Dr. Mehmet Emin Ay

Pejgamberët janë njerëz të zgjedhur të Zotit, të cilët ai i ka pajisur me cilësi të ndryshme. Ndërkaq Muhammedi a.s., si i fundit i pejgamberëve, zë një pozitë më të veçantë. Me të është plotësuar zinxhiri i pejgamberisë, është kurorëzuar kjo detyrë e shenjtë.

Përveç asaj që Muhammedi a.s. është “mëshirë për të gjitha botët”, me emërtimin e tij me emra të bukur të All-llahu Fisnik, ai zë një pozitë të veçantë ndër pejgamberët tjerë. Zoti i Madhërishëm asnjë njeri apo pejgamber më parë nuk e ka cilësuar me emrat e tij“er-Rauf” (shumë i dhimbshëm) dhe “er-Rahim” (shumë i mëshirshëm), ndërkaq këtë e ka bërë me Muhammedin a.s. kur i thekson veçoritë e këtij pejgamberi të fundit:

“Vërtet që ju ka ardhur juve një i dërguar nga mesi juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja. (Është) i brengosur për ju, e për besimtarët është i butë dhe i mëshirshëm.”(et-Teubeh, 9 : 128)

 “Duart që duhen puthur…”

 Mund të themi që dhembshuria e mëshira kanë qenë pjesë e krijimit dhe e natyrës së Muhammedit tonë të dashur. Kjo është një dhuratë e Zotit ndaj tij. Me këtë dhuratë të Zotit ai ndjen dhembshuri e mëshirë ndaj mbarë njerëzimit dhe veten ia përngjan “një personi i cili mundohet t’i mbrojë njerëzit nga zjarri”. Kështu, ky pejgamber i dhembshurisë, e shpreh këtë në një hadith të tij të qëndisur me fjalë shumë kuptimplota:

“Shembulli im me ju është sikurse shembulli i fluturave e insekteve të tjera që fillojnë të hidhen në një zjarr të posandezur dhe i një njeriu që qëndron pranë tij dhe mundohet t’i mbrojë ato nga zjarri. Unë, pra, ju kap juve për brezi të belave tuaj që të mos hidheni në zjarr, kurse ju mundoheni të më shpëtoni duarsh”.

 Na kap për dore, të lutemi
Kurban iu bëfsha asaj dore
Na ço në rrugë të drejtë
Kurban iu bëfsha asaj rruge.

 Ti je dega që jemi kapur
Ti je trëndafili që i marrim erë
Ti je krahu që na jep forcë
Kurban iu bëfsha atij krahu.

 Kjo është feja e vërtetë, feja e vetme
Bëhu musliman e shpëto na thoshe
Ti na the të vërtetën
Kurban iu bëfsha asaj gjuhe.

 ( M. Jashar Kandemir )

 “Dhembshuria e mëshira që kaploi gjithësinë…”

 Meqë Pejgamberi i dashur (s.a.v.s.) ishte dërguar si mëshirë për mbarë universin, edhe butësia e dhembshuria e tij ishin universale. Sipas tij, krahas njerëzimit, edhe të gjitha kafshët, të gjitha bimët, madje edhe të gjitha sendet e pashpirt, janë amanete të Zotit. Angazhimi i tij i gjithëmbarshëm ishte që ta çonte në vend detyrën e ruajtjes së përgjegjësisë së këtij amaneti.

Me këshillën në vijim që kohë pas kohe ua bënte njerëzve përreth tij, dëshironte ta përhapte në mbarë tokën këtë mëshirë universale:

“Ai që është i mëshirshëm ndaj të tjerëve edhe Zoti është i mëshirshëm ndaj tij. Tregoni mëshirë e dhembshuri ndaj atyre që janë në tokë, në daçi të tregojnë mëshirë për ju ata që janë në qiej.”

Pejgamberi i ndershëm (s.a.v.s.), i cili arriti që ndaj mbarë njerëzimit, ndaj të gjitha qenieve në univers të sillej me butësi e mëshirë, shembujt më të bukur të kësaj i ka dhënë me dashurinë e pashoq që e bartte në zemër. Tani ejani të shikojmë se çfarë gurrë dashurie ishte ai.

