Qyteti i Medinës në Arabinë Saudite është shpallur kryeqytet i Kulturës Botërore Islame për vitin 2013, në një ceremoni ku kanë marrë pjesë personalitete të shquara nga të gjitha vendet islame dhe ato botërore. Në këtë veprimtari Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfaqësohej me Myftiun e Tiranës, Ylli Gurra dhe drejtorin e Marrëdhënieve me Jashtë, z. Astrit Zharri.
Në hapjen e ceremonisë të pranishmëve iu drejtua me një fjalë përshëndetëse Trashëgimtari i Fronit, princi Fejsal bin Selman bin Abdul Aziz, i cili, veç të tjerash, përgëzoi e falënderoi organizatën ISESCO për zgjedhjen e Medinës Kryeqytet i Kulturës Botërore Islame për vitin 2013, duke e cilësuar si vendim të qëlluar ngase Medina ka të gjitha parametrat e duhura për të qenë kryeqytet i kulturës islame, sepse, përveç të tjerash, këtu është edhe Xhamia e Pejgamberit a.s.
Gjatë qëndrimit në Medinë, Myftiu i Tiranës, z. Gurra u prit në një takim nga Princi i Medinës, të cilin e falënderoi për përkrahjen e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhënë Shqipërisë dhe Komunitetit Mysliman gjatë këtyre dy dekadave dhe njëkohësisht kërkoi që ky bashkëpunim i frytshëm të forcohet edhe më shumë në të ardhmen.
Myftiu Gurra zhvilloi gjithashtu takime me Kryetarin e Parlamentit, Saleh bin Humejd, zëv/rektorin e Universitetit të Medinës, prof. dr. Mahmud Qadah, Myftiun e Jeruzalemit, si dhe me figura të njohura të fesë dhe kulturës botërore pjesëmarrës në këtë eveniment të rëndësishëm kulturor.
Një pritje e veçantë Myftiut Gurra iu rezervua nga studentët shqiptarë të Universitetit të Medinës.
/Drita Islame/
Categories