Categories
Opinione

“Muri i turpit” në qeverisjen e (pa)turpshme!

Diametraliteti dhe kontradikta e sistemit tatimor të Maqedonisë karshi vendeve ku ëndërrojmë e pretendojmë flet vetvetiu për (pa)drejtshmërinë, (pa)barazinë dhe (jo)moralitetin e tij. Mund të ketë logjikë ekonomike (fatkeqësisht pa impakt zhvillimi) sistemi tatimor i kësaj qeverisje, mbase edhe logjikë fiskale, por jo edhe logjikë sociale dhe morale!
Ashtu siç njihet që nga koha e Platonit, “kuptimi buron nga kontradikta”, por jo gjithmonë. Kështu rezulton që edhe qeverisja e turpshme gjeneron zgjidhje simetrike me turpin. Vetë koncepti i turpit është kategori relative në hapësirë dhe në kohë. Kohëve të fundit ideologjia djathtiste e qeverisjes së Gruevskit shërbehet me koncepte të vlerave etike për kategori joetike! Thjesht, po punohet në draftimin e normave për “përmirësimin” e vjeljeve dhe arkëtimeve tatimore. Prej këtu buron edhe njëfarë koncepti i “murit të turpit” për të gjithë ata detyrues tatimorë, persona fizikë ose juridikë, që s’janë të aftë t’i shlyejnë në kohë detyrimet tatimore. Në këtë “mur” do të publikohen të gjithë borxhlinjtë e shtetit që “të turpërohen” nga publiku që nuk i kanë shlyer detyrimet tatimore! Ky është edhe një paradoks i radhës.
Të kërkohet etikë në emër të kategorive joetike kjo nënkupton një kontradiktë platoniane. Së paku në leksionet bazike të ekonomisë tatimet mësohen si kategori e imponueshme, e dhunshme, e pakthyeshme, pa kundërvlerë direkte dhe pa dedikim të fokusuar. Pra, tatimet nga natyra e tyre janë joetike. Bile edhe në shtetet më rigoroze fiskale, si SHBA-të, për shembull, në një aktvendim të Gjykatës Supreme për padinë ndaj detyruesit tatimor, mes tjerash, thuhet: “….S’ka asgjë të keqe në atë se dikush do t’i bashkërendit ashtu punët që të paguajë më pak tatim. Çdokush vepron ashtu, qoftë i pasur ose i varfër. Të gjithë veprojnë siç duhet, pasi që askush nuk detyrohet të paguajë më shumë tatim sesa që kërkon ligji. Të kërkohet më shumë në emër të moralit është dyfytyrësi” (mbaron citati).
Morali i qeverisjes Gruevski
Për çfarë morali e ka fjalën qeverisja e Gruevskit? Çfarë turpi ka në paaftësinë paguese për tatimet? A i ka paguar vetë shteti detyrimet e veta ndaj kreditoreve dhe kërkuesve të tijë? Edhe sa kohë i duhet ta shpronësojë Bashkësinë Islame, siç e pasuroi Kishën Ortodokse? Deri ku ka arritur me shlyerjen e detyrimeve ndaj qytetarëve për devizat e bllokuara, për nacionalizim dhe eksproprijim për dëmshpërblime të kategorive të persekutuara nga shteti (sistemi), e deri te statusi i pazgjidhur i viktimave dhe veteranëve të luftës nga 2001-shi? Dhe, mbi të gjitha, pa ekzagjeruar më tepër, sa etik është sistemi i tij tatimor? Këtu do të mundohem ta zbërthej dhe shtjelloj përgjigjen në pyetjen e fundit përderisa tjerat do t’i lë që t’i trajtojnë kompetentët t’i trajtojnë. Pra sa etikë (moral) është sistemi tatimor i R. së Maqedonisë?
Një sistem tatimor që rreth ¾ e të ardhurave fiskale i siguron nga një burim dominues i të ardhurave nga tatimet e konsumit (TVSH, akciza dhe dogana), siç është rasti me sistemin tatimor të Maqedonisë, mund të quhet monizëm tatimor dhe sistem dominues regresiv! Kjo e fundit, para së gjithash, është kështu sepse barra (incidenca) tatimore kryesisht bie mbi shpatullat e shtresave të mesme dhe varfra ose intervalit të shtresave dominuese sociale. Që fatkeqësia të jetë edhe më e madhe, shtresat e mesme “shkrihen” kryesisht në ato të varfra, përveç disa individëve të caktuar, që janë satelitë të elitave politike që pasurohen brenda