Naser Aliji, do të jetë lojtari i parë nga Maqedonia në Kombëtaren e Shqipërisë. 20-vjeçari është nga Nikushtaku i Kumanovës dhe aktualisht luan për kampionin e Zvicrës, Bazeli. Ai ka konfirmuar se ka vendosur ta veshë fanellën kuqezi dhe tashmë është në pritje të ndeshjes së ardhshme të Shqipërisë dhe të ftesës zyrtare nga trajneri Xhani De Biazi, i cili ka shfaqur haptazi interesim për shërbimet e tij, duke e deklaruar një gjë të tillë edhe një ditë më parë. Për momentin, Aliji llogaritet ende si pjesë e shpresave U- 21 të Zvicrës (ka luajtur edhe për grupmoshat e tjera të shtetit helmet). Sakaq, vetëm Aliji thotë se për të ka pasur interesim edhe nga përfaqësuesja A e Zvicrës, si dhe nga ajo e Maqedonisë.
Mirëpo lojtari është i vendosur që të luajë për Shqipërinë. “Është e vërtetë që më ka ftuar Shqipëria. Kam biseduar me përfaqësuesin e Federatës Shqiptare për Zvicrën, Sokol Dauti, i cili më ka thënë se Shqipëria është e interesuar për mua. Me kënaqësi e pranova ftesën dhe shpresoj që sa më shpejt të grumbullohem nga trajneri Xhani De Biazi.
Jam i lumtur që do të jem pjesë e Shqipërisë si shqiptari i vetëm nga Maqedonia. Do ta mbaj fanellën kuqezi me zemër”, ka thënë Aliji gjatë një prononcimi për “Koha Ditore”.
Ndryshe, mbrojtësi i krahut të majtë, ka lindur në Nikushtak të Kumanovës. Në Zvicër jeton që nga mosha katërvjeçare. Ai i është mirënjohës këtij vendi që i mundësoi të zhvillonte karrierë në futboll, por ka theksuar se ka bërë një zgjedhje zemre. Aliji luan kryesisht si mbrojtës i majtë, pozicion në të cilin Shqipëria nuk ka shumë opsione (Agolli dhe Lenjani), por mund të luajë edhe si mesfushor i majtë. Në Ndërkohë, 20-vjeçari thotë se ka pasur interesim edhe nga Zvicra, Maqedonia e Kosova, por zemra i ka thënë që të vesh fanellën kuqezi.
“Ka pasur interesim edhe nga Zvicra dhe Maqedonia dhe Kosova, por unë jam shqiptar dhe zemra më tha që duhet të vesh fanellën kuqezi. Ndikoi edhe familja në vendimin tim, ndërsa kam marrë fjalë të mira nga Taulant Xhaka, Shkëlzen Gashi dhe Arlind Ajeti, të cilët e kanë shijuar ndjenjën që të djersitin fanellën kuqezi”, pohon Aliji, i cili te Bazeli po i ecën mirë, ndërsa ka realizuar një gol nga pesë ndeshjet e zhvilluara me ekipin e parë dhe ka pasur një paraqitje në Ligën e Kampionëve.
“Në skuadrën e Bazelit po më ecën mirë. Po stërvitem rregullisht për të qenë i gatshëm për trajnerin e Bazelit”, ka thënë Aliji./koha/