Categories
Lajme FRI

Mesazh me rastin e përkujtimit të lindjes së Muhamedit (alejhi selam)

MESAZH ME RASTIN E PËRKUJTIMIT TË LINDJES SË MUHAMEDIT A.S.

 

“E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha botërat”. (Enbija, 107)
“Vërtetë, ti je në një shkallë të lartë të moralit…” (Kalem, 4)

Të nderuar vëllezër e motra!

E fillova këtë mesazh me ajetet e mësipërme nga Kurani fisnik, përmes të cilëve Zoti i gjithësisë, Allahu i Lartësuar, e cilësoi të Dërguarin e Tij, për virtytet dhe moralet e larta që i posedonte.

Muhamedi SalAllahu Alejhi ve Selem erdhi në një kohë kur njerëzimi kishte shumë nevojë për mesazhet dhe udhëzimet e tij, në një kohë kur njerëzimi jetonte në errësirë të plotë, kur njeriut i kishte humbur vlera e të qenit njeri, e trajtohej si mall që mund të shitet dhe blihet; kur të drejtat e gruas as që bisedoheshin, dhe diskriminimi ishte në kulmin e vet, në të gjitha bazat e mundshme.

Ai, SalAllahu Alejhi ve Selem, erdhi në një kohë kur shkenca dhe dija ishin vënë në shënjestër të atyre që nuk vlerësonin as dije as shkencë, e që për një të vërtetë shkencore që e thoshte ndonjë shkencëtar, atij i vihej flaka për herezi.

Pikërisht kjo kohë ishte, kur njerëzimi priste mëshirën e të Madhit Zot, priste pishtarin dhe fanarin ndriçues. Dhe Allahu i Lartësuar zgjodhi që Muhamedi SalAllahu Alejhi ve Selem të jetë kjo mëshirë e ky fanar ndriçues, i cili do të vijë me moral e edukatë të lartë, kulturë e sjellje të pashembullt, model më i mirë për t’u ndjekur, me një mesazh madhështor, i cili fillonte me fjalën më të bukur: “Lexo me emrin e Zotit Tënd”. (Alek-1), e që nënkupton se ky mesazh nis me besim e shkencë, do të vazhdojë me mëshirë dhe urtësi, e do të përfundojë me drejtësi, përderisa në momentet e fundit të jetës së tij, ai, SalAllahu Alejhi ve Selem, i këshilloi të pranishmit me fjalët: “Kujdes me ata që janë nën përkujdesjen tuaj…”

Të nderuar, mesazhi i Pejgamberit tonë, SalAllahu Alejhi ve Selem, si kurrë më parë është i nevojshëm për kohën që jetojmë, kur interesat tona kalojnë mëshirën dhe drejtësinë tonë, kur nëpërkëmben të dobëtit, kur nuk nderohet i moshuari, kur respekti i ndërsjelle ka ngelur për t’u dëshiruar, kur mençuria matet me mjete materiale, kur njeriu më tepër vlerësohet për dukjen e tij se sa për të brendshmen që posedon…

Ti fyhesh nga disa njerëz shpirtligë, pikërisht tani kur më së shumti kemi nevojë për mesazhin dhe shëmbëlltyrën tënde, ja Resulullah! Shpifin për ty, sepse, fatkeqësisht, nuk të njohin ashtu siç të njohën ata që të besuan dhe të ndjekin.

Forumi Rinor Islam edhe këtë vit, sikur vitet e kaluara, do të nxisë përkujtimin dhe dashurinë për njeriun më të madh në historinë e njerëzimit dhe Vulën e Pejgamberisë, Muhamedin SalAllahu Alejhi ve Selem, përmes fushatës “Ta njohim Muhamedin a.s.”, fushatë kjo e cila do të zgjasë 10 ditë, me aktivitete të ndryshme në rrjetet sociale dhe ueb faqen e Forumit Rinor Islam, për të cilat do të jeni të informuar me kohë.

 

Shkup, 28.10.2020                                                                                 Xhabir Emini, Kryetar

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version