Nuk është aspak e mjaftueshme, që prindërit dhe fëmijët të jenë nën të njëjtën çati, por ajo që kërkohet është nevoja e pjesëmarrjes dhe ndërveprimit prind-fëmijë në çdo gjë. Në jetën e fëmijëve kërkohet një prezencë e fuqishme e prindërve. E kundërta e kësaj është shkaku i parë i krejt ose i pjesës dërrmuese të problemeve dhe ndërlikimeve shpirtërore, që prekin fëmijët në vegjëli dhe që më pas mbesin tek ata përgjatë gjithë jetës.
Prania e prindërve në jetën e fëmijëve duhet të jetë e fuqishme, me qëllim që të mos formohet asnjë ndërlikim, që cungon personalitetin e tyre. Kjo prezencë, siç e cekëm, nuk presupozon vetëm jetesën në të njëjtën shtëpi, apo thënë ndryshe nën të njëjtën çati, por e tejkalon këtë në kufij shumë më të gjerë sesa thjesht prezenca fiziologjike.
Disa mendojnë, se rutina familjare e fëmijës është bezdisëse dhe e papranueshme, por shkencëtarët brazilianë të shkencave shoqërore theksojnë, se monotonia e shëndoshë, apo prania e një sistemi, që organizon lidhjet midis prindërve dhe fëmijëve, i bën fëmijët të ndjehen të sigurt dhe largon prej tyre hijen e mungesës së njërit ose tjetrit prind, apo të të dyve bashkë. Shkencëtarët në fjalë theksojnë, se mungesa e kësaj monotonie për arsye të jashtme, që dalin nga sfera e dëshirës, sikurse për shembull vdekja e njërit prej dy prindërve ose divorci i tyre, destabilizon personalitetin e fëmijëve dhe i fut ata në tunelin e humbjes dhe zbrazëtirës emocionale. Studimi i këtyre shkencëtarëve thotë gjithashtu, se problemet që ndërlikojnë personalitetin e fëmijëve, fillojnë me mungesën e njërit prej dy prindërve, ose të të dyve.
Ky është edhe shkaku – sipas tyre – pse jetimët i gjejmë në një gradë tepër shqetësuese, madje ndodh edhe që ata të rrëshqasin në botën e dhunës, krimit dhe narkotinës, si pasojë e mungesës së kujdesit, këshillës dhe orientimit të shëndoshë.
Studimi në fjalë shton, se ajo çfarë synon ky studim me “monotoninë familjare”, është ndjesia tek fëmijët, se ata kanë dikë, që i mbështet ata, i këshillon dhe interesohet për ta në çështjet e tyre ku ata kanë nevojë, një person që është gjithmonë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Mungesa e prindërve ndërhyn drejtpërdrejt në zhvillimin e personalitetit të fëmijëve. Mungesa e prindërve në jetën e fëmijëve cungon fantazinë e fëmijëve kundrejt marrëdhënieve shoqërore. Personi që nuk e mëson nga prindërit mënyrën e ndërtimit të lidhjeve shoqërore, do ketë tendenca egoiste, jeton i vetmuar dhe mbyllet në vetvete. Mungesa e prindërve shkakton tek fëmijët mungesën e një vizioni të natyrshëm mbi gjërat dhe prej këtu çdo pikëpyetje rreth jetës shndërrohet në rrugën e fëmijës në një gogol, që do ta përpijë atë. Kjo bën që fëmijët t’u bëjnë një komentim të çoroditur dhe të përzier me ndjesinë e frikës prej të panjohurës, gjërave që e rrethojnë, pasi vetë mungesa e prindërve është në vetvete e panjohura më e madhe për njeriun, që ka nevojë të natyrshme për praninë e të tjerëve, sidomos prindërve.
Gjithashtu, studimi në fjalë thotë, se mungesa e prindërve mbjell tek fëmija ndjenjën e fajit dhe fëmijët mendojnë, se ata vetë janë shkaku për mungesën e prindërve dhe se ata nuk e meritojnë të jenë si fëmijët e tjerë, që rriten në prehrin e prindërve të tyre dhe ndihen emocionalisht të stabilizuar.
