Në Nurenberg të Gjermanisë u mbajt para dhjetë ditësh, ekzaktësisht më 18 maj 2013, Kuvendi i pestë i UIAZD-së, ku të pranishëm nga kryesia ishin kryetari Laurent Ibra, sekretari i Përgjithshëm Besnik Rama, arkëtari Baki Mustafa dhe anëtarët e kryesisë efendi Sevgani Asani dhe efendi Mensur Halili.
Në këtë mbledhje të Unionit të Qendrave Islame në Ballkan u diskutua gjerësisht për veprimtarinë e mëtutjeshme të kësaj bashkësie islame, si dhe për projektet e ardhme.
Përpos diskutimit për bilancin e punës së vitit të shkuar dhe të tanishëm, u vendos edhe pranimi i anëtarë të rinj në këtë union (7 qendra iu bashkuan këtij unioni), haxhi i këtij viti dhe disa projekte të rëndësishme, ku si përherë kjo bashkësi e madhe islame kontribuon në shërbim të nevojave të myslimanëve dhe integrimit të mëtejshëm të tyre.
UIAZD-ja prej shumë vitesh po punon për integrimin e shoqërisë shqiptare e njëkohësisht për mbrojtjen e fesë islame dhe kulturës shqiptare tek shqiptarët që jetojnë e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Gjermani. Në UIAZD numërohen dhjetëra shoqata të ndryshme, nën statusin e anëtarit në këtë union të gjerë.
Në Kuvendin e pestë të UIAZD-së vend të veçantë zuri edhe muaji i Madhnueshëm i Ramazanit, teksa u vendos që ndonëse i bie sërishmi në kohën e pushimeve verore, do të organizohen seminare, tribuna, takime dhe shtrime iftari. Po ashtu, rinia e UIAZD-së do të shkojë për një kamping veror në Itali, ku do të marrin pjesë edhe unioni i Zvicrës dhe i Asutrisë.
Përpos vendimeve të rëndësishme, mbledhja e UIAZD-së në fund u mbyll edhe me propozime interesante, të cilat do të marrin shqyrtim në një organizim të ardhshëm të këtij unioni.
Kujtojmë se UIAZD-ja ka dhënë kontribute të çmuara në dobi të shqiptarëve, ka ndihmuar ne ndërtimin e xhamiave dhe institucione social-kulturore; ka kontribuar për shkollimin e studentëve; ka dërguar ndihma ne vendlindje e disa herë edhe në Shqipëri në raste specifike, p.sh. gjatë përmbytjeve në zonat veriore të vendit. Pra, kontributi i saj ka qenë moral, edukativ, arsimor, material dhe progresiv në shërbim të vlerave më të mira fetare islame dhe traditave e kulturës shqiptare.