Categories
Lajme FRI

Muhamed (savs)

Më thonë të shkruaj për ty, e ku të gjej unë fjalë për ta përshkruar këtë dashuri!
Për ty kur dua të shkruaj, fjalët e mia turpërohen.
Skuqen veç nga mendimi se duhet të të lavdërojnë ty
Kësaj rruge druhen t’i hyjnë,
Se e kanë kuptuar sa të ligështa janë,
Se pafuqinë e tyre për të të lëvdëruar ty, e dinë!
Por, unë pa shkruar për ty nuk mund të rri!
Dhe ç’është kjo dashuri!
Pa të parë! Zërin kurrë pa ta dëgjuar!
Më i dashuri im je bërë! Je bërë malli im që s’ka të mbaruar!
Malli për ty është si det që nuk di të qetësohet asnjëherë
Ashtu i stërmadh e i stërgjërë,
Më merr të tërën në brendinë e tij,
E unë të dal prej aty nuk di!
S’dua të di! Se dua të shkrihem në të, me gjithë dashurinë për ty që s’duron t’i vë kufi.
I dashuri im!
Veç një herë fytyrën të ta kisha parë!
Aromën tënde një herë ta kisha ndjerë,
dhe më s’do të merrja frymë një jetë të tërë!
Ashtu e mahnitur pranë teje të qëndroj.. dhe lotët, si çdoherë, të mos mund t’i ndaloj.

Një çast si ky, çdo ditë që marr frymë në zemër e pikturoj
Dhe të përmendurit e emrit tënd mijëra ngjyra i shton,
Muhamed! Jo, s’do të përpiqem fare ta përshkruaj mënyrën se si tingëllon.
Po t’më shihje ç’më ka bërë dashuria jote!
Më ka ngritur mbi çdo iluzion të kësaj bote!
Nga çdo kotësi zemrën time e ka pastruar,
Çdo atom e qelizë në mua aq butësisht e ka dezinfektuar
Dhe e ka ngritur fronin për një ëndërr që të qetë s’më lë
Të pi nga duart tua ujin e bekuar dhe kurrë etje për ty të mos kem më!
Salallahu alejke!
Shqipe Palloshi

Exit mobile version