Categories
Lajme FRI

Ndërtimi i xhamisë në Lisiçe, nevojë e qytetarëve që refuzohet nga një kryetar komune

Është rikthyer përsëri debati në lidhje me ndërtimin e xhamisë për besimtarët islam në lagjen Lisiçe e epërme të Komunës Aerodrom. Portalb që në janar se trajtoi këtë problematikë me qëndrimet e  subjekteve të ndryshme, por edhe të qytetarëve për këtë çështje.
Kryetari i Komunës Aerodrom, Ivica Koneski ka qenë ai që përsëri ka komentuar kërkesën e banorëve të këtij vendbanimi për të ndërtuar xhami, duke hedhur poshtë kategorikisht këtë mundësi, sepse sipas tij në këtë vendbanim 99 përqind të banorëve janë të besimit ortodoks
Portalb kërkoi qëndrimin për këtë çështje të Zekë Abazit, drejtues të Komisionit për çështje ndër fetare në parlamentin e Maqedonisë. Ai  në deklaratën e tij theksoi se komisioni është i njoftuar me kërkesën e qytetarëve të besimit islam, për ndërtimin e Xhamisë në Lisiçe të epërme. Ky komision, tha ai, gjithashtu është i njoftuar edhe me kërkesën e BFI për ndërtimin e kësaj xhamie, si dhe me refuzimin, siç thekson Abazi, banal të Komunës Aerodrom, të kësaj nisme, me arsyetimin se gjoja në këtë Komunë jetojnë vetëm 05 përqind, ose 1 përqind të besimit islam.
“Nevojat e qytetarëve nuk mund të maten me përqindje, ndaj nëse është nevoja do t’i përkrahim të drejtat e qytetarëve. Ne nuk na është drejtuar deri më sot askush me shkrim dhe nëse na drejtohet dhe na kërkohet të japim mendim, ky mendim gjithsesi do të jetë për ndërtimin e kësaj xhamie, pra do të jetë pozitiv.” thekson Abazi dhe shton se  Komision për marrëdhënie ndërfetare nuk ka kompetenca.
Kryetari i  këtij komisioni thotë se komisioni ka kompetenca që vetëm të jetë ndërlidhës komunikimi midis institucioneve dhe të përcjellë misionet fetare nga jashtë.
Ndërkaq Muftiu i Shkupit, Efendi Ibrahim Shabani, thekson se  problemi me ndërtimin e një xhamie për besimtarët Islam në Lisiçen  Epërme është i kamotshëm. Ai thekson se banorët e kësaj lagjeje i janë drejtuar Bashkësisë Fetare Islame me kërkesën për të ndërtuar një objekt fetar ku, ata do t’i kryenin ritet fetare. Për të plotësuar kërkesën e tyre, BFI ka ndarë edhe truallin për ndërtim, por kanë qenë autoritet e Komunës së Aerodromit, të cilës i është bërë kërkesa, ata të cilët nuk kanë lejuar ndërtimin e kësaj xhamie.
“Autoritet e Komunës janë arsyetuar se ndërtimi i një xhamie nuk është planifikuar me planin urbanistik, por kjo arsye nuk qëndron. Po qese ka vullnet për ta zgjidhur këtë të drejtë shoqërore të një komuniteti fetar, kjo çështje mund të zgjidhet”, thekson myftiu i Shkupit.
Më tej, efendi Ibrahim Shabani, komenton deklaratën e fundit të kryetarit të Komunës Aerodrom, Ivica Koneski, i cili ka deklaruar se nuk do të ndërtohet xhami në Lisiçe, sepse sipas tij, aty jetojnë 99 përqind e komunitetit ortodoks dhe se duhet të pyeten qytetarët nëse është në interes të tyre ndërtimi i kësaj xhamie.
Ai thekson se ky pretendim i kryetarit nuk qëndron, sepse qytetarët kanë të drejtë që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të ushtrimit të riteve fetare në ato vise ku ata jetojnë. Shabani shton se  në Lisiçe jetojnë rreth 100 familje të besimit islam dhe ata e kanë të vështirë që ritet e tyre fetare t’i kryejnë  shumë larg vendbanimit, ku jetojnë.
Myftiu i Shkupit, efendi Ibrahim Shabani, thekson se ka sa të duash vendbanime shqiptare, ku për një numër të vogël besimtarësh janë ngritur kisha, dhe në këtë kontekst përmend disa vendbanime, si Sarajin, Haraçinën dhe disa vendbanime tjera më të vogla.
Një mendim tjetër, ndërkaq ka Mirjana Najçeska, veprimtare e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ish kryetare e Komiteti të Helsinkit për Maqedoni. Ajo thekson se në parim është kundër ndërtimit të objekteve fetare. Në Maqedoni ka  tepër objekte fetare, dhe mendimi i saj, është se nuk duhet të ndërtohen të reja, por duhet të ruhen të vjetrat.
“ Në shtetet e Europës nuk ndërtohen objekte fetare në çdo oborr.Në çdo fshat të Maqedonisë ka nga dy , tri dhe katër kisha e xhami. Ndërsa, nga ana tjetër, mungojnë shkollat, çerdhet, spitalet”, thekson Najçeska e cila shton se sinqerisht vlerëson jetën fetare të qytetarëve por, ka shumë pak besim në pjesën institucionale të fesë”.
Najçeska thekson se është e drejtë e qytetarëve që të ushtrojnë ritet e tyre fetare, por këtë ata mund ta bëjnë në vendet e përcaktuar për këtë qëllim, të cilat nuk mund domosdoshmërish të jenë fare pranë vendbanimeve të tyre. /PORTALB

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version