Categories
Fjala e Kryetarit

Mesazhi i kryetarit të FRI-së për Vitin e Ri Islam, Hixhri 1437

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimet i takojnë Allahut, përshëndetjet qofshin për Muhamedin a.s., familjen, shokët e tij dhe të gjithë besimtarët.
Hixhreti, kjo ngjarje me karakter sa historik, po aq edhe me karakter edukativ, paraqet lënien e vendlindjes, Mekën e bekuar, nga Muhamedi a.s., si pasojë e padrejtësive, presionit dhe zullumit, në drejtim të përshtatshmërisë së të jetuarit i lirë dhe me orvatje për të zhvilluar shoqërinë. Por, njëkohësisht, kjo ngjarje e rëndësishme e historisë islame paraqet kthesën më të madhe në drejtim të ngritjes së shtetit më të drejtë që ka shënuar njerëzimi dhe shoqërisë më të mirë që ka njohur historia.
Me fenomenin e “hixhretit” sot po përballen popuj të tërë, njerëz të pafat që po braktisin vatrat e tyre nga dhuna e shumëfishtë.
Fakti që e ka shijuar këtë hidhëti edhe i Dërguari i Allahut, më i dashuri ynë, Muhammedi a.s., bashkë me shokët e tij, pastaj edhe realiteti se e kemi ndier në lëkurë edhe ne si popull dhe e dimë dhimbjen që ai sjell në trup dhe shpirt, duhet të na bëjë më të ndjeshëm dhe më humanë ndaj këtyre njerëzve nevojtarë, refugjatëve që javëve dhe muajve të fundit janë duke kaluar edhe nëpër vendin tonë.
Me këtë rast, shprehim respektin dhe mirënjohjen më të thellë për të gjitha organizatat joqeveritare e humanitare, për të gjithë njerëzit bamirës me përkatësi të ndryshme etnike e fetare, të cilët muaj me radhë, për çdo ditë, ofrojnë buzëqeshje dhe ndihmë të të gjitha llojeve për refugjatët që po tranzitojnë përmes Maqedonisë.
Në dimensionin shpirtëror, Hixhreti duhet të ketë kuptimin e braktisjes së punëve të këqija dhe largimit nga ndalesat që ka caktuar Allahu Fuqiplotë. Hixhreti ynë sot duhet të jetë ikja nga bota e mëkateve që kanë ngulfatur shpirtin tonë, drejt horizontit të gjerë të punëve të mira e të pëlqyera te Zoti. Nga gremina e devijimit, drejt rrugës së shpëtimit. Ky duhet të jetë hixhreti i parë të cilin duhet ta synojmë secili prej nesh, e në veçanti rinia jonë, kjo është gjëja e parë që na e kërkon Krijuesi ynë!
Poashtu, e konsideroj si të rëndësishëm dhe të nevojshëm edhe hixhretin tonë si shoqëri në përgjithësi, transformimin nga kjo situatë e paqëndrueshme, drejt një stabiliteti efektiv; nga amullia dhe ligësitë që na kanë kapluar, drejt një fryme optimiste dhe mirëqenie të qëndrueshme; nga kjo gjendje e pashpresë dhe aktualitet hutues, drejt një vizioni të shëndoshë dhe misioni premtues.
Të dashur miq!
Forumi Rinor Islam plot 15 vite është duke i dhënë një rëndësi të veçantë shkollimit dhe dijes, përmes shpalljes së nxënësve dhe studentëve më të dalluar, dekorimin e personaliteve që kanë dhënë kontribut për shoqërinë tonë si dhe hafizin (momorizuesin e Kuranit) më të ri të vitit . Për të treguar nevojën tonë të patjetërsueshme për t’u arsimuar dhe edukuar, të vetëdijshëm se kjo është rruga e vetme e ngritjes dhe zhvillimit tonë si popull dhe si shoqëri. Gjithnjë duke pasur parasysh fjalën dhe urdhrin e parë të Zotit Fuqiplotë në Kur’anin Fisnik: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)”. (Alek: 1)
Kjo sepse, me krejt mangësitë të cilat po na shoqërojnë në sistemet tona arsimore dhe edukative, me të gjitha sfidat që po i sjell me vete modernizimi teknologjik, ne, megjithatë, besojmë fuqishëm në potencialin tonë njerëzor, në vullnetin dhe gatishmërinë e rinisë sonë për të ecur në hap me të tjerët, për të kontribuar për një të ardhme të shëndoshë, pozitive dhe të ndritshme.
Le të shfrytëzojmë 15 vjetorin tonë, si një rast për të përçuar tek gjeneratat e reja mesazhin e rëndësishëm jetësor: e kemi obligim parësor të kemi motive të larta, vendosmëri e vullnet të fortë; se duhet të largojmë nga agjenda jonë gjërat e kota dhe t’i zëvendësojmë me punë të vlefshme; që secili prej nesh ta ketë si model dhe shembull njeriun progresiv e të suksesshëm në jetë.
Krejt kjo në përputhje me premtimin e Allahut në Kur’anin Fisnik: “Dhe thuaj: ‘Veproni, Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i Dërguari i Tij dhe besimtarët…” (Teube: 105)
Përgjithësisht, jeta është sikur një varkë e cila përplaset nga valët e detit. Dallgët e jetës nënkuptojnë rëniet dhe ngritjet tona, dhimbjen dhe shpresën, dëshpërimin dhe gëzimin, gjëra këto të cilat na ndjekin për çdo ditë, prej çasti në çast. Ngadhënjyes janë ata që nuk dorëzohen përballë stuhive dhe sfidave, ata të cilët me urtësi dhe durim i tejkalojnë sprovat që sjell koha. Në këtë kuptim, mos të shkojmë më larg, por si shembull le të na shërbejnë djemtë e kombëtares sonë, heronjtë e fushës së gjelbër, të cilët para dy ditëve arritën suksesin më të madh në histori, kualifikimin në një kampionat evropian të futbollit. Urime dhe suksese të mëtutjeshme.
Urime viti i ri hixhri 1437, me lutje që ky vit të jetë viti i mbarësisë sonë fetare dhe kombëtare.
Paqa, mëshira, begatitë e Allahut qofshin mbi të gjithë Ju.

Exit mobile version