Categories
Lajme FRI

Me një përmbyllje solemne përfundoi projekti "Eureka"

Projekti Eureka i cili u organizua nga Forumi Rinor Islam – Dega Shkup përfundoi me një përmbyllje solemne në hapsirat e Hotel Bushit në Shkup.
Projekti në fjalë zgjati pothuajse tre muaj dhe në vete ngërtheu trajnime interaktive, grupe kreative, vizitë vendeve dhe institucioneve kulturore edukative dhe aktivitete sportive. Pjesëmarrës në këtë projekt ishin filloristët e shkollave të qytetit të Shkupit,komunës Studeniçan dhe Haraçinë të cilët u trajnuan në fusha të ndryshme.

Fillimisht kjo përmbyllje filloi me një fjalim përshëndetës nga kryetari i Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, Abdulhamid Mustafa i cili mes tjerash theksoi: “Projekti në fjalë u realizua me qëllim që të vihen në pah edhe më shumë aftësitë e më të mirëve, t’i nxisim edhe më shumë, të shfaqim dhe t’i rrisim potencialet e tyre duke bërë kështu që në një të ardhme të afërt ata të arrijnë majet e sukseseve dhe të profesionalizohen në profesionet që do zgjedhin gjithmonë duke ruajtur parimet dhe vlerat e mirëfillta.” 

Në këtë mbrëmje nxënësit me aftësitë dhe potencialet e tyre duke i gërshëtuar edhe me njohuritë që kanë fituar nga projekti u paraqitën në grupe para publikut me temat “Menaxhimi i vetes në kohë”, “Shëndeti oral”, “Varshmëria e rrjeteve sociale kundrejt suksesit tënd” dhe “Të mësuarit mirë dhe në mënyrë efikase”. Forumi Rinor Islam ndau mirënjohje për drejtoritë e shkollave përkatëse për bashkëpunim korrekt në realizimin e këtij projekti, ndërsa në emër të të gjithë shkollave dhe drejtorëve me disa fjalë u drejtua drejtori sh.f. “Jashar Bej Shkupi”, Muzafer Rexhepi i cili potencoi: “Duke parë paraqitjet e mrekullueshme të nxënësve është e dukshme që keni punuar shumë me ta dhe uroj të vazhdoni edhe më tutje pasi që edhe ne shkollat kemi nevoj për këto lloj projektesh”.

Nxënësit u dekoruan me certifikata, me disa dhurata simbolike edhe atë me nga një libër nga shtëpitë botuese “Furkan ISM” dhe “Logos-A” si dhe vauçerë për kurs matematik.

Exit mobile version