Categories
Lajme

Mjekët e huaj të mësojnë gjermanishten

Rreth 2500 vende pune për mjekë në spitalet gjermane janë ende të paplotësuara. Gjermania po kërkon sërish mjekë të huaj. Por, jo të gjithë mjekët flasin mirë gjermanishten kur nisin punën.
Në Gjermani ka mungesë mjekësh. Sipas të dhënave të Shoqërisë Gjermane të Spitaleve, rreth 2 500 vende mjekësh janë të paplotësuar nëpër spitale. Prandaj mirëpritet ardhja e mjekëve nga bota e jashtme. Brenda 10 vjetësh numri i tyre është dyfishuar, raporton DW.  32.458 mjekë me rrënjë të huaja janë punësuar në Gjermani në vitin 2012, bën të ditur Dhoma Federale e Mjekëve. Gati një ndër dhjetë mjekë janë nga bota e jashtme. Dy të tretat e tyre janë nga shtetet e BE-së. Numrin më të madh të të huajve e përbëjnë mjekët nga Rumania, të pasuar nga Greqia.
Në parim, ata nuk duhet të kenë vështirësi me gjuhën, sepse kjo kërkohet nga Rregullorja Federale e Mjekëve në Gjermani, në paragrafin 3 të rregullores. Por, kërkesat për njohuritë gjuhësore ndryshojnë nga landi në land. Në landet e Saksonisë dhe të Saksonisë së Poshtme mjafton një çertifikatë gjuhësore në nivelin B2. Në Tyringen, në Baden-Vyrttemberg dhe në Rajnland-Pfalc ka kërkesa më të larta. Mjeku i huaj duhet të bëjë një provim për gjuhën e profesionit.
Edhe landi i Renanisë Veriore-Vestfalisë po e ndjek këtë traditë. Deri tani ky land ka qenë “relativisht i hapur, liberal dhe bujar” përsa i përket nivelit të njohurive gjuhësore. Shkak i mundshëm për këtë është se në Renaninë Veriore-Vestfali nevoja për mjekë është më e madhja në Gjermani. Por që prej fillimit të vitit njohuritë e gjermanishtes kontrollohen më rreptësisht se më parë. Përpara se të pranohet për provimin e njohurive profesionale, mjeku i huaj duhet të paraqesë edhe në këtë land certifikatën për nivelin B2 të gjermanishtes.
albinfo.ch

Exit mobile version