 “Madje edhe në momentet më të vështira…”

 Pejgamberi ynë i dashur (s.a.v.s.), me zemrën e tij të mbushur plot butësi, mëshirë e dashuri, që ia pat falë Zoti Fisnik, për mbarë botën njerëzore gjithnjë ka qenë shpresëdhënës. Madje nuk i ka mallkuar as edhe ata që i kanë bërë padrejtësi dhe sa herë që i propozonin t’i mallkonte me shfarosje ata, ai u është përgjigjur:

“Jo, unë nuk jam dërguar për të mallkuar, por si mëshirë për të gjitha botët”.

Shembulli më tipik i këtyre ndjenjave që ai i kultivonte ndaj njerëzve u manifestua me rastin e udhëtimit të tij për në Taif (qytet në veri të Mekkes). Nëse doni, ejani tani të kthehemi në ato ditë plot kuptim e t’i përkujtojmë ato që patën ndodhur…

Pejgamberi i dashur (s.a.v.s.), bashkë me djalin e tij shpirtëror Zejd bin Harithin, u nis në rrugë për në Taif me qëllim që të merrte përkrahjen e të afërmve të tij atje dhe në njëfarë kuptimi t’i merrte ata si ndihmues në misionin e tij pejgamberik.

Kur mbërritën në qytet i tuboi të parët e vendit dhe filloi t’ua sqarojë Islamin. Mirëpo atje u ndeshën me një rezistencë të ashpër dhe u bënë cak i goditjeve me gurë që vinin nga fëmijët e nxitur nga popullata e vendit. Si pasojë e këtyre gjuajtjeve me gurë Pejgamberi i dashur u lëndua në këmbë, kurse Zejdi r.a., i cili u mundua ta mbronte Pejgamberin a.s., u lëndua e u përgjak në kokë.

Me zor u strehuan në një kopsht jashtë qytetit. Ishin të lodhur e të rraskapitur. Për më tepër, atij akoma ia përvëlonte zemrën hidhëtia e vdekjes së shoqes (Hatixhes) dhe e xhaxhait të tij (Ebu Talibit). Në këto momente kur po përjetonte dëshpërim mbi dëshpërim, ai i ngriti duart dhe iu lut Zotit, me fjalët që, për ummetin që do të vinte, ishin shembull i lutjes dhe i përgjërimit:

“O All-llah! Po ta shfaq Ty paaftësinë time, nënçmimin që po ma bëjnë këta njerëz. O më i Mëshirshmi i më të Mëshirshmëve!… Ti je Zoti i atyre të paaftëve që përçmohen nga të gjithë… Në qoftë se Ti nuk je i hidhëruar me mua, unë nuk mërzitem për këto që më vijnë në kokë e për këto vështirësi që po i përjetoj!… Mirëpo mëshira Jote është aq e gjerë sa nuk do t’i kishte shfaqur as edhe këto. O All-llah!… Strehohem te Ti nga dënimi dhe hidhërimi Yt. Jam para Teje dhe kërkoj falje derisa Ti të jesh i kënaqur me mua. Krejt forca e fuqia të takon Ty, o Zoti im!…”

Pas kësaj lutjeje e përgjërimi Pejgamberi (s.a.v.s.) për një kohë të shkurtër ndjeu një qetësi. Aty pranë erdhi një rob i quajtur Addas, i cili u solli atyre pak rrush. Edhe në këto momente më të rënda të tij, ai nuk përtoi të mos ia mësonte e sqaronte Islamin këtij djaloshi. Atë mirësi që e refuzoi populli i Taifit, kishte qenë e caktuar për djaloshin Addas i cili menjëherë aty për aty lëshoi zemër ndaj Islamit.

I dëshpëruar nga arsyeja se arriti të ndërmjetësonte për imanin e vetëm një personi, me fytyrë të hidhur u nis të kthehej për në Mekke, kur aty iu shfaq meleku i shpalljes, Xhibrili a.s., i cili i tha:

–      All-llahu i ka dëgjuar fjalët që ky popull t’i thanë ty. Ai e di se ata nuk kanë ndër mend të të përkrahin. Ty ta dërgoi melekun përgjegjës për kodrat. Ai do të bëjë çfarë t’i urdhërosh ti.

