17 Shkurt 2008. Ora 15:48 minuta. Republika e Kosovës iu shtua hartës së shteteve. Newborn filloi rrugëtimin si shtet i pavarur. Mbledhja e jashtëzakonshme, solemne dhe plenare, e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, filloi pas orës 15:00 dhe në rend dite kishte dy pika të rëndësisë historike: miratimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe miratimin e simboleve shtetërore të Kosovës. Kërkesa e përbashkët për këtë mbledhje u shtrua nga presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi. Në seancë morën pjesë 109 deputetë, ndërsa të pranishëm ishin edhe shumë mysafirë nga radhët e përfaqësive diplomatike, si dhe pjesëtarët e familjes së Adem Jasharit dhe të ish-presidentit Ibrahim Rugova. Në pasditen e acartë të 17 Shkurtit 2008 Kosova hapi një faqe të re të historisë dhe ndërroi hartën politike të Evropës.
“Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj; të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes; të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë, miraton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive; të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jepet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet; të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë; duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën”, deklaronte kryeministri Thaçi.
Derisa firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës nënshkruanin deklaratën për lindjen e Republikës, qytetarët kishin shkrirë akullin e dimrit kosovar me festën madhështore çdo kund në Kosovë. Newborn përcolli mesazhin e paqes, ndërsa vetë Deklarata e Pavarësisë përcaktoi bazën e politikës miqësore ndaj të gjitha vendeve tjera. Presidenti, Fatmir Sejdiu, theksonte parimet fundamentale mbi të cilat do të ngrihej shteti i Kosovës. Në këtë kontekst historik, Kuvendi i Kosovës, përmes Deklaratës së Pavarësisë i bënë ftesë faktorit ndërkombëtar që ta vazhdonte prezencën në Kosovës, për promovimin e vlerave perëndimore dhe demokratike. “Vizioni ynë për Kosovën është shumë i qartë. Dëshirojmë që Kosovën ta ndërtojmë mbi parimet fundamentale demokratike. Kjo do të thotë se Kosova do të jetë në shtet demokratik, shumëetnik me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore me shtetet përreth”, theksonte presidenti Sejdiu.
Po atë ditë, më 17 Shkurt 2008, me aklamacion, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe simbolet shtetërore, himnin, stemën dhe flamurin, të cilat tregonin identitetin e shtetit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2008 vazhdoi me miratimin e akteve të rëndësishme të shtetit. Me procedurë të shpejtuar shpalli me dhjetëra ligje, që dilnin nga Pakoja e Marti Ahtisaarit, e cila parashihte pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. Më 4 prill 2008 u shpall Kushtetuta e Kosovës, akti më i lartë juridik i vendit, i cili përcakton Kosovën Republikë Parlamentare. Kryepalamentari, Jakup Krasniqi, flet për rëndësinë e Kushtetutës.
“Kushtetuta e Kosovës si dokument i rëndësishëm është ndërtuar mbi themelet kushtetuese të demokracisë moderne. Demokracia jonë siguron qeverisjen e popullit nëpërmjet përfaqësuesve të tij të zgjedhur. Përcakton qartë kompetenca institucionale dhe u garanton të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim, të drejta dhe barazi para ligjit”.
17 Shkurt 2013. Republika e Kosovës kremton pesëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Në shtator të vitit 2012 është përmbyllur etapa e pavarësisë së mbikëqyrur.
Zyra Civile Ndërkombëtare ka përfunduar mandatin dhe është mbyllur. Megjithatë, në Kosovë vazhdojnë të veprojnë dy misione ndërkombëtare: KFOR-i që është reduktuar gjatë këtyre viteve të pavarësisë, por që ende ruan besueshmërinë tek qytetarët e Kosovës dhe EULEX-i – misioni i parë i këtij formati i Bashkimit Evropian, por i cili në vijimësi është përballur me kritika dhe pakënaqësi. Shumëçka ka ndryshuar.
Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përbërje tjetër, ndërsa debati për rolin dhe punën e Kuvendit të Kosovës, ka marr diskurs tjetër. Fryma e debatit dhe temat kanë ndryshuar, edhe pse ende përplasjet më të mëdha ndërmjet grupeve politike janë për çështje politike. Kuvendi shpeshherë është akuzuar se ka qenë viktimë e politikës së Qeverisë, e mbrojtjes së grupeve të caktuara të interesit.
