Sulmuesi shqiptar, Admir Mehmedi, ia ka kushtuar golin ndaj Ekuadorit gjyshës së tij të ndjerë.
Me tu futur në fushën e lojës, Admir Mehmedi u bë protagonist i fitores 2:1 të Zvicrës ndaj Ekuadorit.
Sulmuesi shqiptar realizoi një gol të bukur me kokë për ta barazuar rezultatin në 1:1, para se Seferoviq ta shënonte golin e fitores në minutat shtesë të ndeshjes.
Dhe golin e parë të një futbollisti shqiptar në një Kampionat Botëror, Mehmedi ia ka dedikuar gjyshës së tij dhe njëherazi shprehu nostalgji për fëmijërin e kaluar në Gostivar.
“Unë menjëherë e kujtova gjyshën time. Ishte një moment prekës. Të gjithë gjyshërit e mi vdiqën të rinj. Vetëm me të kam mundur ta shijoj fëmijërinë kur isha në Maqedoni”, u shpreh Mehmedi për Blick.
“Unë jam shumë i sigurt se ajo është shumë krenare atje në qiell me mua”, shtoi tutje sulmuesi shqiptar.
Biografia
Admir Mehmedi është i lindur me 16 mars 1991 në qytetin e Gostivarit. Së bashku me prindërit kanë emigruar në Zvicër ku edhe e ka zhvilluar karierën e tij profesionale si futbollist.
Në ekipin kombëtar zvicëran ka filluar të luaj që nga viti 2006 si pjesë e U16, kurse prej vitit 2011 luan në ekipin e parë të kombëtares së Zvicrës.
Përndryshe në periudhën 2008-2012, Admir Mehmedi ka luajtur për skudarën Zurich të Zvicrës, 2012-2014 lidhën kontratë me Dinamo Kijevin ku nuk gjen shumë hapësirë për të luajtur dhe në 2013-2014 huazohet nga ekipi gjerman Freiburg dhe shënon 12 gola. Paraqitja e mirë për ekipin gjerman ndikoi që të nënshkruaj kontratë me këtë ekip dhe do të vazhojë të luaj për Freiburgun edhe ne sezonin e ardhshëm.
/tetova1/