Afërdita Demiri
Para se të filloj t’i shkronjëzoj mendimet më duhet të theksoj se jam e shoqëruar nga ndjenja e frikës se mos vallë po i thyej ligjet e shkrimit, e aq më tepër po më vret ndërgjegjja se mos vallë do të bëj gabime të cilat nuk i takojnë një njeriu që ka statusin tim, megjithatë ndjenja e dëshirës për të konkretizuar ndjenjat dhe mendimet ja tejkalon frikës së shkeljes së ligjeve të shkrimit.
Për dallim nga shtazët qenia së cilës ju janë nënshtruar këto të fundit jeton në bazë të disa normave, ligjeve, rregullave të cilat janë të diktuara nga rrethi shoqëror në të cilin frymon dhe shpesh here, për shkak të moszbatimit të tyre mund të ndëshkohet me ndëshkime të llojeve të ndryshme të cilat në shoqëri të ndryshme janë të ndryshme.
Megjithkëtë, pandeh se ekzistojnë norma të cilat janë univerzale për të gjithë njerëzit, fundja njerëzit sa janë të ndryshëm, aq janë edhe të njëjtë, të tilla norma mund të përmendi: ligjet morale apo njerëzore , pra vrasja është krim si në vendet e Afrikës së varfër ashtu edhe në ato të Amerikës së pasur.
E tërë e keqja njerëzore që është shkaktuar që me fillimin e jetës në tokë e deri më tani është si fryt apo rrjedhojë e neglizhencës ose më mirë thënë e mosaplikimit të normave, ku këto të fundit shpesh herë dinë të jenë edhe jonormale, por kam për qëllim mosaplikimin e atyre normave që njihen edhe nga vet subkoshienca e njeriut por shpesh herë kjo e fundit u lëndua nga epshet shtazarake të qenies njeri por pa njerëzi të cilat shkaktuan krime të ndryshme në tokë e me këtë u konkretizua konstatimi se: “ndonjëherë kafshët janë më njerëz se njerëzit e njerëzit me kafshë se kafshët“.
Prandaj , për të qenë njeri në plotkuptimin e fjalës nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por parasegjithash një ndergjegjje e pastër, e cila kultivohet duke mosplotësuar çfarëdo lloj dëshire lakmitare, meqë fundja kemi mendje me të cilën dallohemi nga shtazët për të identifikuar se çka është e mirë e çka e keqe.
Andaj, para se të thyejmë një normë shoqërore duhet ta marrim parasysh dënimin që shkakton ndërgjegjja e që ky është një dënim më i rëndë se ndonjë ligj i caktuar nga vendosësi i dënimeve.
E nëse nuk na vret as ndergjegjja atëherë lirisht mund të shtroni pyetjen “vallë, a jam unë njeri?!” .
Fare në fund do të doja ta përmbyllja me një dëshirë të zjarrtë që në botë të triumfonin njerëzit me njerëzi e jo ata që e kanë vetëm emrin njeri, nëse mund tju themi ashtu.
Categories