Mozaiku Islam, i cili, në fakt, është përmbledhje e disa shkrimeve të mia, me tematikë islame, të cilat janë botuar në disa gazeta, revista dhe web portale në gjuhën shqipe. Këto shkrime janë shkruar në kohë të ndryshme dhe janë botuar në vende të ndryshme. Për atë, me qëllim që dobia e këtyre shkrimeve të jetë më e madhe, vendosëm që t’i tubojmë dhe t’i botojmë në një libër.
Marrë parasyshë se shkrimet kanë të bëjnë me çështje të ndryshme islame, gjegjësisht trajtojnë tema të shumta islame, e jo një temë, vendosëm që këtë përmbledhje ta titullojmë Mozaiku Islam-tema islame-, ngase vërtet këto tema janë si ngjyrat e një mozaiku të cilat e plotësojnë dhe zbukurojnë hapësirën ku gjinden, që në fund, së bashku, të paraqesin një mozaik të bukur.
Është e vërtetë se në kohën e fundit, web portalet kanë marrë hov të madh, dhe realisht janë medium më i frekuentuar nga lexuesit. Në përgjithësi, interneti si shtëpi më e madhe e publikimeve elektronike, ka ecur shumë para dhe ua ka tejkaluar mediumeve tjera, megjithatë, unë besoj se libri e ka rolin e vet të pazëvendësueshëm dhe do të vazhdojë të jetë dëshmi më e madhe e kulturës dhe shkencës. Nisur nga kjo, si dhe nga kërkesa dhe këshilla e disa dashamirëve të librit që të mund t’i lexojnë shkrimet e mia, të cilat janë publikuar më herët në disa revista, dhe nuk gjinden as në web portale, vendosa që këto shkrime, që disa prej tyre janë publikuar vetëm në disa web portale, t’i botojë edhe si libër, nisur nga bindja ime se librin  e shkruar në letra, e jo vetëm në formë elektronike, edhe realisht edhe simbolikisht, nuk ka kush e zëvendëson.
E lus Allahu e Madhërishëm që këto shkrime t’i bëjë të dobishme për lexuesin. Nëse në këto shkrime ia kam qëlluar, kjo është mirësi e Allahut, e nëse kam gabuar, kjo është lëshimi im si njeri dhe mashtrim i djallit. E lus Allahun që të më falë mua, ty lexues i nderuar, dhe gjithë besimtarët. Amin.