Edhe sikur bashkësia ndërkombëtare ta shfrytëzonte Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) që të veprojë më shpejtë në zgjidhjen e shpejtë të kontestit të emrit, nuk shoh asgjë të keqe në interes të qytetarëve.
Prioritet për të gjithë qytetarët në Maqedoni është të zgjidhet ky dhe problemet tjera për shkak se alternativa e vetme për ne është BE-ja dhe NATO-ja. Këtë në intervistën për Radio “Evropa e Lirë” e deklaroi nënkryetari i BDI-së dhe njëherësh kryetar i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Ai ndaj deklaratës së kryeministrit Gruevski, se nëse janë të detyruar do të ketë zgjedhje të parakohshme, përgjigjet se edhe BDI-ja, por edhe populli janë të lodhur nga zgjedhjet, sepse për së tepërmi pati zgjedhje, prandaj partia është më shumë për zgjidhjen e problemeve, përfshirë këtu edhe emrin, se sa tërë kohën të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Në pyetjen nëse lideri i BDI-së Ahmeti i luajti pas shpine Gruevskit me deklaratën e tij se propozimi i ndërmjetësit Nimic është Maqedonia e Epërme ose ajo është pjesë e ndonjë skenari, Mexhiti u përgjigj:
“Qëndrimi ynë ishte se nuk do të pranojmë emër i cili do të ketë parashenjë jugosllave dhe dy-tre që ishin kontestuese, ndërsa gjithçka tjetër është e pranueshme. Edhe Maqedonia e Epërme. Ne qysh në fillim treguam publikisht se ky propozim është i pranueshëm.
Nënkryetari i BDI-së Mexhiti thekson se ndoshta me VMRO-DPMNE-në kanë qëndrime të ndryshme ndonjëherë për emrin, por se arsyeja për zënkat përmes medieve nuk është ajo se partnerët e koalicionit nuk komunikojnë mes vete.
“Mendoj se nuk mund të vendoset një paralelë e tillë. Ne nuk kemi dërguar porosi përmes medieve, porositë dhe mendimet i japim ku është e nevojshme, në tavolinë, bisedojmë rreth asaj pa dallim që në momente ndoshta kemi qëndrime të ndryshme, por në asnjë rast nuk kemi dërguar porosi përmes medieve për përmirësimin ose përkeqësimin e raporteve mes partnerëve të koalicionit.
Sa i përket emrit dhe çështjeve tjera, legjitime është të informohen qytetarët dhe anëtarët, cilët janë mendimet tona dhe në çfarë drejtimi shkojnë punët”, thotë nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.