Meleku i dha selam Pejgamberit a.s. dhe i tha:

–       O Muhammed! Është e vërtetë se unë ndodhem këtu vetëm për këtë. Nëse ti dëshiron, unë mund t’i lëshoj këto dy kodra të thepisura mbi këta njerëz e t’i zhduk përnjëherë. Nëse ti e kërkon këtë, unë jam i gatshëm ta bëj menjëherë…

Simboli i butësisë dhe i mëshirës së pashoq, Muhammedi (s.a.v.s.), i shprehu disa fjalë që sot e asaj dite i kanë zbukuruar të gjitha librat e historisë:

–       “Jo! Këtë assesi nuk e dëshiroj… Prej Zotit tim kërkoj që prej pasardhësve të këtij populli të dhurojë një gjeneratë që nuk do t’i bëjë shirk Zotit dhe vetëm Atij t’i bëjë ibadet…”

Sikurse rasti i Nuhit a.s., atëherë kur u ndesh me stërmundimet dhe përçmimet e popullit të vet dhe iu drejtua Zotit me fjalët:  “E ai iu drejtua Zotit të vet: “Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!” (El-kamer:10), edhe Muhammedi s.a.v.s. në të njëjtën mënyrë ia shfaqi Zotit të njëjtën situatë të pakrye në të cilën ndodhej. Mirëpo Nuhi a.s. në vazhdim të lutjes së tij thoshte: “O Zoti im, mos lë mbi tokë asnjë nga jobesimtarët!” (Nuh:26), kurse Muhammedi s.a.v.s. së këndejmi mori një qëndrim tjetër dhe nuk e pranoi propozimin për shkatërrimin e popullit që e gjuajti me gurë… Ngase ai ishte i dërguar “mëshirë për botët”…

 “Dhembshuria e tij për çdo një qenie që bart shpirt…”

 Pejgamberi ynë i dashur i cili kishte ndjenja të këtilla të dhembshurisë ndaj njerëzve, edhe ndaj gjallesave të tjera sillej me po të njëjtën dhembshuri e ngrohtësi. Ngjarjet që do t’i përmendim më poshtë shkëlqejnë para syve tanë me një bukuri që nuk do t’i vjetrojnë as shekujt…

Ai Pejgamber që arriti të bëjë ndryshime e revolucione në fusha të ndryshme të jetës, edhe në aspekt të sjelljes me kafshët ka arritur të realizojë ndryshime të rëndësishme në shoqëri.

Ai ndaloi shumë zakone e adete të trashëguara nga xhahilijjeti (koha paraislame) si: zënia dhe përlarja e kafshëve, mundimi dhe keqtrajtimi i tyre, stigmatizimi i fytyrave të tyre, si dhe i mallkoi ata që kafshët i bënin caqe të gjalla gjuajtjeje me armë.

Po ashtu ndaloi që të bëheshin gara të gjata të leximit të poezive mbi shpina të deveve duke thënë: All-llahu i ka caktuar për shërbimin tuaj këto kafshë vetëm që ju të mbërrini me lehtë atje ku në këmbë mbërrini me vështirësi. Kurse tokën e ka krijuar për ju. Andaj, nevojat tjera tuajat plotësoni në tokë…”.

Gjatë një udhëtimi shokët e tij takuan një shpend shkëmbinjsh me të vegjlit e saj. Njëri prej tyre shkoi dhe i mori këta të vegjël të këndshëm nga foleja. Me këtë rast, nëna e të vegjëlve filloi të sillej vërdallë këtyre njerëzve. Këtë gjendje e vërejti Muhammedi s.a.v.s. dhe ia tërhoqi vërejtjen personit që i mori ata, duke i thënë:

“Kush e mundoi dhe e shqetësoi atë nënë duke ia marrë të vegjlit asaj? Le t’i kthejë menjëherë në folenë nga i mori!”.

Pejgamberi i mëshirës nuk e lejoi këtë sjellje të gabuar dhe u shqetësua vetë me keqtrajtimin që iu bë kësaj nëne të shpendëve.

Sa e kuptimtë është fjala e Pejgamberit të dhembshurisë i cili e quajti “haram” (të ndaluar rreptësisht) gjuajtjen për qejf dhe hedhjen e gjahut mënjanë!..

“All-llahu gjithsesi ka ta marrë në pyetje njeriun i cili pa arsye e ka mbytur një bilbil ose edhe një kafshë më të vogël se kjo”.

