Categories
Lajme

Muhamedi (a.s), Krenaria e Njerëzimit

Unioni i Bashkësive Islame Shqiptare në Gjermani (UBISHGJ) – Union der Islamisch Albanischen Zentren in Deutchland (UIAZD) ka organizuar së fundmi, pikërisht para tre ditësh, të shtunën, më dt. 02-02-2013, prej orës 15:00, në sallën “Akkurt”, në Paul-Esch str. 54, në qytetin e Duisburgut (Gjermani) tribunën kushtuar profetit të fundit të njerëzimit, Muhamedit a.s. Përmes një programi të larmishëm fetaro-kulturor, i pasuruar kryesisht me lexime Kur’ani, recitime, ilahi, ligjërata etj., kanë marrë pjesë me qindra shqiptarë, të ardhur nga diaspora shqiptare, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Svicra, Austria si dhe nga trevat etnike shqiptare, të cilët kanë krijuar një ambient të mrekullueshëm në tribunën me temë: Muhamedi (a.s), Krenaria e Njerëzimit.
Moderatori i kësaj tribune ishte Besnik Rama, i cili është njëherazi sekretar i përgjithshëm i UIAZD-së dhe kryetar i Qendrës Islame Shqiptare Ballkan në Mynih. Në këtë tribunë vihej re pjesëmarrja e gjërë e të rinjve e të rejave, të cilët veprojnë dukshëm në udhën e drejtë të profetit të mbarë njerëzimit, Muhamedit a.s.
Për më tepër ju ftojmë të ndiqni disa nga fotot e këtij aktiviteti fetaro-kulturor kushtuar profetit Muhamed a.s, paqja dhe bekimi i Allahut xh.hu qofshin mbi të.
Aktivititeti hap pas hapi:
Fillimisht, ndër emrat më të njohur botëror për lexues të Kur’anit Famëlartë, Xhelal ef. Kaloshi, solli për të pranishmit suren el-Ahzab, Ajetin 38 – 48. Më pas, nën prezantimin e moderatorit Besnik Rama (sekretar i përgjithshëm i UIAZD-së), iu dha fjala përshëndetëse dhe mirëseardhëse përfaqësuesit të mbarë qendrave shqiptare islame në Gjermani, kryetarit të UIAZD-së, të nderuarit Hafiz Laurent ef. Ibra. Pas tij fjalën e mori zv.kryetari i UIAZD-së Zulhajrat ef Fejzullahi, i cili kujtoi për miqtë e pranishëm rolin e këtij unioni, i cili bashkon në një “kupolë” të vetme të gjithë qendrat islame në Gjermani. Ai foli qartë për rolin e rëndësishëm dhe kontributet e çmuara që ka dhënë UIAZD-ja në vazhdimësi.
Më pas tribuna fetare-kulturore ia la vendin ilahive, ku Gëzim Berisha, imam në Hagen, këndoi “Ishe shembull për këtë dine”. Pas tij radha ishte për anëtarin e kryesisë së UIAZD-së, Ridvan ef. Kurtishi. Ai mbajti ligjëratën me temë: “Muhamedi a.s., simbol i tolerancës dhe mirëkuptimit”.
Më pas ilahi të tilla si “Gjithë zemrat na i gëzove mbushur me sevda”, “Kurban t’u bëfsha ja resulAllah”, “Muhamedi në Mekke lindi” etj., nën zërin e ëmbël e kumbues të Remzi Jasharit, Faik Bajkiut dhe Shenasi Ademit kënaqën pamasë miqtë, vëllezërit e motrat e pranishme.
Xhelal ef. Kaloshi, imam në xhaminë shqiptare në qytetin e Ingolstadtit, realizoi një recitim kushtuar profetit Muhamed a.s. Pas tij do të vinte ligjërata me temë në të tjera dimensione: “Muhamedi a.s., krenari e njërëzimit” nga Rexhep ef. Sulejmani, imam në xhaminë e Shtutgartit.
Recitimet e grupit të xhamisë Drita si “Ti afër e unë larg” krijuan një ambient të këndshëm kulturor. Pas tyre radha ishte për Nasir ef. Alitin, imamin e xhamisë Furkan në Duisburg, i cili prezantoi Mevludin Tradicional.
S’kishte si të mungonte prof. Ferid Piku, drejtori i shoqatës kulturore “Ardhmëria”, i cili përshëndeti të pranishmit në emër të mysafirëve të ardhur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Zvicra, Austria etj. Pas tij programi do të vijonte me imamin e Düsseldorfit, Mensur ef.Halili; dy poezi (monolog) “për ty atdhe” dhe “mos më prek n’flamur” nga grupi i recitimeve të qendrës shqiptare në Shtutgart për të ardhur në fund të gjithë këtij aktiviteti tejet të pasur, me ndarjen e vleresimeve nga UIAZD-ja, ku u nderuan tre veteranë të UIAZD-së, tre imam të cilët kanë marrë tituj doktorature dhe magjistër në fakultetet gjermane dhe 15 studentët më të mirë shqiptarë në tërë Gjermaninë, të cilët janë aktivë edhe pranë Qendrave perkatese. Në fund të programit nuk kishte si të mungonte darka tradicionale shtruar për nder të gjithë vëllezërve e motrave myslimane.
(Balkan e.V.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version