Sipas një studimi myslimanët në Gjermani mendojnë se ata trajtohen negativisht në media. Është kjo e vërtetë? Hulumtimi në media tregon se një tendecë e tillë është vënë re që pas sulmeve të shtatorit 2001 në Nju Jork.

Nga “Vrasjet Döner” deri tek “Mafia turke” ishin epitetet që qarkulluan për vitë të tëra në mediat gjermane kur flitej për serinë e vrasjeve të nëntë emigrantëve turqë dhe një greku. Më pas në nëntor të vitit 2011 rezultoi se vrasjet mes viteve 2000-2007 ishin kryer nga grupe terroriste neonaziste.

Për Semiya Simsek, e bija e viktimës së parë, këto fjalë janë „të rënda, cinike dhe raciste“. Kështu e përshkruan ajo në librin e saj „Atdhe i dhimbshëm“ që flet rreth vrasjes së të atit, Enverit. “Tani të gjithë e shohin se këto terma janë racistë, por atëherë nuk gjykonin kështu“, thotë ajo në një intervistë për DW rreth mënyrës së trajtimit të çështjes nga mediat, që kur u zbulua se vrasjet ishin kryer nga ekstremistët e djathtë dhe jo nga familjarët e tyre. Më 6 maj 2013 do të nisi procesi gjyqësor ndaj neonazistëve që kryen vrasjet.

Studimi: “disi negativ“ ose „shumë negativ“
Ishte ky vetëm një përjashtim i turpshëm, nga mediat gjermane dhe organet hetimore, apo ky ishte imazhi i përhapur për myslimanët deri në atë kohë nga mediat? Fondacioni Gjerman për Integrim dhe Migracion prezantoi në mars të këtij viti rezultatet e një studimi të zhvilluar në verën e vitit 2011 ku u pyetën 9200 njerëz. 74 përqind e të pyeturve kishin rrënjë familjare jashtë Gjermanisë dhe 71% e të pyeturve mendonte se trajtimi i myslimanëve në mediat gjermane ishte „disi negativ“ ose „shumë negativ“. Ndërkohë tek myslimanët e pyetur kjo shifër ishte 82%.

“Rezultatet e studimit konfirmuan shqetësimet e shumta që kemi dëgjuar nga myslimanet në Gjermani“, thotë Aiman Mazyek, Kryetari i Këshillit Qendror të Myslimanëve në Gjermani (ZMD), një nga katër organizatat islamike më të mëdha në Gjermani. Në veçanti pas sulmeve të 11 Shtatori myslimanët janë parë me dyshim dhe trajtimi negativ i medias është theksuar akoma më shumë.

“Të mirët dhe të këqinjtë”
“9/11 ishte sigurisht një pikë kthese dhe bota pati një konfigurim të ri, ku një rol të rëndësishëm luajti edhe media”, thotë Margreth Lünenborg, drejtore e Kolegjit Ndërkombëtar të Gazetarisë pranë Universitetit të Lirë të Berlinit. “Të mirët dhe këqinjtë, ky ishte termi i ri dhe që u përdor për të theksuar ndryshimin midis botës së krishterë perëndimore dhe botës orientale”, thotë profesoresha e gazetarisë.

Sipas Zyrës Federale të Migracionit në Gjermani janë më shumë se katër milionë besimtarë myslimanë, çka përbën 4 përqind të popullsisë. Femrat e mbuluara me shami dhe meshkujt me mjekër janë klishe prezente në mediat gjermane? “Studimi tregon gjithashtu se myslimanët janë bërë edhe simbol i të tjerëve. Femrat e mbuluara me shami janë steriotip jo vetëm për myslimanët, por edhe për jo të krishterët, joperëndimorët dhe të gjithë ata që nuk i përkasin kulturës tonë nacionale”, thotë Lünenborg.

“Pamje e kufizuar e jetës myslimane”
Idea se gazetaria nuk mund të tregojë gjithëçka që ndodh në jetë është e qartë edhe për Lünenborg, e cila ka studiuar për gazetari. Në rastin e myslimanëve në mediat gjermane ka një problem sepse ata paraqiten gjithmonë me stereotipe. “Realiteti mediatik na tregon vetëm një pamje të kufizuar të jetës myslimane në Gjermani: më shumë probleme e konflikte se histori suksesi “, thotë Lünenborg nga Univeristeti i Lirë i Berlinit.

Pamje nga muaji i Ramazanit në Gjermani

Mazyek, i cili është drejtor i ZMD që prej vitit 2010, ka vënë re se gazetarët sot dinë më shumë për Islamin në krahasim me 20 vjet më parë. “Mund të vihet re një cilësi e mirë e raportimit dhe natyrisht që një gjë e tillë është pozitive. Këtë gjë e kam vënë re tek raportimi i mediave rreth Ramazanit, muajit të agjërimit të myslimanëve.” Gjithashtu edhe numri i temave që kanë të bëjnë me Islamin është rritur. Por edhe këtë gjë Mazyek e sheh si problematike sepse mungon përzgjedhja e raportimeve. “Qëndrimet e ekstremistëve kundër Islamit dhe myslimanëve gjejnë një hapësirë të madhe në raportimet e mediave”, thotë Mazyek.
Imazhet e ndërtuara nga media 
Lünenborg, e cila ka kryer shumë intervista me emigrantët për studimin, e di se “shumë besimtarë myslimanë kanë dëshirë të bëhen pjesë e jetës së përditshme në Gjermani – si shoferë autobuzi apo trajnerë sportivë. Në të vërtetë në një vëzhgim të jetës së përditëshme në Gjermani vë re se ajo është shumëdimensonale, por një gjë tillë duhet të pasqyrohet edhe në politikat editoriale. Në Gjermani vetëm 5 përqind e gazetarëve janë me prejardhje të huaj.
Ekspertja e shkencave të komunikimit Lünenborg është shumë e kujdesshme kur flet për efektet e medias në shoqëri. “Mënyra në të cilën media krijon imazhet në mendjen e publikut, madje edhe për myslimanët, është mjaft komplekse. Por këto imazhe gjithashtu nuk janë aspak të pakuptimtë.”/dw/