Në këshillat që ai ia jep nipit të vet shpirtëror Usame bin Zejdit e shohim të njëjtën ndjeshmëri:

“O Usame, të lutem ki kujdes ndaj kafshëve që janë nën kujdesin tënd! Se përndryshe ato do të të padisin ty përpara All-llahut në Ditën e Kijametit”.

Pejgamberit a.s. kohë pas kohe i paraqiteshin skena e pamje nga Xhenneti e Xhehennemi dhe ai i ndante këto me shokët e vet. Kështu ndodhi një herë kur ai u tha atyre se iu kishte shfaqur Xhehennemi dhe vazhdoi:

“Në Xhehennem e pash një mace e cila vazhdimisht ia rrepte fytyrën me thonjtë e vet një gruaje. Kur pyeta se përse ndodhte kështu, mu tha: ‘Kjo grua në dunja e ka mbyllë këtë mace në një dhomë dhe nuk i ka dhënë të hajë e të pijë dhe nuk e ka lëshuar që ajo vetë të ushqehet derisa macja vdes. Andaj edhe tani kjo grua gjendet në xhehenem dhe po dënohet…”.

Duke deklaruar se për një të keqe të këtillë njeriu mund të dënohet edhe me xhehenem, ai theksonte edhe faktin tjetër se për dhembshurinë dhe mirësinë që njeriu do ta tregojë ndaj kafshëve, do të gjejë shpërblimin te All-llahu Fuqiplotë… Një herë dikush e pyeti Muhammedin s.a.v.s.: “O i Dërguar i Zotit, a kemi ndonjë sevap (shpërblim) për mirësinë që tregojmë karshi kafshëve?”, ai u përgjigj:

“Për çdo kujdes e interesim që tregoni ndaj cilësdo gjallesë të Zotit, për ju do të ketë sevap e shpërblim”.

“E fitoi Xhennetin për ujin që i dha të pinte…”

 Në shumicën e përmbledhjeve të haditheve ku bëhet fjalë për gjerësinë e mëshirës dhe dhembshurisë së Zotit, theksohet e vërteta se për dhembshurinë e mirësinë që njeriu tregon karshi krijesave të tjera do të fitojë faljen dhe kënaqësinë e Zotit. Këtu më lejoni ta përmend një ngjarje që zë vend pothuajse në të gjitha burimet e haditheve dhe që me formën e shkëlqyeshme të rrëfimit të Muhammedit s.a.v.s. është ngulitur thellë në kujtesën e muslimanëve… Pejgamberi i dhembshurisë një herë tha:

“Një njeri ishte duke ecur rrugës. U etshua shumë dhe diku rastisi te një pus. Zbriti poshtë dhe piu ujë derisa e largoi etjen. Kur filloi të ngjitej lartë nga pusi e pa një qen që e lëpinte tokën nga etja që kishte dhe mendoi: “Këtë qen e paska kap etja sikurse mua” dhe sërish zbriti në pus, e mbushi këpucën e vet me ujë dhe ia dha qenit ta pinte. Për këtë sjellje që tregoi ky njeri, Zoti u bë razi me të dhe ai e fitoi xhenetin”.

Pejgamberi ynë i dashur aq i ndjeshëm ishte kur bëhej fjalë për trajtimin me dhembshuri të kafshëve saqë shpesh i porosiste njerëzit t’i prisnin thonjtë rregullisht me qëllim që të mos u shkaktonin dhimbje atyre me rastin e mjeljes së qumështit… Po ashtu i porosiste njerëzit që me rastin e mjeljes së kafshëve të linin qumësht të mjaftueshëm edhe për të vegjlit e tyre. Kështu në një rast ai e pa një njeri duke e mjelë një dhi dhe e porositi:

“Ki kujdes, lër pak qumësht edhe për të voglin e saj!”.

 “Deveja që ankohej nga pronari i saj…”

 Një ditë derisa Pejgamberi i dhembshurisë kalonte pranë një kopshti e pa një deve që rënkonte dhe i rridhnin lot. Iu afrua asaj dhe sikur ajo po i thoshte diçka Pejgamberit s.a.v.s. … Ky filloi t’ia lëmonte kokën dhe u mundua ta qetësonte atë si një nënë fëmijën e saj… Pastaj iu drejtua të zotit të devesë dhe i tha:

“A nuk po i frikohesh All-llahut për mundimin që ia jep kësaj kafshe? Shiko, ajo po ankohet prej teje… Atë ti e lënke të uritur dhe e ngarkuake më shumë se sa mund të bartë ajo.”

