Mendimtari islam dhe anëtari i akademisë së studimeve islame, pranë Ez’herit, dr Muhamed Amare, ka reaguar nëpërmjet një deklarate, lidhur me ngjarjet e fundit në Egjipt.
Zëri i dr Muhamed Amare, i është bashkuar zërit të shumë mendimtarëve dhe ulemave të tjerë të rëndësishëm, në Egjipt dhe jashtë tij, që e kanë dënuar grushtin e shtetit ndaj presidentit Morsi.
Në deklaratë, dr Muhamed Amare thotë:
Kam menduar se qëndrimi im nuk ka nevojë për një deklaratë, por pas disa pikëpyetjeve të ngritura nga disa, unë deklaroj:

  1. Ajo që ndodhi me 3 korrik 2013, ishte një puç ushtarak ndaj ndryshimeve demokratike, të cilat ndodhën pas revolucionit të 25 janarit 2011, pas të cilave u hartua kushtetuta e re, në të cilët shprehen qartësisht rregullat e marrjes së pushtetit në mënyrë paqësore, nëpërmjet kutisë së votimit, siç ndodh në të gjitha shtetet demokratike.
  2. Ky puç ushtarak, do i kthejë akrepat e orës së Egjiptit gjashtëdhjetë vite pas, në kohën e shtetit policor dhe përjashtues të forcave opozitare, në kohën kur vullneti i popullit manipulohej.
  3. Ky puç ushtarak të cilit iu hapën të gjitha portat, nuk do të dëmtojë vetëm ndryshimin demokratik në vend, por dëmton edhe forcat ushtarake të armatosura, pasi i angazhon në misione të tjera, duke anashkaluar misionin e tyre madhor. Sa herë që ushtria është përfshirë në aktivitetin politik, vendi është përballur me disfata nga më të ndryshmet.
  4. Ajo që e rëndon më shumë këtë puç, është fakti se ai është një puç edhe ndaj identitetit islam të Egjiptit, identitet i cili është rrënjosur përgjatë historisë, duke u hapur portën trazirave sektare.
  5. Kushtetuta e votuar nga populli, tashmë është një besë dhe marrëveshje sa sociale, politike dhe ligjore, mes popullit dhe shtetit. Bazuar në këtë marrëveshje, presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike, gëzon besën e mbarë popullit për katër vitet e ardhshme. Prandaj dhe largimi i presidentit nëpërmjet puçit ushtarak, është i pavlerë ligjërisht.

Zoti e mbroftë Egjiptin nga rreziqet që i kanosen nga ky puç dhe e drejtoftë vendin drejt asaj që është më e mirë!
Dr Muhamed Amare