Categories
Lajme FRI

NBA Çair sundon në basketbollin e Maqedonisë (FOTO)

Finalja e “Final Four” ka përfunduar sikurse në regjinë e Hitçkokut, është dashur vetëm një pikë diferencë për NBA Çair që të fitojnë për herë të dytë radhazi titullin e kampionit në kategorinë e juniorëve U-18.
Gjithçka kishte filluar mirë për basketbollistët e NBA, të cilët në asnjë moment nuk i lejuan kundërshtarit që të marrin kryesimin e ndeshjes, ndërsa diferenca në një moment arriti deri në 20 pikë plus për ekipin nga Çairi.

 
 
Në dy çerekët e parë NBA Çair kishte diferencë të madhe, 21:18 dhe 29:12, ndërsa pjesa e dytë i takoi mysafirëve të MZT-Skopje, të cilët në çerekun e tretë fituan me 27:19, ndërsa të katërtin 21:32, por në fund rezultati mbeti në favor të NBA 90:89. Në sekondat e fundit nikoqirët humbën sulmin, e që topi erdhi ne duart e MZT-s, por goditja nga distanca nuk përfundoi në kosh.
“Nuk ka kënaqësi më të madhe se të rrumbullakosh punën e gjithë vitit me sukses. E kishim dhënë besën dhe e mbajtëm, ashtu kurse u premtuam shqiptarëve dhe bëmë. Falënderoj të gjithë që e mbushën sallën dhe na dhanë përkrahje të pa rezervë, kjo është NBA Çair, ekipi që vetëm fiton”, është shprehur i emocionuar trajneri Enver Miftari, i cili në fund të ndeshjes duke ndarë gëzim me publikun pësoi dhe një lëndim në këmbë.

Edhe në këtë ndeshje në mesin e më të mirëve ishin Alaudin Mustafa dhe Artan Nika që shënuan nga 28 pikë, ndërsa ndihmë për ta ishin edhe pikët e Jeton Feta dhe Jetmir Zeqiri që shënuan nga 13 pikë, ndërsa që të dy për shkak 5 personaleve u larguan para kohe nga loja.
Në ndeshjen për vendin e tretë u përballën Vardari dhe Rabotniçki, ku fitorja i takoi Vardarit me rezultat 89:75.
Alaudin Mustafa MVP dhe pikëshënuesi më i mirë
Në përfundim të ndeshjes u ndanë dhe medalje dhe mirënjohje për ekipet fituese, ndërsa dhe dy trofe të tjerë i kanë takuar ekipit të NBA Çair. Basketbollisti më i mirë i “Final Four” është shpallur Alaudin Mustafa, i cili gjithashtu mori mirënjohjen edhe për pikëshënuesin më të mirë. Kjo ka dëshmuar se kjo ekip jo vetëm që ka ekipin më të mirë, por edhe lojtarin individual. “Jam shumë i gëzuar që fituam titullin, sigurisht që suksesin e bën edhe më të madh fitimi i këtyre dy mirënjohjeve personale. Do të vazhdojmë të japim edhe më tutje maksimumin, nuk e kemi thënë fjalën e fundit”, ka thënë Alaudin Mustafa për “Portalb”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version