Një ditë tjetër ai e pa një deve që i ishte ngjitur barku për shpine nga uria, nuk mundi të duronte dhe tha:

“Të keni frikë nga All-llahu për hakun e këtyre kafshëve të pagojë!”.

Njerëzit shpeshherë kur ballafaqohen me ndonjë ngjarje të pakëndshme bien në dobësi dhe hedhin fjalë e mallkojnë gjithçka që kanë përreth tyre… Sidomos në viset rurale ku muslimanët merren me bujqësi e blegtori vërehet se ata shpesh i mallkojnë dhe i torturojnë këto kafshë të pagojë…

Ato që rrëfyem deri më tani ishin shembuj për nevojën e trajtimit të butë e me dhembshuri të tyre. Me ngjarjen që do ta tregojmë tani kuptojmë se ne nuk kemi të drejtë as edhe t’i mallkojmë ato dhe se një sjellje e këtillë është rreptësisht e ndaluar për njerëzit.

Gjatë një udhëtimi Pejgamberi s.a.v.s. e dëgjoi një grua se si e mallkonte devenë e saj duke zënë arsye hujin (sjelljen) e saj të ashpër që kishte. Ai menjëherë e urdhëroi gruan të zbriste nga deveja, ta shkarkonte barrën që e kishte ngarkuar mbi të dhe e urdhëroi atë grua që ta lëshonte të lirë devenë dhe askush të mos e përdorte më për punë…

Me këtë, ky Pejgamber i madh i dha një mësim shumë të rëndësishëm si asaj gruaje ashtu edhe mbarë ummetit që do të vinin pas tij. Si thoni, a mund ta shprehim kështu mesazhin që ne duhet ta marrim nga ky mësim?…

Këto kafshë të pagojë që Zoti i ka lënë në shërbim të njeriut, nuk i meritojnë fjalët e pahijshme që dalin nga gojët tona! Ato janë lënë për të na shërbyer neve. Pandershmëria ndaj tyre nga një aspekt është pandershmëri ndaj Zotit Fuqiplotë që i ka bërë ato të tilla…

 Krahas mëshirës e dhembshurisë që ai shfaqte karshi njerëzve e kafshëve, ne jemi dëshmitarë të dhembshurisë së tij edhe karshi bimëve dhe mjedisit.

Qytetet Mekke, Medine dhe Taif si dhe rrethinat e tyre ai i kishte shpallur si Zona të Mbrojtura Natyrore dhe me ngulm kërkonte kultivimin dhe mbrojtjen e gjelbërimeve të tyre. Një pyll pranë qytetit të Medines, i cili nga prerja e pandërgjegjshme e drunjve të tij ishte shndërruar në djerrinë, si rezultat i angazhimit të tij u kthye sërish në pyll.

Ashtu siç veproi në Mekke, të njëjtën e bëri edhe në Medine. 32 km rreth e përqark qytetit ai i shpalli “harem”, me çka atje ndalohej gjuajtja e kafshëve, prerja e drunjve dhe këputja e gjetheve. Me fjalë të tjera, Muhammedi s.a.v.s. këto hapësira i shpalli “Parqe natyrale”.

Krahas këshillave të Pejgamberit të dashur lidhur me ruajtjen e bimëve dhe të mjedisit, na bien në sy edhe instruksionet e tij lidhur me mbjelljen e drunjve e të pemëve:

“Nëse një njeri e ka marrë në dorë një fidan për ta mbjellë dhe fillon Kijameti, le ta mbjellë!”.

Në një thënie tjetër sihariqi kështu na mëson ky i Dërguar fisnik:

“Cilido musliman që mbjell një pemë apo një arrë me drithë, ai për këtë do të ketë shpërblim prej Zotit përderisa prej saj të ushqehen shpezët, njerëzit dhe krijesat tjera. Pa dyshim kjo sjellje e tij do të paguhet sikur të ketë dhënë vazhdimisht sadaka”.

