Mediat greke me kujdes e paralajmërojnë raundin e dytë të bisedimeve të ndërmjetësuesit Methju Nimic i cili sot dhe nesër do të takohet me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe të Greqisë Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis.
Gazeta proqeveritare “Katimerini” në analizën e saj të fundit në këtë temë shkroi se “Nimici punon në qetësi, por me efektivitet dhe se çështja për emrin ka hyrë në fazën kryesore”.
Sipas gazetës, të dy qeveritë diskutojnë dhe nuk zbulojnë se për çfarë bisedohet që vërteton se kësaj radhe punohet për “debate serioze”.
Në Greqi tani për tani respektohen besimi i negociatave të Nimicit me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Athinës.
Portali informativ “Njuznau” shkruan se bisedimet zhvillohen në kushte kur Greqia është ekonomikisht dhe diplomatikisht e dobësuar për shkak të krizës financiare, ndërsa Maqedonia ballafaqohet me krizë ekonomike dhe krizë të brendshme politike dhe për këtë rezultati i suksesshëm i takimeve në Nju-Jork vihet në pyetje.
Megjithatë sipas portalit, kjo periudhë mund të jetë edhe një mundësi e shkëlqyer për zgjidhje.
Në këtë rast “Greqia do të çlirohet nga një çështje kronike në politikën e saj të jashtme dhe do të përforcohet kredibiliteti negocues i Qeverisë – në vend dhe jashtë tij, ndërsa Maqedonia do të marrë biletë për integrim në institucionet euro-atlantike dhe stabilitet politik të Qeverisë në vend.
Edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme Konstantinos Cirias në debatin e fundit në Parlament në këtë temë e theksoi “karakterin e lartë të ndjeshëm të bisedimeve për përmbajtjen e së cilës Greqia qartë është obliguar se nuk do ta zbulojë” dhe se “asnjë nuk mund të zbulojë diçka më shumë prej kësaj që Nimici e thotë”.
Në Athinë fitohet përshtypje se Greqia me të vërtetë është e gatshme për zgjidhje të kësaj çështje shumëvjeçare për emrin e vendit tonë, por kuptohet nën kushtet e saj.
Burime diplomatike vazhdojnë me konfirmimin se intensifikimi i procesit të negociatave është rezultat i Memorandumit grek për mirëkuptim, që në kohët e fundit është përgjigje e palës greke në çfarëdo lloj pyetje lidhur me emrin. (INA)
Categories