Para pak ditësh, lajmi që na gëzoi të gjithëve ishte se dy lojtarë me origjinë nga Kosova, që ishin lindur e rritur në akademinë e futbollit të klubit të famshëm gjerman Hamburg, kishin pranuar ftesën e Kombëtares shqiptare U-17 për t’u veshur Kuq e Zi.
Edhe pse ka goxha punë për të bërë, orgnizmi më i lartë i futbollit, FSHF, duket se po nisë të zgjohet nga gjumi dhe po mundohet të ndalojë sadopak largimin e talenteve tanë nëpër ekipet kombëtare të tjera.
Detyrë parësore e FSHF-së është që t’ju dërgojë ftesa, pastaj do të mbetet në ndërgjegjen edhe zgjidhjen e personale të vetë futbollistëve, pavarësisht se shumë nga ata që kanë marrë ftesë kanë abuzuar me interesimin tonë.
Dren Feka dhe Leon Morina, dy lojtarët e Hamburgut, kanë thënë për mediat shqiptare se ëndrra tashmë u ishte realizuar dhe pritet të debutojnë në miqësoren kundër Sllovenisë.
Nuk kaluan shumë kohë dhe “ekspertët” e futbollit, dalin në pah. “Shqipëria mbledh “ajkën” e Kosovës” – thotë një artikull, në të cilin shprehet “shqetësim” se si Shqipëria po mbledh talentët shqiptarë me origjinë nga Kosova.
Federata shqiptare, që deri dje ishte akuzuar për lënien pas dore (me plot të drejtë) të talenteve shqiptarë, tani akuzohet për “interesim të tepruar”! Por, ajo që ra në sy ishte se asnjëri nuk u interesua që këto kritika t’ia bëjë
Zvicrës, Norvegjisë, Finlandës, Greqisë e disa ekipeve tjera, ku kanë më shumë se një lojtar shqiptarë, qoftë në Kombëtaren A, apo edhe në ekipet zinxhirë.
Vendimi i FSHF-së
T’i kthehemi pak kampionatit. Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë një vendim, me anë të të cilit lojtarët shqiptarë që janë më origjinë nga Kosova nuk do të konsiderohen “të huaj” në Shqipëri.
Kësisoj, një skuadër e Kategorisë Superiore të Shqipërisë mund të luajë me 11 lojtarë me origjinë nga Kosova, nëse ata kanë kualitete, sigurisht.
Futbollistët shqiptarë të Kosovës ishin ankuar prej kohësh (me shumë të drejtë) për mungesë promovimi në arenën ndërkombëtare, madje edhe ekipet e Superligës së Shqipërisë hezitonin t’i ofronin me klubet e tyre, për shkak të kufizimit të lojtarëve ekstrakomunitarë. Por, çuditërisht edhe ky vendim u cilësua si “shkatërrues” për futbollin e Kosovës!
Se jemi popull që e kemi zakon, që për gjëra të mëdha, të presim pafundësisht, kjo tashmë dihet, por po ashtu, dihet që për gjëra që akoma nuk i kemi parë si funksionojnë, ngutemi, paragjykojmë, deri në atë pikë sa arrijmë edhe ta dëmtojmë një proces të nisur.
Këta “ekspertë” nuk e panë të udhës të reagojnë kur ekipi më i trofeshëm në Kosovë, KF Prishtina, zhvilloi ndeshje (ar)miqësore me një ekip inferior nga Mali i Zi, duke u fyer lojtarët shqiptarë gjatë gjithë ndeshjes. Kjo në logjikën e tyre të mjerë nuk është “agresion”, por është takim “miqësor”, pa marrë parasysh se ndeshja u ndërpre, se tifozët shpalosën pankarta “Kosova është Serbi”, “lufta” jonë është me Shqipërinë!
Madje “ekspertëve” nuk u bëri përshtypje as poshtërimi që u bëri përfaqësuesja malazeze, e cila për nder të 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kishte dërguar një ekip kadetësh (derisa pritjet ishin që të vinte Përfaqësuesja A) për t’u ndeshur me Kosovën. Kur i krahason të gjitha këto inate, xhelozi mes vete, të sillet ndërmend fjalët “Rroka armët, ngjita mali të luftoja, për liri e për atdhe, por nuk e dija unë i mjeri se armiku ishim vetë ne!”/ssh/
Categories