1

Më thirrën gjethet, si shkronjat veten,

T’ua them fjalët e botës – sa jemi këtu.

T’u them se gëzimet e mia pa i parë mbetën,

Dhe gjethet më shikojnë si tash sytë e tu.

2

Më thirri era, si të ardhmen zamani,

E unë ktheva kokën në çdo anë.

Le të vijë, siç vjen pa e thirrur jarani,

Se mallin e së djeshmes së saj sot e mban.

3

Më thirri drita t’i shkoj në prani,

Të më shohin njerëzit, unë ata jo.

Unë gjysmëgojërisht i thashë “ani”,

E ajo mendoi se i thashë “po”.

4

Më thirri “errësira” – brohorita,

Ajo u çudit pse u gëzova shumë.

Sikur ta dinte se sa e prita,

Ta shoh veten pastër, si ujin në lumë.

5

Më thirri bota, gosti kishte bërë,

Edhe dielli, edhe hëna qenë aty.

M’u lut të shkoja një kontinent i tërë,

E vetja më tha: “Unë nuk shkoj pa ty!”

6

Më thirri kush më gjet e kush më pa,

U thashë: shkoni dhe dehurisht vallëzoni,

Ata vdekja i dashuronte, mua jeta më la,

Ani, veçse durimit qetësinë mos ia tërboni!

 ***

Arsim Jonuzi