Kombet e Bashkuara do të bëjnë një përpjekje të fundit për të zhbllokuar bisedimet e paqes për Sirinë në Gjenevë.

 
I dërguari i Posaçëm i OKB-së për Sirinë, Lakhdar Brahimi do të takohet me të dyja palët ditën e shtunë. Bisedimet ngecën pas akuzave të ashpra të dy palëve në konflikt dhe qëndrimit të Damaskut zyrtar ndaj kërkesave të rebelëve, duke i quajtur ato si joreale.
Kërkesa kryesore e opozitës së armatosur është mospërfshirja e presidentit Bashar al-Assad në një kabinet të mundshëm qeveritar të tranzicionit.
Më herët, Brahimi tha se kishte marrë garancinë e përfaqësuesve amerikanë dhe atyre rusë se do të përpiqeshin të influenconin për zhbllokimin e situatës.
Megjithatë pritjet janë të ulëta. Ajo që shpreson OKB është që palët të ulen sërish në bisedime, ndërkohë që në Siri takimet shikohen si të padobishme.
E vetmja marrëveshje mes palëve në bisedimet e fundit ishte ajo për të lejuar ndihmat dhe zhvendosjen e civilëve nga qyteti i Homsit, i shndërruar prej muajsh në fushëbetejë mes forcave opozitare dhe atyre qeveritare.
Mbi 130 mijë persona kanë gjetur vdekjen që nga nisja e konfliktit në 2011 dhe afro 10 milion të tjerë kanë lënë banesat e tyre, pjesa më e madhe brenda territorit të vendit dhe të tjerë në vendet fqinje, kryesisht Turqi, Liban, Jordani dhe Irak. /Top Channel/