Të hënën në Beograd do të mbahet seanca e përbashkët e kabineteve qeveritare të Serbisë dhe Maqedonisë.
Seanca është pjesë e bashkëpunimit dhe nivelit të lartë të marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve dhe se ky bashkëpunim i fqinjësisë së mirë starton me mbledhjen e përbashkët të Qeverive të Serbisë dhe Maqedonisë.
Por, nga ana tjetër, ministrat shqiptar në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë nuk do të marrin pjesë në këtë seancë. Burime pranë partisë shqiptare BDI theksuan për INA se asnjë nga ministrat shqiptarë nuk do të marrin pjesë në këtë seancë të përbashkët qeveritare në Beograd. Ndërsa, kjo është konfirmuar edhe nga zëvendëskryeministri për evrointegrime i Maqedonisë, Fatmir Besimi, i cili ka theksuar se nuk do të jetë pjesë e kësaj seance.
Por, zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev ka theksuar se mbledhjet e tilla me nismën e Maqedonisë gjatë periudhës së ardhshme do të mbahen edhe me qeveritë e Bullgarisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në fokusin e këtyre mbledhjeve do të jetë edhe bashkëpunimi ekonomik. Në Beograd, para takimit të dy qeverive do të mbahet një mbledhje e përbashkët midis dy kryeministrave Ivica Daçiq dhe Nikolla Gruevski. (INA)