Categories
Lajme FRI

ME RASTIN E VITIT TË RI HIXHRI – 1444, FRI REALIZON MANIFESTIMIN TRADICIONAL “NË GJURMËT E MË TË MIRËVE”, PËR HERË TË 22-TË ME RADHË

Forumi Rinor Islam, mbrëmë, në Teatrin Kombëtar Maqedonas, realizoi manifestimin, tashmë tradicional, “Në gjurmët e më të mirëve”, manifestim ky që realizohet me rastin e Vitit të Ri Islam – Hixhri 1444. Vlen të theksohet se FRI e realizon këtë manifestim për herë të 22-të me radhë, duke e parë atë si një mundësi për të përçuar mesazhet fisnike të Kuranit dhe për të stimuluar dijen në vendin tonë.

Programin e filloi hoxhë Zija Ismaili me leximin e disa ajeteve nga Kurani Famëlartë, për të vijuar më pas fjalimi i kryetarit të FRI-së, Mr. Xhabir Emini.

Pjesën artistike të këtij programi e filloi kënduesi i mirënjohur i ilahive, Nusret Kurtishi, i cili solli në skenë ilahinë e tij të re me titull “Selame nga Shkupi”.

Shpërndarja e dekoratave dhe dhuratave filloi me nxënësit më të dalluar nga të gjitha shkollat e mesme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Çmimi “Hafizi i ri i vitit”, të cilin FRI e ndan në këtë manifestim, këtë vit i takoi hafizit Sejjid Idrizi, nga Shkupi.

Nuk mungoi as pjesa artisitike e kësaj mbrëmje, para publikut interpretoi Zurijet Sulejmani dhe Bunjamin Selimi me monologun “Shtëpia e ikjes”, monolog ky i shkruar nga autori Arsim Jonuzi.

Çmimi “Shkencëtari i ri i vitit” i takoi Mr. Almir Rushit, i cili u zgjodh nga komisioni pas konkursit të shpallur.
Personalitetet dhe subjeket e dalluara të dekoruara nga FRI në manifestimin e Hixhrit ishin:
Mulla Vesel Guta, Prof. Merita Abazi, hafiz Jashar Ibrahim, Gafur Fejza si dhe grupi rinor i ashtuquajtur “Space Eagles”.

Pas kësaj pjese, ekskluzivisht për manifestimin e Hixhrit ilahisti Musliu Musliu performoi ilahinë e re me titull “Hixhreti”, të shkruar nga  autori Kreshnik Avdiu.

Pjesa e fundit e programit iu dedikuar ndarjes së shpërblimeve të studentëve më të mirë nga disa universitete në vend, edhe atë: Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik. Në mesin e të gjithë studentëve me sukses të lartë, tre prej tyre ishin me sukses maksimal 10.00.

31 tetor 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version