejtë nuk e ka shteti. Nuk e ka as ministri i arsimit, e as mësuesi apo arsimtari. Kjo e drejtë iu takon ekskluzivisht prindërve të tyre që i kanë sjellë në jetë. Ata vendosin se ç’është e dobishme apo e dëmshme për ta. Dhe kjo përgjegjësi përveç që është morale dhe shoqërore, është edhe civile, sepse taksat që dalin nga pagat e prindërve të fëmijëve të këtij vendi paguajnë për këto shkolla publike që shteti ofron.
Andaj ata ministra që bëjnë ligje për përjashtimin e nxënësve nga shkolla, dhe ata drejtorë apo arsimtarë qe ua mbyllin derën me shumë lehtësi, nuk duhet harruar që sponzoriuesi i shkollave publike nuk është shteti, por është qytetari taksapagues. Andaj nga e marrin këtë të drejtë ata?
Të gjitha këto sfida dhe shumë të tjera të pacekura, muslimanja e mbuluar duhet t’i kalojë e palëkundur dhe me ballin lart. Edhe pse nuk është fare e lehtë, sepse t’ia asgjësosh dikujt të përshpirtshmën, t’ia bësht të pavlerë një ndjesi shpirtërore, është forma më e lartë e njohur e presionit. E këtë ndjesi ajo po e përjeton sistematikisht, por ende vazhdon me qenë krenare me zgjedhjen e saj. Dhe do të vazhdojëtë mbetët e tillë përderisa të jetë e vetëdijshme që vlera e shamisë së saj është e pakonkurencë, që nuk ekziston vlerë tjetër që do të mund ta zëvendësonte atë. Siç nuk njeh konkurencë mbretëresha në vlerën e kurorës së saj. Imagjinoni t’i sygjerohet mbretëreshës heqja e kurorës në këmbim të disa bomboneve a karameleve. Absurditet i dendur!
Categories