Organizata Islame për Arsim Shkencë dhe Kulturë ISESCO, zgjodhi qytetin e ndritshëm të Medinës si kryeqytetin kulturor të botës islame për vitin 2013

Me rastin e organizimit të Konferencës Islamike të shtatin me radhë në rang të ministrave të kulturës, Organizata Islame për Arsim Shkencë dhe Kulturë ISESCO, zgjodhi Medinën si kryeqytetin kulturor të botës islame për vitin 2013, duke ia shtuar kësaj edhe prestigjin e lartë që gëzon në mesin e qyteteve të botës islame.
Nën patronazhin e princit Selman bin Abdulaziz, Princ i Kurorës, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes së Arabisë Saudite, do të organizohen shumë konferenca, seminare, ligjërata dhe projekte për një vit të plotë, duke përfshirë dy ekspozita që do të mbahen në dhe afër xhamisë së Pejgamberit a.s.

Njëra me titull: “Muhamedi, Pejgamber i Zotit”, që do të trajtojë biografinë e Pejgamberit a.s., si dhe tjetra që do të trajtojë historinë e Medinës së Ndritshme. Përveç tjerash, do të shfaqet edhe një film dokumentar me titull: “Medina e Ndritshme, kryeqytet i Kulturës Islame”, dhe do të mbahet një seminar me titull: “Si i ka trajtuar Pejgamberi a.s. fëmijët, adoleshentët dhe të moshuarit?”.

Projekti i kryeqyteteve të Kulturës Islame, i cili mbikëqyret nga kjo Organizatë Islame, konsiderohet si një nga mekanizmat që thellon unitetin kulturor islam dhe zgjedh mënyrën e duhur për të ngritur themelet e qëndrueshme ndërmjet shteteve anëtare të Botës Islame. Ky projekt, për çdo vit, zgjedh tre qytete me rrënjë islame nga të gjitha rajonet, që përfshijnë Botën Arabe, Afrikën, Azinë, duke përfshirë edhe kryeqytetin nikoqir që organizon Konferencën Islamike të Ministrave të Kulturës, e cila mbahet çdo dy vjet.

Objektivat e programit janë përhapja e kulturës islame, ringjallja e misionit dhe përjetësimi i madhështisë kulturore dhe civilizuese të qyteteve që janë zgjedhur si kryeqytete të kulturës islame.

Vlen të theksohet se Meka e Ndershme ishte zgjedhur kryeqytet i Kulturës Islame në vitin 2005./igj/