Në Egjipt mbizotëron një gjendje ankthi, në pritje të zhvillimeve të fundit pas deklaratës së ushtrisë një ditë më parë. Reagimet kanë qenë kontradiktore, ku presidenca e ka refuzuar, ndërkohë që opozita e ka mirëpritur. Vetë ushtria më pas e ka kapur situatën dhe ka hedhur poshtë mundësinë e një grushti shteti. Gjatë kontakteve mes institucionit të presidencës dhe Uashingtonit, ky i fundit është shprehur se i përmbahet procesit demokratik dhe është për një zgjidhje politike.
Në një deklaratë të presidencës, dënohet gjuha e përdorur në deklaratën e institucionit të ushtrisë. Në këtë deklaratë, presidenti Mursi thotë se nuk do të lejohet që Egjipti të kthehet pas, në çfarëdo situate dhe se mekanizmat demokratikë janë të vetmit që mund të largojnë dhe sjellin në pushtet një forcë të caktuar.
Në një deklaratë për shtyp, ai u shpreh se në postin e presidentit e solli vetë vota e popullit. Ai pranoi se janë bërë gabime, por demokracia është diçka e re për vendin dhe gabime të tilla do të ndodhin. Mursi kërkoi më shumë kohë për ti kapërcyer sfidat dhe vështirësitë. “Mbetjet e ish regjimit të vjetër janë akoma aty, ata nuk duan të luftohet korrupsioni pasi janë të zhytur gjer në grykë në korrupsion, ata duan të kthehen sërish në pushtet, gjë e cila nuk do u mundësohet më kurrë. Duke e ditur këtë, ata orvaten me mish e me shpirt që të shkaktojnë trazira dhe të destabilizojnë vendin” tha Mursi.
Mbështetësit e presidentit Mursi, e kanë kaluar natën në sheshin Rabia Eladevije, ku kanë lutur Zotin që ta ruajë vendin nga trazirat dhe kaosi.
Sakaq, kreu i Ez’herit ka bërë thirrje që ti jepet fund situatës kaotike dhe polarizuese në vend, gjë e cila mund ta çojë vendin drejt humnerës.
Kurse shejh Selman Aude, është shprehur se edhe nëse ushtria do të ndërhyjë, kjo nuk do të jetë grusht shteti apo mbatje ane të njërës palë, por do të jetë për të vendosur rendin dhe sigurinë në vend. /ardhmeriaonline/
Categories