Liridon Ismaili
Kur flitet për jetën dhe veprën e Muhamedit (a.s.) mendoj që nuk është e drejtë të flitet mbi (ose vetëm) profetësinë e tij para se të flitet mbi njerëzoren e tij, ngase ai para se të ishte profet ishte njeri. Kur flasim mbi profetësinë, realisht ne flasim për një mision që i ishte obliguar nga ana e Zotit, mision ky që zgjati plot 23 vjet. Nëse vendosim tërë fokusin mbi këtë mision, ne po gjymtojmë jetën dhe veprën e tij të begatë, ngase ai jetoi 63 vjet dhe kështu ne po i mohojmë 40 vjet të plota njerëzore. Shpeshherë duke dashur ta paraqesim figurën e tij të ndritshme në formën më të mirë, para atyre që fare se njohin apo pak kanë dëgjuar për të, me padije dhe padashje duke bërë një qasje të tillë ne po e mjegullojmë, paqartësojmë dhe zbehim figurën dhe jetën e tij.
Duke u munduar te shpjegojmë se si ishte i kujdesshëm ndaj të gjithë gjërave në përgjithësi, kurse ndaj njerëzve në veçanti, për shkak se ishte profet, harrojmë të potencojmë faktin se, ngase ishte njeri dhe njerëzoren kishte si vlerë, kujdesej dhe brengosej për çdo njeri dhe jo vetëm. Nuk kishte asgjë më shumë se të tjerët dhe nuk ishte as më i kompletuar se ta, për shkak se edhe ai kishte dëshira, nevoja, kërkesa dhe gjthçka që posedon dhe ka nevojë njeriu.
Nëse ndalemi pak dhe vështrojmë jetën e tij, shohim se nuk u veçua me diçka nga njerëzit tjerë, pos me atë që Zoti gjithsecilin veçon nga tjetri. Në fëmijëri ushqehej dhe luante sikurse gjithë femijët tjerë. Në moshën rinore u angazhua dhe punoi si bari (profesion i kohës), si gjithë të tjerët kështu duke dëshmuar se angazhimi dhe puna është domosdoshmëri jetësore për çdo qenie të gjallë, pa përjashtim. Më vonë kur u rrit dhe mbushi të njëzetat filloi një aventurë të re jetësore, kështu ndryshoi profesionin dhe filloi të merret me tregti. U bë tepër i suksesshëm për shumë pak kohë, formula e suksesit nuk ishte kushedi se çfarë, pos dëshirë, përkushtim dhe besnikëri, këto ishin komponentat që e ngërthenin personalitetin e tij, në punë dhe jetë, e që duhet t’i posedojë secili njeri.
U dashurua, martua dhe krijoi familje, ashtu siç bëjnë njerëzit. Familja e tij dallohej dhe veçohej nga të tjerat ngase në të mbizotronte dashuria, mirëkuptimi dhe toleranca, elemente këto që sigurojnë harmoninë familjare dhe atë bashkëshortore.
Filozofia më e madhe e jetës së tij shtrihet në atë se nuk u imponua as nga rrethanat e as nga të tjerët, nuk ndiqte turmën (shumicën), në besim apo veprim, nuk u izolua e as s’u veçua përballë problematikave shoqërore, ishte aty gjithnjë dhe gjithherë kur duhej.
Madje si adoleshent mori pjesë në një betejë qe u zhvillua mes fisit të tij dhe një fisi tjetër. Edhe pse vetë nuk luftoi, duke dëshmuar qartë se ishte kundër dhunës dhe gjakderdhjes, u ndihmoi xhaxhallarëve të tij me ushqim dhe shigjeta, duke na mësuar se gjatë trazirave si duhet pozicionuar. Nuk kishte shembull që të ndiqte andaj i vuri mision vetes, që të bëhej shembull për të tjerët e të ndiqej.
Nëse nuk do t’i posedonte të gjitha këto dhe po të mos ishte i njohur në mesin e njerëzve, nuk kishte sesi të fitonte në shoqëri epitetin e besnikut, (lexojeni rastin e ndërtimit të Qabes dhe vënien e gurit të çmuar).
I çmonte dhe vlerësonte të gjithë njerëzit pavarësisht statusit që kishin, qoftë ai shoqëror, ekonomik, etnik apo atë të besimit, sigurisht që edhe ai çmohej dhe vlerësohej nga të gjitha shtresat. Nuk u pajtua asnjëherë me asnjë nga padrejtësitë që ndodhnin në shoqëri pavarësisht të cilës sferë ishin ato, i luftoi të gjithë të këqijat, pa dallim, me aq forcë që kishte, në formën më të mirë.
Natyra e tij ishte tejet e butë dhe në biseda me njerëzit, ishte parimor, i saktë dhe fjalëshkurtër. Fliste vetëm atëherë kur kërkohej dhe kur kishte të thoshte diçka me vlerë.
Respektonte mendimin e bashkëbiseduesit e sidomos kur bëhej fjalë për ndonjë më të moshuar, e pranonte atë dhe punonte sipas tij, sigurisht nëse nuk ishte në kundërshtim me parimet e tij. Kështu ishte etika e tij gjatë bisedës dhe pranimit të mendimit ndryshe.
Veçohej për meditim dhe pyeste për çdo gjë që e rrethonte, ndërsa vente në pikëpyetje shumë nga veprat që vepronin bashkëkohësit e tij. Nuk pasoi askënd dhe asgjë përveçse të vërtetën dhe të drejtën, andaj kushdo që ndjek atë, realisht ndjek të drejtën dhe të vërtetën njerëzore. Askujt nuk i takon që të përpiqet ta pronësojë atë e të thotë që ky është yni dhe vetëm ne na takon, sepse ai nuk ishte pronë e askujt por ishte njeri, pra i lirë brenda vullnetit të Zotit, si i tillë u takon të gjithë njerëzve. Ta mbrosh këtë vlerë, është detyrë e të gjithë njerëzve pa asnjë dallim, sigurisht e atyre që dëshirojnë ta ruajnë njerëzoren në mesin e djallëzorëve.
I nderuar lexues!
Kujto Muhamedin (a.s.) si njeri para se ta kujtosh si profet, ngase njerëzia e tij është e arritshme dhe i bën taman çdonjërit që dëshiron ta merr epitetin njeri, kurse profetësia jo, ngase ajo mbaroi me atë, të Dërguarin e fundit të Zotit, Muhamedin (a.s.).
Sekretet mbi zanafillën dhe mbarimin, ekzistencën dhe mosekzistencën si dhe vetë profetësinë i ka në dorë vetëm i Plotfuqishmi dhe vetëm Atij i takon përzgjedhja.
Mbaje mend këtë: Ai nuk ishte njeriu më i mirë për shkak se ishte pejgamber por sepse posedonte vlera të posaçme njerëzore apo humane. Ishte krijesa më e mirë në ekzistencë, prandaj Zoti e zgjodhi vulë (shenjë) të pejgamberisë.
Shenjë e cila vazhdimisht lexohet, ndiqet, kujtohet, ngase kështu ne gjejmë një model për jetë!
EDITOR
9 years ago
previous article