 Në jetën e këtij Pejgamberi të dhembshurisë ne do të gjejmë shumë rrëfime të çmuara edhe rreth butësisë e mëshirës së tij jo vetëm ndaj krijesave me shpirt, por edhe ndaj atyre që s’kanë shpirt…

Kur të shikojmë përreth nesh, do të vërejmë shumë sende të cilat ne mendojmë se janë të pashpirt, kurse në fakt ato – edhe sipas gjetjeve të sotme shkencore – kanë një gjallëri dhe një lëvizje. Mirëpo me këtë rast, më me rëndësi është se për këto të vërteta neve na ka informuar Kur’ani fisnik shekuj më parë. Sa kuptimplotë është ajeti 88 i sures 27, en-Neml (“Thnegla”):

“E i sheh kodrat e mendon se ato janë të palëvizshme (të pashpirt), ndërsa ato lëvizin si retë; (kjo është) mjeshtëri e All-llahut që përsosi çdo send, e Ai është hollësisht i njohur se çka punoni.”

Mu si kodrat, edhe sendeve të tjera që ne i quajmë të pashpirt, All-llahu Fuqiplotë u ka dhënë detyra të caktuara… Dhe kur të dojë Ai, edhe sendet e pashpirt mund të flasin!..

Aftësia për të folur e sendeve të pashpirt, ka qenë një prej mrekullive të Muhammedit s.a.v.s.. Njërin prej këtyre rasteve na rrëfen Aliu r.a.:

“Derisa ishim akoma në Mekke, unë përpiqesha të isha gjithnjë pranë të Dërguarit të Zotit. Kështu një ditë dolëm bashkë jashtë qytetit dhe çdo dru e gurë pranë të cilëve kalonim e përshëndetnin atë duke i thënë:

Es-salatu ves-selamu alejke ja Rasulall-llah!” (“Shpëtimi dhe paqja qofshin mbi ty, o i Dërguar!”)

 “Rënkimi i trungut të hurmës”

 Se sa duhej Pejgamberi s.a.v.s. nga ana e një trungu të pashpirt hurme, u dëshmua nga ana e të gjithë sahabëve përpara syve të të cilëve kishte ndodhur ngjarja në vazhdim. Në përmbledhjet e haditheve kjo ngjarje shënohet nën titullin “Haninu’l-xhidh’i”, që mund ta përkthejmë si “Rënkimi i trungut të hurmës”.

Pejgamberi ynë i dashur në xhaminë e tij në Medine kishte një trung hurme në të cilin mbështetej derisa po e mbantehutben (predikimin) e tij. Pas një përdorimi të gjatë të këtij trungu për këtë qëllim, më në fund një grua sahabijje e kishte porositur një shërbëtor të sajin zdrukthëtar ta ndërtonte një minber, me çka trungu u la mënjanë në një qoshe të xhamisë. Kur për herë të parë Pejgamberi s.a.v.s.nisi të hipte në këtë minber të ri, përnjëherësh në xhami u dëgjua një rënkim. Derisa të gjithë përpiqeshin ta gjenin se nga po vinte ky rënkim, sytë e të dashurit Pejgamber s.a.v.s. u drejtuan kah trungu i vendosur në qoshe… Po, po. Ky rënkim vinte nga trungu i hurmës, nga po ai trung i tharë i hurmës, të cilin as’habët që e kishin dëgjuar me veshët e tyre disa ia shëmbëllenin qarjes apo vajtimit me dënesë të një foshnje e disa të tjerë një deveje që i afrohej koha e lindjes…

Pejgamberi i dhembshurisë zbriti nga minberi, iu afrua trungut, e lëmoi me duart e tij të bekuara dhe e përqafoi. E përqafoi këtë trung që ne e njohim si të pashpirt… Pas një kohe të shkurtër, këto rënkime nisën të mos dëgjohen më, mu si një foshnje që qetësohet duke u ledhatuar e përkëdhelur nga dora e së ëmës së vet…

Shumë vite më vonë, njëri prej yjeve polare të ummetit islam dhe një figurë e shquar që zë një vend të veçantë në historinë e tasavvufit (mistikës islame), Hasan el-Basriu r.a., pasi ua rrëfen njerëzve pranë vetes këtë ngjarje, u thotë:

“Nëse një trung hurme ka rënkuar nga malli ndaj Pejgamberit s.a.v.s., si duhet të përmallohen ndaj tij ata që shpresojnë të takohen me të?…”