Studimi shton, se mosprania e fuqishme e prindërve në jetën e fëmijëve, shkatërron formimin në perspektivë të personalitetit të fëmijës. Shenjat e kësaj mund të gjenden të shpalosura tek dobësia e personalitetit dhe ndjesia e frikës, që dominon ecejakun e fëmijëve në periudha afatgjata.
Mungesa e prindërve përsa i përket fëmijëve të vegjël:
Përsa i përket fëmijëve të vegjël, mungesa e prindërve konsiderohet si mungesa absolutisht më e rrezikshme, sepse fëmija i vogël ka një nevojë të domosdoshme për praninë e fuqishme të prindërve. Fëmija i vogël është i kufizuar në të menduar dhe në fuqitë që disponon. Ai e bazon fuqinë e tij tek prania e prindërve në jetën e tij dhe po kështu edhe metodën e të arsyetuarit. Në këtë periudhë tek fëmija spikat nevoja për përkujdes shëndetësor dhe arsimor, ndërsa mosprania e dikujt përbën shkatërrim real për botën emocionale të fëmijës si dhe e fut atë në çoroditje, kotësi e deri në destabilizim të plotë. Kjo ndodh, sepse në këtë rast është rruga ajo, që shndërrohet në mësuesin e fëmijës dhe siç është vërtetuar, ajo do t’ia mësojë fëmijës të gjitha gjërat në një formë të gabuar.
Mungesa e prindërve për sa i përket fëmijëve adoleshentë:
Adoleshenti është gjithashtu shumë i nevojshëm për praninë e fuqishme të prindërve në jetën e tij, përsa i përket orientimit të jetës së tij në një formë të saktë, si dhe vargut të këshillimit të tij, ndihmesës së tij për të ndërtuar të ardhmen e vet dhe mbështetjen e tij në zbulimin e pasioneve, që për të përbëjnë burimin e furnizimit dhe jetesës. Stabiliteti i sjelljes është nevoja më e rëndësishme në jetën e adoleshentit, në orientimin e sjelljeve të adoleshentit, standardizimin dhe organizimin e lidhjeve të tij me të tjerët. Askush nuk mund ta bëjë një gjë të tillë për fëmijët më mirë se prindërit. Studimi thotë gjithashtu, se mosprania e prindërve në jetën e adoleshentit është një nga shkaqet më të rëndësishme të problemeve shoqërore. Adoleshenti i destabilizuar dhe i pa orientuar prej prindërve, padyshim që do bëhet shkak në përhapjen e shumë dukurive negative shoqërore.
Prania e prindërve nuk do të thotë vetëm që ata të jetojnë me fëmijët.
Në fund, studimi ka theksuar, se prania e prindërve në jetën e fëmijëve, nuk nënkupton thjesht të jetuarit e tyre me ta, por ajo përbën ndërveprimin dhe pjesëmarrjen. Ndërveprimi dhe pjesëmarrja nga afër në jetën e fëmijës, zhvillon tek ai shumë prej gjërave pozitive dhe i mëson atij standardet e lidhjeve shoqërore. Prej këtu, del si detyrë për prindërit, të bëhen pjesë e fëmijës përmes lojës me ta dhe dhënies së vërejtjeve pozitive kundrejt lojrave, që fëmija preferon. Pjesëmarrja e prindit në lojën e fëmijës duhet bërë herë pas here, në mënyrë që fëmija të ndjejë, se që po bën nuk është një gjë e pazakontë. Largësia dhe distancimi emocional i prindërve prej fëmijëve konsiderohet një tjetër faktor i fuqishëm, që u jep atyre ndjesinë, se ata janë persona të padëshiruar në këtë jetë, ndaj dhe diçka e tillë shndërrohet në ndjesi turpi, që përbën një pikë negative në jetën e tyre.
Studimi thekson gjithashtu, se studimet e kryera tek adoleshentët mbi turpin kanë nxjerrë në dritë, se një nga shkaqet kryesore për turpin negativ tek ta, është mungesa e pjesëmarrjes së prindërve në jetën e fëmijëve të tyre.
EDITOR
12 years ago
previous article
Barazia gjinore kundër ngatërrimit të gjinisë
next article