Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti vlerësoi se ky aktivitet është momenti më i bukur i gjithë agjendës së këtij përvjetori, pasi që në përputhje me vendimet e senatit të USHT-së, do të ndajmë 150 bursa studentore për studentë të cilët i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.
Në kuadër të kalendarit për shënimin e 19 vjetorit të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, sot janë zhvilluar disa aktivitete kulturore, sportive dhe shkencore. Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, u bë ndarja e bursave për 150 studentët më të suksesshëm. Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti vlerësoi se ky aktivitet është momenti më i bukur i gjithë agjendës së këtij përvjetori, pasi që në përputhje me vendimet e senatit të USHT-së, do të ndajmë 150 bursa studentore për studentë të cilët i kanë plotësuar kriteret e kërkuara. “Sot, ne do të ndajmë bursa për këto kategori të studentëve, edhe atë: Studentët e studimeve deridiplomike, me mesatare të suksesit gjatë studimeve 9.5 e më lartë, të ciklit të parë; Studentët e studimeve pasdiplomike me mesatare të suksesit gjatë studimeve 9.8 e më lartë, të ciklit të dytë. Studentët e studimeve deridiplomike, me mesatare 10.00, Universiteti Shtetëror i Tetovës u ndan bursa për të vijuar studimet jashtë shtetit dhe, në të ardhmen do t’u mundësojmë të jenë pjesë e stafit akademik në Universitetin tonë. Sukseset e tyre, në lëmin e shkencës dhe kulturës, Universiteti i ndjen si suksese të tij dhe vetëm në këtë mënyrë ne do të arrijmë ta ngremë këtë institucion në nivelin e universiteteve më cilësorë”, theksoi mes tjerash Rektori, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Nga USHT-ja thonë se edhe në të ardhmen do t’i mbështesim dhe motivojmë këto kategori të studentëve, por, do të shqyrtojnë edhe mundësi të tjera për ta zgjeruar ofertën në funksion të nxitjes së vlerave, përkushtimit në studime dhe hulumtimit shkencor.
Nga ana tjetër, studentët të cilët kanë marrë bursën janë shprehur tepër të kënaqur me bursat që i ka ndarë universiteti për këto kategori të studentëve. “Falënderojmë Rektorin, Prof. Dr. Vullnet Ameti që është iniciues për këtë ide, që të vlerësohen dhe të shpërblehen studentët me mesatare më të lartë. Jam shumë e kënaqur dhe ndjehem shumë e nderuar që jam pjesë e këtij vlerësimi që u realizua sot. Shpresoj se, universiteti edhe në të ardhmen do ta bëjë këtë vlerësim sepse është një element që do ta rrisë vullnetin për dije te studentët e ardhshëm. Jam shumë e kënaqur dhe ndjehem njëkohësisht shumë e nderuar për këtë vlerësim”, tha studentja e Fakultetit Filozofik, Doruntina Musa, nga Programi studimor i Sociologjisë.
Ndërsa studentja Ariton Rama tha se kjo bursë që na jepet do na ndihmojë shumë në anën financiare. “Ajo që desha fillimisht të potencoj është se falënderimi i takon udhëheqësisë së universitetit dhe Rektoratit për dhënien e këtyre bursave me të cilat na motivon që ta vazhdojmë punën me intensitet më të lartë në të ardhmen. Kjo është një bursë dhe ka dy kategori, e para është largimi i barrës së menaxhimit financiar për vitin e studimit dhe e dyta është se ky universitet dhe udhëheqësia e këtij institucioni e monitoron dhe i mbështet studentët për suksesin të cilin e posedojnë”, shtoi mes tjerash, Ariton Rama, student i Fakultetit Juridik, Programi studimor i Shkencave Politike, studimet e disperzuara në Shkup.
Studentja Magdalena Bozhinovska tha se për këto bursa ne studentët i jemi shumë mirënjohës Rektorit, Prof. Dr. Vullnet Ameti. “Është hera e parë që në mënyrë solemne USHT-ja i ndanë këto bursa dhe është për t’u përshëndetur puna e Rektorit të USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dhe ne për këtë nderë i jemi shumë mirënjohës Rektorit”, ka shtuar mes tjerash Studentja e Fakultetit Filologjik, Magdalena Bozhinovska, nga Programi studimor i Gjuhës dhe Letërsisë Maqedonase. Përndryshe, gjatë ditës së nesërme USHT-ja do të përmbyll këto aktivitete me Akademinë solemne e cila do të mbahet nesër me fillim në orën 16.00.
USHT i filloi aktivitetet për shënimin e 19 vjetorit të themelimit
Në kuadër të përvjetorit të 19-të të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, kanë filluar aktivitetet me manifestime të ndryshme për nderë të kësaj date historike. Gjatë ditës së sotme, Fakulteti i Kulturës Fizike ka organizuar gara në vrapim. Kjo maratonë është zhvilluar nga objekti i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore deri te Rektorati i USHT-së. Koordinatorja e këtij aktiviteti, Shpresa Memishi, tha se në këtë maratonë kanë garuar rreth 150 studentë, ndërsa për tri vendet e para janë ndarë çmimet për dy kategori, atë të meshkujve dhe të femrave.
Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Isa Arsllani, iu drejtua të pranishmëve me një fjalë rasti, ku tha se, mbetet obligim moral për çdo shqiptar që ta nderojë themeluesin e parë të USHT-së, Fadil Sulejmanin.
Ndarjen e çmimeve për fituesit e ka bërë Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, ku në kategorinë e meshkujve vendi i parë i ka takuar studentit Bujar Beqiri, në vendin e dytë është pozicionuar studenti Arsim Nuredini, ndërsa në vendin e tretë është renditur studenti Fisnik Beqiri. Në kategorinë e femrave, vendin e parë e ka fituar studentja Valbona Selimi, vendi i dytë i ka takuar studentes Besa Lleshi dhe në vendin e tretë është pozicionuar studentja Fatjona Aliu.
Përndryshe, për nderë të 19 vjetorit të themelimit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, sot me fillim në orën 13:00 do të bëhen homazhe te varri i Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, ndërsa me fillim në orën 16:00 do të mbahet edhe akademia solemne, ku të pranishëm pritet të jenë përfaqësues të korit diplomatik, rektorë të universiteteve nga vendi dhe rajoni, liderë të partive politike shqiptare, deputetë, ministra, kryetarë të komunave, përfaqësues të bashkësive fetare, përfaqësues të mediumeve, profesorë, studentë dhe mysafirë të tjerë.