Kjo veçanti dhe kjo gjerësi e mëshirës dhe e dashurisë së Pejgamberit të dhembshurisë, shfaqej edhe në forma shumë-shumë të ndryshme. Për shembull, hadithin që do ta japim më poshtë, meriton të studiohet thellë-thellë në mëvetësi. Zotëria i gjithësisë, Muhammedi s.a.v.s. thoshte:

“Uhudi na do neve, po edhe ne e duam Uhudin…”

Uhudi është një kodër pranë Medines… Uhudi është një grumbull gurësh ose shkëmbinjsh… Uhudi është i pashpirt… Mirëpo Uhudi është i dashuruar në Pejgamberin e Zotit… Po edhe Uhudi ishte i dashur për të…

Dashuria e tij ndaj një grumbulli shkëmbinjsh na tregon se me këtë veçori që ishte e strukur në natyrën, thelbin dhe karakterin e tij, ai ishte një Pejgamber i fundit i Zotit, që gjithçka e shikonte me mëshirë, dhembshuri e dashuri!..

Po mirë, si ta sqarojmë këtë zemër të tij të mbushur plot dashuri?…

Po, lexues i nderuar, sipas mendimit tonë, përgjigja ndaj kësaj pyetjeje në të njëjtën kohë do të nxjerrë në pah veçantinë e Muhammedit s.a.v.s. krahasuar me vëllezërit e tij pejgamberlerë përpara tij dhe shpresojmë se dashuria e simpatia jonë ndaj tij do të shtohet akoma më shumë.

Para së gjithash dua të them që, një prej karakteristikave më të dalluara të Muhammedit s.a.v.s. ishte Dashuria e pafund dhe e pashtershme që ai e bartte në zemrën e vet. Prandaj është shumë e natyrshme që pikërisht për shkak të kësaj cilësie atë ta mbiquajmë “Pejgamber i dashurisë”. Qëllimi ynë këtu është se nga buronte kjo dashuri? Tamam këtu mund të themi se kjo veçanti dhe lartësi në dashurinë e tij mund të sqarohet vetëm me një gjë: ai është “Habibullah”; dhe kjo është cilësia dalluese e tij. “Habibullah” do të thotë “robi, njeriu më i dashur i All-llahut”, personaliteti për të cilin Ai Zot ka krijuar mbarë gjithësinë…

Nga aspekti i vetive të përgjithshme të gjithë pejgamberët janë personalitete të veçanta që kanë pasur cilësi të ngjashme e që kanë jetuar nën mbikëqyrjen dhe kujdesin e shpalljes. Përkundër kësaj, secilit prej tyre Zoti u ka dhuruar veçanti e veti të ndryshme dhe me këtë ata edhe janë emërtuar me tituj të ndryshëm. Për shembull, për shkak të pendimit për gabimin e bërë dhe për pastrimin e tij nga ky gabim nga ana e Zotit, Ademi a.s. është mbiquajtur Safijjullah; për shkak të shpëtimit nga tufani, Nuhi a.s. është mbiquajtur Nexhijjullah; për shkak të mirësive e nderimeve që ua bënte njerëzve, me çka e fitoi miqësinë e Zotit, Ibrahimi  a.s. është mbiquajtur Halilullah; për shkak të gatishmërisë për ta flijuar veten në rrugë të Zotit, Ismaili a.s. është mbiquajtur Dhebihullah; për shkak të bisedës me Zotin në kodrën Tur të Sinait, Musai a.s. është mbiquajtur Kelimullah; për shkak se ka lindur si një mrekulli e Zotit në tokë, Isai a.s. është mbiquajtur Ruhullah. Pejgamberi i fundit, Muhammedi s.a.v.s., që është dërguar si mëshirë për të gjitha botët, është mbiquajtur Habibullah. Ndërkaq kjo do të thotë të jesh i dalluar dhe i nderuar nga dashuria dhe muhabeti i pafund, i pafillim dhe i pambarim i Krijuesit të gjithësisë. Këtu Dashuruesi është pronari i gjithçkaje, ndërkaq i Dashuri është një pejgamber i ndershëm dhe i vlefshëm për hir të të cilit është krijuar gjithçka… Për këtë arsye, në dashurinë midis All-llahut Fuqiplotë dhe të dashurit Muhammeds.a.v.s.ekziston një lidhje e këtillë e pafillim dhe e pambarim; dhe pikërisht për shkak të kësaj lidhjeje, pa e njohur dhe pa e dashur Muhammedins.a.v.s.nuk mund të arrihet afërsia me All-llahun xh.sh., i Cili është pronari i kësaj “Lidhjeje Dashurie”… Kjo nga arsyeja se ky Pejgamber i ndritur është si një urë që shpirtin e ka te Zoti, kurse dorën te ummeti i vet. Mu ashtu siç shprehet poeti Arif Nihat Asja:

