Categories
Lajme FRI

Më thonë të shkruaj për ty, e ku të gjej unë fjalë për ta përshkruar këtë dashuri!

Për ty kur dua të shkruaj, fjalët e mia turpërohen.
Skuqen veç nga mendimi se duhet të të lavdërojnë ty
Kësaj rruge druhen t’i hyjnë, se e kanë kuptuar sa të ligështa janë,
Se pafuqinë e tyre për të të lëvdëruar ty, e dinë!
Por, unë pa shkruar për ty nuk mund të rri!
Dhe ç’është kjo dashuri!
Pa të parë! Zërin kurrë pa ta dëgjuar!
Më i dashuri im je bërë! Je bërë malli im që s’ka të mbaruar!
E kjo botë është veç një zhgënjm i stërmadh!
Nuk di asgjë tjetër, veç në zemrën time të mbjellë mall!
Një mall të atillë që çdo ditë e më tepër më shtrëngon,
si me darë të hekurta, e shtrydh zemrën time si një rrobë të lagur,
e nga ajo veç mall pikon!
Për ty!
Se ti ike shumë para se të vija unë këtu, i the kësaj bote t’mos më lëndonte,
por ajo fare s’po të dëgjon, ja ResulAllah, ku është fundi i këtij malli që natë e ditë mbi kokë më qëndron?
Çdo gjë që më zënë sytë përreth meje, e gjen një mënyrë për të më lënduar
dhe pastaj turret me vrap zemra ime drejt teje, se ti si ilaç për zemra je dërguar!
Ti ke qenë një pikë drite në errësirën që e shqeve me tëndin shkëlqim
unë të kam zgjedhur si yll udhërrëfyes, dhe tani je ylli më i bukur në qiellin tim.
Në jetën time ke ardhur si një mrekulli që nga qielli zbret,
dhe unë nuk heq më dorë nga ti, edhe sikur të kthehesha e të rikthehesha në një mijë jetë!
E malli im për ty është si det i trazuar që nuk di të qetësohet asnjëherë
Ashtu i stërmadh e i stërgjërë, më merr të tërën në brendinë e tij, e unë të dal prej aty nuk di!
S’dua të di! Se dua të shkrihem në të, me gjithë dashurinë për ty që s’duron t’i vë kufi.
I dashuri im! Veç një herë fytyrën të ta kisha parë!
Aromën tënde një herë ta kisha ndjerë, dhe më s’do të merrja frymë një jetë të tërë!
Ashtu e mahnitur pranë teje të qëndroj..dhe lotët, si çdoherë, të mos mund t’i ndaloj.
Një çast si ky, çdo ditë që marr frymë në zemër e pikturoj
Dhe të përmendurit e emrit tënd mijëra ngjyra i shton,
Muhamed! Jo, s’do të përpiqem fare ta përshkruaj mënyrën se si tingëllon.
E po t’më shihje ç’më ka bërë dashuria jote!
Më ka ngritur mbi çdo iluzion të kësaj bote!
Nga çdo kotësi zemrën time e ka pastruar,
Çdo atom e qelizë në mua aq butësisht e ka dezinfektuar
Dhe e ka ngritur fronin për një ëndërr që të qetë s’më lë
Të pi nga duart tua ujin e bekuar dhe kurrë etje për ty të mos kem më!
Shqipe Palloshi

Exit mobile version