Gjithçka përreth e ka kapluar heshtja, teksa varret pushojnë në melankolinë e tyre. Çdo zë njerëzor, duket i shuar përballë varreve të Jasharajve. Prekazi është i qetë, ndërsa pret mysafirët e radhës duke mos i lejuar të ikin pa marrë me vete mallin dhe fjalën e historisë që u shënjua atje si në botën e pafajësisë me gjakun e fëmijëve. Si feniks që zbret nga qielli erdh dhe mbeti gjallë në truallin e pavdekësisë.
Por, si gjithnjë, historitë më të bukura nuk janë shkruar ende, dhe fjalët më magjike, nuk janë zbuluar! Në përtej botë, ku buzëqeshin lulet e amshueshme, vring të kaplon ndjesia, teksa shesh gjurmët e një beteje të pasosur me të kundërtën e historisë. Përbri rrugës, klithmat e plumbave ndihen ende si për ndërgjegjësim, ndërsa binari i kallur i kullës, ka mbetur si dëshmi e një beteje të fituar mbi zjarrin dhe flakën. E kush tha që vdiqën? Ata janë të gjallë, midis jush, jo me trupat e tyre, por me shpirtin që nuk kthen pas në dëshpërim dhe as në dyshim! Ata janë të gjallë në atë agim të hershëm prilli që shtrihet midis duarve të zbuluara kah qielli.
Është ende herët, dhe mëngjesi në Prekaz, është gjithnjë fjalë e re ndër deje! Teksa vështrojnë ata që ecin të gjallë në këtë tokë, gjithsecilit duket se i ndalin akrepat e jetës në njëjtin stacion: vdekja. Jo vdekja e zakonshme, siç përditë shohim nëpër lajmërime, por heroike, legjendare, ja njësoj si ajo e atyre që nuk e kuptuan se ku po shkonin teksa buzëqeshnin në atë udhëtim të bekuar. Bash në atë moment, ndihesh i pakët, i pamundur, i zbrazët nga krejt e vërteta e jetës. Nënshtrohesh përballë atij fati që rrallë vjen, por nëse vjen, mbetet aty përgjithmonë pa t’i shterrur sytë e shpirtit për ta parë, për ta ndjerë, njësoj si flladin e ujit të kristaltë të mëngjeseve që Adem Jashari e provoi edhe atë ditë, teksa po shënonte emrin në përkrenarinë e kombit.
Sapo mbushesh me tërë atë gaz lavdie, kupton se nuk je i vetëm dhe të gjitha mendimet që të vijnë ndërmend duken të shpërndara si copëza resh nëpër qiellin e Kosovës, pa të sjellë bekimin e pritur në të nxehtë verë. Këtu, të gjithë poetët vdesin pa mundur të gjejnë fjalën e duhur për ta lidhur e për të shprehur sado pak të gjithë atë mall që vjen nga ndarja, nga pengu i ikjes. Aq sa udhëton jashtë nëpër grykën e plumbave dhe topave që kanë mbetur, po aq arratisesh edhe në një botë të re sublime që vetëm heronjtë mund ta arrijnë.
Aty, vetvetiu të vjen të ngashëresh me të tashmen dhe harresën që pak e nga pak, po zë myk në Kosovën e lirë, në Kosovën e periudhës së hajnave tanimë! Pelegrinazhi duket gjithashtu, si një ndjesi harrese dhe ata si gjithnjë po tallen me kujtesën e tyre historike nga e cila kanë mbetur ende gjallë jo vetëm gjurmët, por edhe dëshmitarët. Tani kanë harruar, dhe si gjithnjë në këtë botë mëkatesh dhe dallaveresh, është e vështirë të mbetesh në të njëjtën dëshirë të zjarrtë për kombin, për të mirën e tij. Ata nuk e kanë ndërmend këtë, nuk e përkëdhelin shpirtin në këto lojëra djaloshare për të çelur më së paku rrugën e bllokuar me ferrat e mjerimit të historisë.
Të mëdhenj janë ata që shpirtin e tyre e zgjerojnë kaq shumë se brenda përfshin jo vetëm idenë e njerëzores, por edhe të hyjnores. Të mëdhenj janë ata që nuk ngujohet brenda vetes dhe për veten, por që rrojnë nga pak për secilin njeri, për secilën vuajtje dhe për secilin shqetësim për ta zgjidhur. Në Prekaz në të vërtetë, nuk u arrit zgjidhja e përgjithmonshme, por sigurisht u arrit çasti më sublim i frymëzimit për të mos pasur jo vetëm një vdekje të zakonshme, por edhe një qëllim madhor të përtej vetes, për krejt kombin. Teksa largohesh, thua ende është pak, megjithëse qëndrimi i gjatë sërish nuk ta shuan mallin dhe as turpin për veten, për të gjitha vogëlsirat meskine të kësaj bote. Bac, eja edhe një herë dhe na e thuaj sa e ëmbël është qëndrimi yt në atë lëndinë amshimi!
Categories