PYETJA:Unë kam probleme me disa nga të afërmit e mi, dhe shpesh gjej në shtëpi gjëra të hudhura, të cilat janë sihir-magji. Më kanë thënë se që të ruhem nga sihiri duhet të mbajë me vete kokën gjarpëri. A bën ta bëj diçka të tillë?
Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA:
Së pari është për të ardhur keq që në mesin e muslimanëve gjinden dukuri të këtilla të cilat i ka luftuar Islami energjikisht, dhe të cilat janë dukuri devijante që flasin për defekte serioze në mesin e muslimanëve dhe se akoma muslimanët merren me gjëra të këtilla të prapambetura.
E keqja tjetër është se këto gjëra shpesh ndodhin mes njerëzve të cilët janë në lidhje familjare, që flet se nuk është kuptuar si duhet obligimi ndaj farefisit dhe familjes më të gjërë.
Sido që të jetë, kjo flet se kemi mangësi në kuptimin e drejtë të Islamit dhe në zbatimin e dispozitave Islame në jetën tonë.
Po, është e vërtetë se dikush mund të bëjë sihir kundër dikuj tjetër, dhe me këtë rast duhet patur parasyshë se sihiri-magjia është prej mëkateve më të mëdha, që do të thotë se personi që bën sihir ka bërë mëkat nga mëkatet më të mëdha, e në të shumtën e rasteve sihiri i çon njerëzit në mosbesim. Pejgamberi s.a.v.s. në një hadith të tij na urdhëron që të largohemi prej shtatë mëkateve shkatërruese, dhe prej tyre e ka përmendur edhe sihrin-magjinë. Së këndejmi, besimtari nuk guxon të mendojë për sihër, e lene më t’i bëjë dikuj tjetër sihër.
Mirëpo, nëse dikush i bën muslimanit sihër, ai duhet të mbrohet në formë legjitime, gjegjësisht përmes leximit të Kur’anit dhe zbatimit të urdhërave të Allahut, që janë garancë e dështimit të sihrit. Ndërkaq, format tjera që i shpikin njerëzit, janë jo valide dhe jo të lejuara. Në mesin e këtyre formave janë edhe nuskat, hamajlitë dhe mbajtja e gjërave të këtilla, si që është rast me kokën e gjarprit.
Gjarpri ka qenë symbol adhurimi te disa popujt të vjetër, ndërkaq besimtari nuk guxon të merret me bestytni të këtilla. Gjarpri nuk mund të sjell as dëm as dobi, në kuptim të sihrit dhe mbrojtjes prej tij, për atë, nuk duhet kërkuar mbrojtje në kokën e gjarprit, por në Zotin e gjarprit dhe çdo krijese tjetër, në Allahun e Madhërishëm.
Thënë shkurt dhe qartë, nuk guxon tam bash kokën e gjarprit me pretekst se mbron prej sihrit, kjo është e ndaluar-haram. Pejgamberi s.a.v.s. ka ndaluar të mbahen dhe të vehen hamajli e nuska, duke potencuar në disa hadithe se kush ven gjëra të këtilla, lëshohet prej mbrojtjes së Allahut dhe i lehet këtyre gjërave. Në një hadith tjetër thekson se njeriu që ven gjëra të këtilla, nuk arrinë t’i realizojë qëllimet e veta, dhe në një mënyrë edhe i bën shok Zotit.
Për atë, duhet ta largosh kokën e gjarpërit, t’i drejtohesh Allahut për mbrojtje, të lexosh kur’an, t’u përmbahesh rregullave Islame dhe të mundohesh të veshë raporte të mira me të afërmit, ashtu që t’ua ndërpresësh rrugën për vepra të këtilla të ndaluara.
Allahu e di më së miri.