Categories
Lajme

Në Egjipt, prezantohen potencialet për investime në Kosovë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj në kuadër të vizitës zyrtare në Egjipt ka zhvilluar një së takimesh qeveritarë të këtij vendi dhe përfaqësuese të biznesit me të cilët ka biseduar për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Ministri Beqaj takoi ministrin e Egjiptit për Investime, Osama Saleh, me të cilin ka shkëmbyer informatat e përgjithshme rreth gjendjes ekonomike në vend. Gjithashtu, Beqaj shfrytëzoi rastin për të shpalosur mundësitë për investime në Republikën e Kosovës, si dhe theksoi që Kosova mund të jetë vend strategjik për bizneset e Egjiptit për të lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me vendet e Evropës dhe më gjerë. Ministri Beqaj kërkoi njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Egjiptit, në mënyrë që të formalizohen marrëdhëniet diplomatike, politike, ekonomike dhe kulturore në mes të dyja vendeve. Kreu i MZHE -së theksoi që këmbimi tregtar në mes të dyja vendeve është shumë simbolik, si dhe potencoi që sektori privat duhet të shfrytëzojë përparësitë krahasuese të të dyja vendeve në mënyrë që këto marrëdhënie komerciale të kontribuojnë në ngritjen e nivelit të bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve.
Ministri Beqaj u takua me Zv. ministrin për Tregtitë Jashtme dhe Industri, Mamdouh Mustafa me të cilin ka diskutuar rreth potencialeve për investime në Republikën e Kosovës. Në këtë takim ai shpalosi planet zhvillimore dhe projektet konkrete të realizuara deri më tani, si dhe propozoi që pas formalizimit të njohjes nga ana e Egjiptit, të dyja vendet të përkushtohet në drejtim të nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në sferën e ekonomisë. Zv. ministri theksoi që Egjipti e konsideron Kosovën si një vend mik, ku bizneset e Egjiptit mund të shtrijnë aktivitetet e tyre ekonomike, në mënyrë që të penetrojnë në tregun e Bashkimit Evropian. Ai gjithashtu ftoi bizneset kosovare që të shfrytëzojnë pozitën e Egjiptit në mënyrë që të depërtojnë në tregjet Aziatike dhe Afrikane.
Ministri Beqaj vizitoi Asociacionin për Zhvillim të Bizneseve në Egjipt. Me këtë rast ai prezantoi potencialet për investime në Republikën e Kosovës dhe ftoi bizneset që të analizojnë mundësitë për investime në Republikën e Kosovës. Ministri Beqaj i shoqëruar nga delegacioni i bizneseve të udhëhequr nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, vizitoi Odën Ekonomike të Kajros, ku edhe njëherë ftoi bizneset nga Egjipti për të shfrytëzuar pozitën e volitshme gjeografike të Kosovës, në mënyrë që të përfitojnë nga kostoja më e ulët e prodhimit duke eksportuar nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.
Në kuadër të kësaj vizite janë mbajtur takime bilaterale në mes të bizneseve nga Kosova dhe ato nga Egjipti, në mënyrë që të shikohen mundësitë për bashkëpunim në mes të bizneseve. Ministri Beqaj potencoi që bizneset kosovare kanë nevojë për fuqizim të kapaciteteve prodhuese në sektorë të ndryshëm, të cilat mund të shfrytëzohen si mundësi për investime nga ana e bizneseve të Egjiptit. Ndryshe, në kuadër të vizitës Oda Ekonomike e Kosovës ka nënshkruar dy Memorandume Bashkëpunimi, me Odën Ekonomike të Kajros dhe Asociacionin për Zhvillim të Bizneseve në Egjipt, ku në ceremoninë e të fundit ishin të pranishëm edhe ministrat Beqaj e Saleh. /kosovasot/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version