Nënkryetari i Kuvendit, njëherit deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, që nga themelimi i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se Kuvendi i Kosovës ka bërë punë shumë të mirë në fushën e miratimit të ligjeve. Sipas tij, akuzat që janë bërë në drejtim të Parlamentit janë të padrejta. “Kuvendi i Kosovës nuk dallon shumë nga parlamentet që funksionojnë në rajon. Nga Pavarësia e deri më tani ka pasur një angazhim të madh, qoftë në përmirësimin e legjislacionit, qoftë në miratimin e ligjeve. Mbi të gjitha, Parlamenti i Kosovës ka hapur debat në këtë periudhë, për çështje të ndryshme që kanë qenë në interes të qytetarit dhe interes i votuesve. Nuk mund të them që ka qene perfekt, apo produktiv, çfarë kemi pritur ne, por të gjitha ligjet që kanë ardhur nga Qeveria, shumica janë miratuar, dhe kjo mendoj se është një sukses i parlamentarëve të Kosovës”, thotë Xhavit Haliti.
Por, partitë opozitare, dhe madje edhe shoqëria civile, nuk pajtohen me konstatimin që Kuvendi i Kosovës ka qenë i pavarur në punë e vet. Ata madje thonë se edhe pesë vjet pas Pavarësisë, deputetët e mazhorancës ndikohen nga vija partiake. Glauk Konjufca, nga lëvizja “Vetëvendosje”, lëvizje kjo që hyri në Kuvend gjatë viti 2010, mendon se komunikimi në Kuvend brenda subjekteve politike bëhet mbi bazat e mbrojtjes së agjendave që përgatiten jashtë Kuvendit, nga politikat e grupeve të caktuara të interesit. “Mendoj se, sa i përket komunikimit brenda Kuvendit, ka probleme, sepse komunikim reduktohet në komunikim zyrtar.
Mendoj se problemet vijnë atëherë kur ka ndikime politike që vijnë nga larg, të cilat ndikojnë edhe sjelljen e subjekteve politike brenda Kuvendit. Ka agjenda që janë jashtë Kuvendit dhe që vijnë brenda, të cilat nuk bëjnë që komunikimi të jetë spontan. Sa i përket komunikimit të Kuvendit me Qeverinë, mendoj se kjo është e njëanshme, sepse përderisa në një anë kemi një Qeveri e cila është mjaft agresive ndaj Kuvendit, kurse në anën tjetër Kuvendi nuk është se ka të njëjtin raport me Qeverinë, në kuptimin e mbikëqyrjes dhe monitorimit të punës së Qeverisë”, thotë Glauk Konjufca. Driton Selmanaj nga Instituti Kosovar për Demokraci, që merren drejtpërdrejt me monitorimin e punës së Kuvendit, thotë se Parlamenti është në krizë të gjetjes së identitetit të vet si autoriteti më i lartë në vend. “Mund t’i ndaj në dy etapa, sepse kemi pasur dy legjislatura. Është legjislatura e parë, ajo që shpalli Pavarësinë e Kosovës dhe e cila tërë energjinë e saj e kishte koncentruar në menaxhimin e post- shpalljes së pavarësisë si dhe miratimin e legjislacionit që dilte nga Pakoja e Ahtisasrit.
Ndërkohë, që kemi legjislaturën tjetër që doli si rezultat i zgjedhjeve të abuzuara dhe derivoi një legjislaturë e cila është pothuajse nga më të dobëtat që nga paslufta në Kosovë, transmeton RTK. Ajo që e dëshmon këtë është kur deputetët kanë votuar me porosi ose kur deputetët, pesë minuta pas fjalës së tyre, e kanë tërhequr atë si rezultat që ka ardhur na presioni nga jashtë. Kemi pasur raste kur mazhoranca ka ikur nga seancat plenare dhe kjo e nuk është shembull i demokracive parlamentare perëndimore. Dhe krejt kjo e derivon një konkluzion se kjo legjislaturë e ka shndërruar Kuvendin në një institucion, i cili nuk ka integritet, nuk ka autoritet në marrjen e vendimeve fuqiplote dhe shpeshherë është i kontrolluar nga Qeveria. Kuvendi akoma është në kërkim të identitetit si institucioni më i lartë në vend”, thotë Diton Selmanaj. Pesë vjet Republikë. Në historinë e shteteve pesë vjet janë periudhë e shkurtër, megjithatë e rëndësishme kur mbushet me ngjarje të mëdha.