“Erdhe i dërguar, çove të dërguar

Shpirtin ia dhe All-llahut, e dorën ummetit…”

I lidhur me një lidhje të këtillë me Zotin i Cili është el-Vedud dhe i ushqyer nga gurra e pashtershme e dashurisë së Tij, Pejgamberi ynë Muhammedi s.a.v.s. ka qenë një burim i dashurisë në kuptimin e plotë të fjalës që ka rrjedhur dhe vazhdon të rrjedhë për mbarë botën. Ejani tani të hyjmë në një temë tjetër, por që prapë ka të bëjë me dashurinë…

 “Habibullah: Ai që All-llahun e do më së shumti”

 Çështjen që e quajta temë tjetër desha ta përmend këtu ngase i erdhi koha dhe vendi. Kështu, duke qenë se fjala Habib ka kuptimin edhe “i dashur” edhe “dashurues”, deri më sot ne kemi vazhduar ta përkthejmë togfjalëshin “Habibullah” me “njeriun që më së shumti e do All-llahu”… Ndërkaq, duke u nisur nga kuptimi “Dashurues” që ndodhet brenda fjalës “Habib”, togfjalëshin “Habibullah” duhet ta mendojmë edhe në kuptimin “Ai që më së shumti e do All-llahun”. Me këtë ne do të kemi mundësinë ta analizojmë më hollësisht e më plotë rolin e Pejgamberit Muhammed s.a.v.s.

Ishin ditët para se të fillonte t’i shpallej Kur’ani… Pejgamberi ynë i dashur mjaftohej me ushqimin që ia sillte gruaja e tij vetëmohuese hz. Hatixheja dhe thuajse krejt ditën e kalonte në shpellën Hira afër Mekkes. Banorët e Mekkes këtë gjendje e tij e përshkruanin vetëm me një fjalë të vetme:

“Muhammedi është dashuruar në Zotin e vet!..

Po, ai vërtet ishte dashuruar në Zotin… Në të vërtetë, Zoti kishte kërkuar prej tij që ai të bëhej ashik i Zotit. Ashtu edhe u bë… Fillimisht atë e deshi All-llahu, e pastaj e bëri të dashur për mbarë gjithësinë… E pastaj kërkoi që në zemrën e tij të zinte vend vetëm dashuria ndaj Zotit… Kjo edhe është arsyeja se pse kjo botë dhe gjithçka e lidhur me të kurrë nuk u bënë të Muhammedit s.a.v.s., kurrë nuk zunë vend ne zemrën e tij… Mbase edhe kjo është arsyeja që ai të thotë: “Nga bota juaj mua më janë bërë të dashura vetëm tri gjëra…”, me çka ka theksuar se kjo botë nuk ka gjetur vend të zemrën e tij. Akoma më tepër, ai thotë: “Nëse në këtë botë të kisha zgjedhur një mik, ky do të ishte Ebu Bekri”. Kjo nga arsyeja se në fronin e zemrës së tij ishte vetëm e vetëm All-llahu Fuqiplotë…

Kjo dashuri që ndodhej ndërmjet tij dhe Zotit ishte në fakt një dashuri që vinte nga Zoti dhe që ishte ekskluzive për Të… Ai vërtet ishte një pejgamber i dashuruar në Zotin e vet. Prandaj edhe përderisa të tjerët flinin ai ngrihej natën dhe i binte në sexhde gjatë-gjatë Zotit të vet, të Dashurit të vet. Për shkak të mallit që kishte ndaj Tij, ai e qulloste jastëkun e vet me lot… Pikërisht kjo dashuri ishte ajo që në frymët e fundit të jetës së tij e çoi të thotë:  Vetëm te Miku/i Dashuri im më i Lartë dua të kthehem!.

  Nga turqishtja:
Mr. Rejhan Neziri

 

*  Prof. Dr. Mehmet Emin Ay, Şefkat Peygamberi Hazreti Muhammed s.a.v.s., Stamboll 2007, f. 21-37.