nate. Në trajtimet filozofike të këtij fenomeni zakonisht shtrohet dilema shkencore se sa një ngarkesë tatimore që rezulton nga një sistem tatimor përkatës është e drejtë dhe e arsyeshme për nga barazia. Për këtë ekzistojnë studime të veçanta dhe përpjekje të shumta për të gjykuar se çka është e drejt, e barabartë dhe e arsyeshme. Por, është vështirë të gjendet ekuilibër sasior që e optimizon këtë marrëdhënie. Ata që gjithmonë paguajnë më shumë, e konsiderojnë sistemin tatimor të padrejtë karshi atyre që paguajnë më pak, por krejt kjo në përmasa relative. Çka është më shumë dhe çka më pak, kjo varet nga statusi material i çdo tatimpaguesi, nga destinimi i tatimeve, nga benefitet e tatimpaguesve dhe shumë arsye të tjera. Për një shtetas gjerman, për shembull, është shumë tatimi prej mbi 40% në të ardhurat që realizon, por ai nuk do kishte dashur me asnjë çmim ta ndërrojë statusin me një shtetas maqedonas që paguan katër herë më pak! Për një skandinav as të mos bëjmë fjalë!
Maqedonia e tatimeve
Impakti i sistemit aktual tatimor në Maqedoni, përmes pjesëmarrjes së llojeve të veçanta të tatimeve në të ardhurat vetëm nga tatimet në buxhetin e pushtetit qendror, është si vijon (në %):
Pra, siç u theksua edhe më lart, rreth ¾ e të ardhurave tatimore përbëhen nga tatimet e konsumit, që është shumë larg nga vendet anëtare të OECD-së ose edhe të BE-së, në klubin e të cilëve ëndërrojmë një ditë të aterojmë. Për ta pasur më qartë, do të themi se bëhet fjalë për rreth 83.000 milionë denarë ose 1,35 miliardë euro çdo vit, pa llogaritur këtu edhe kontributet në të ardhura (pagat), që shkojnë rreth 43.000 milionë denarë ose 700 milionë euro në vit. Ose, të gjithë së bashku, mbi 2 miliardë euro në vit!
Shporta e konsumit për një familje mesatare gjeneron tatime në konsum, përfshirë këtu edhe akcizat e derivateve të naftës, duhanit dhe alkoolit. Në tabelën vijuese jepet struktura e të ardhurave tatimore në SHBA, Union Europian dhe vende të OECD-së (në %):
Diametraliteti dhe kontradikta e sistemit tatimor të Maqedonisë karshi vendeve ku ëndërrojmë e pretendojmë flet vetvetiu për (pa)drejtshmërinë, (pa)barazinë dhe (jo)moralitetin e tij. Mund të ketë logjikë ekonomike (fatkeqësisht pa impakt zhvillimi) sistemi tatimor i kësaj qeverisje, mbase edhe logjikë fiskale, por jo edhe logjikë sociale dhe morale! Atëherë ku qëndron e drejta morale e qeverisjes për “murin e turpit” dhe pretendimet për vjelje tatimesh mbi këtë bazë? Thjesht qëndron në dyfytyrësinë dhe demagogjinë populiste të një ortodoksizmi deklarativ për të promovuar gjoja vlera morale në qeverisje.
Mbeten të hapura dilemat ku janë vlerat e hiseve të barabarta në ndarje të parave publike, ashtu siç promovon edhe religjioni, që aq shumë i referohet qeverisja. Në anën tjetër deputetët shqiptarë çdo ditë përplasen mes vete, duke zhurmuar se gjoja po luftojnë për hisemarrje të drejtë dhe adekuate! Edhe në këtë aspekt kategoria e kënaqësisë individuale e çdo deputeti është gjykimore. Kur janë në qeverisje, ata gjejnë arsye (jo)morale gjatë planifikimit të buxhetit, por atyre nuk ua varin veshin gjatë realizimit. “Kanali i Haraçinës” tash e 4-5 vite po zvarritet në çdo buxhet! Po çka se ne ndërtojmë memoriale me paratë e bijve të “Nënave shqiptare”, ndërsa të tjerët me paratë e taksave myslimane po ndërtojnë kryqe dhe po instalojnë car Dushana në kryeqendër e gjithandej në shtet. Është kjo (jo)morale? Përsëri varet për kë, në ç’kohë dhe ç’hapësirë! Populli ynë ka një shprehje që thotë: “për rezilin turpi s’është asgjë!”.

Exit mobile version